Festë në Preshevë, mijëra qytetarë priten kryeministrin Rama

rama presheve
Në sallën e tejmbushur të Pallatit të Kulturës në Preshevë, ku dominonin të rinjtë Kryeministri Edi Rama deklaroi në Luginën e Preshevës se liria dhe të drejtat e çdo shqiptari janë të paprekshme, pavarësisht vendit ku ai jeton. Duke shprehur besimin se është hapur një faqe e re historie mes Shqipërisë dhe Serbisë, Rama theksoi se tashmë është marrë përsipër përgjegjësia për të mos lejuar më që gjenerata e re e shqiptarëve, por edhe e serbëve, të trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike të së shkuarës.

“Unë dhe Qeveria jonë nuk do të reshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë, por edhe për të rilindur shpresat dhe besimin e çdo shqiptari, kudo ku ai jeton. Ne, me këtë përgjegjësi dhe me këtë vetëdije kombëtare do të bëjmë çmos që t’i japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari dhe shqiptareje, pavarësisht se ku jeton, pavarësisht se ku banon dhe pavarësisht nëse është qytetar i Republikës së Shqipërisë, nëse është qytetar i Republikës së Kosovës, apo nëse është qytetar i Republikës së Serbisë, së Malit të Zi e me radhë. S’ka arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak mundësi, të kenë më pak liri, të kenë më pak të drejta se serbët e veriut të Kosovës”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama një pjesë të konsiderueshme të fjalës ia dedikoi të drejtave që duhet të gëzojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës kjo sipas tij bazuar në modelin që vetë shqiptarët u ofrojnë minoriteve.

“Nënvizoj me krenari se ne shqiptarët, shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e dy shteteve që janë garante të paqes, stabilitetit dhe të ecurisë demokratike të rajonit, mund të jemi me plot gojën, krenarë për mënyrën sesi respektojmë minoritetet. Mund të jemi me plotë gojën krenarë, sepse kemi të gjithë të drejtën, bazuar jo në Konventa, jo në letra, por në fakte, t’i tregojmë botës mbarë se: “Po! Në Shqipëri dhe në Kosovë ka modele të admirueshme të bashkëjetesës; ka modele të admirueshme të respektit për liritë dhe për të drejtat e minoriteteve!” E, me këtë krenari, por duke u nisur nga vetja, ne kemi të drejtën të kërkojmë të njëjtën gjë edhe nga të tjerët”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri Rama bëri kete prermtim për studentët shqiptarë të Luginës së preshevës.

“Për të rejat dhe të rinjtë e Luginës, ne do të dyfishojmë kuotat në mjekësi dhe do të kemi kuota pa limit në të gjitha degët e tjera. Ajo që dëshirova ta lë për ta njoftuar këtu, në këtë takim, është se pas një diskutimi intensiv me Kryeministrin e Serbisë dhe me ekipin qeveritar serb, ne, në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve, por çka për ne është me një rëndësi të veçantë, edhe për njohjen reciproke të diplomave. Çka do të thotë se kësisoj kemi hapur një faqe të re për të gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do të duan të ushtrojnë profesionin e tyre dhe të realizojmë ambicien e tyre”, u shpreh Rama.

Rama zbuloi një detaj nga biseda kokë më kokë me kryeministrin e Serbisë Vucic.

“I kam kërkuar shprehimisht Kryeministrit të Serbisë, nëse duhet ta thoja këtu me zë të lartë që ai personalisht dhe qeveria serbe do të angazhohen personalisht për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe spitalore e për t’i dhënë fund odisesë së papranueshme të gjithë nënave të reja që për të lindur fëmijët duhet të ikin me dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra kilometra larg. E shprehimisht më ka thënë “Po”. Shpresoj dhe besoj që ta mbajë fjalën se pastaj nuk dua që kur t’i them nuk e mbajte fjalën, të thotë është provokim”, deklaroi Rama.

Mesazhin e fundit te këtij fjalimi 40 minutësh, Rama ia dedikoi të ardhmes së përbashkët të shqiptarëve kur tha:

“Rruga jonë është përpara. Rruga jonë është e drejtë. Nëse sot ne kemi të drejtën të ndjehemi mirë kur shohim nga kemi ardhur dhe të ndihemi jo mirë kur shohim ku duam të shkojmë, atëherë duke marrë dhe lexuar si duhet historinë që na solli deri këtu, le të bëjmë së bashku histori për të shkuar aty ku duam dhe ku do të shkojmë me siguri. Faleminderit!”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri Rama.

Presheva shpall Ramën ‘Qytetar Nderi’

Kuvendi Komunal në Preshevë votoi sot unanimisht me 33 vota, për shpalljen “Qytetar Nderi”, kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Liderët e Luginës së Preshevës, Ramen e quajtën “Kryeministri yne”, çka ka irrituar shumë serbet.

Furra Tahiri