Luftëtarja e shquar shqiptare Tringë Smajlja në pullë postare të Kosovës

Tringe_Smajli_Pulla_postarePosta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim pullën postare që i kushtohet njërës prej luftëtareve më të shquara shqiptare Tringë Smajles.

Tringa ishte vajza e bajraktarit famëmadh Smajl Martini (Ivezaj). Ajo u lind në vitin 1870, në Kshevë të Grudës (Malësi e Madhe), në periudhën e rëndësishme të përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur trojet etnike.

Në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare, në vitin 1883, ranë heroikisht dy djemtë kreshnikë të Smajl Martinit , Zef e Gjon Smajli, duke e lënë ketë fisnik pa asnjë djalë.

Pas humbjes së vëllezërve dhe arrestimit të Smajl Martinit, i cili në vitin 1886 dërgua në burgun famëkeq në Anadaoll (Turqi) nga ku nuk u kthye kurrë, Tringa u betua se nuk do të braktisë shtëpinë, nuk do të martohet kurrë. Ajo nuk ndërroi veshjen, siç shkruajnë disa medie shqiptare “ajo veshi çakçirët e xhamadanin…”, por veproi dhe luftoi e veshur me xhubletë shqiptare, në vend të stolive në brez ngjeshi alltinë e rripin me fishekë, ndërkaq në krah vuri armën.

Tringa veprimtarinë e sajë patriotike e vazhdoi me kushëririn e saj të parë (djalin e axhës) Dedë Nikën, Bajraktarë i Grudës.

Shumë shpejt në kuvende e luftëra filloi të njihet si një luftëtare që i ka hije fjala e pushka. Urtia e trimëria e saj në luftën për marrjen e Majës së Deçiqit inspiroi poetin e atdhetarin Gjergj Fishta i cili thotë: ” Tringa ja kalonte çdo mashkulli më të mirë në Urti e në Trimni “.

Për aktivitetin e saj patriotik kanë shkruar edhe gazeta prestigjioze perëndimore.

Kjo atdhetare, përpos flijimit personal, shkriu tërë pasurinë familjare për hapje të shkollave shqipe. Ajo njihet në popull edhen si Tringa e Grudës apo Tringa e Maleve.

Tringa vdiq në vitin 1917 në Kshevë të Grudës. /Posta e Kosovës/ /MALESIA.ORG/

Tringe-Smajlja