Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, ka thënë se ka biseduar me kryetarin e Partisë Demokratike Fatmir Gjekën dhe se kanë sqaruar se marrëveshja e koalicionit do të respektohet, që do të thotë se Bardhi prej javës së ardhshme do të nxënë vendin e deputetit të cilin aktualisht e mbanë Nikë Gjeloshaj nga Alternativa Shqiptare.
Bardhi për gazetën Dan ka përsëritur se marrëveshja e nënshkruar në vitin 2012 në mes të LdnëMZ-së, Partisë Demokratike dhe Alternativës Shqiptare ka paraparë që një mandat do të ndahet në mes tre partive që përbëjnë “Koalicionin Shqiptar” i cili është udhëhequr nga Fatmir Gjeka.
Lideri i LDnëMZ-së Mehmet Bardhi për gati dy dekada ka qenë deputet në Kuvendin malazez, por kjo është hera e parë që ai mund të ketë vetëm një gjysmë mandati.
Ditë më parë, burime nga Koalicioni Shqiptar kishin thënë se deputeti i Alternativës Shqiptare (Ash) Nik Gjeloshaj nuk do ta lëshoj mandatin e deputetit liderit të LDnëMZ Mehmet Bardhit, sepse ajo nuk është parapa në marrëveshjen e koalicionit. /MALESIA.ORG/