Nusret Gjokaj në filmin e radhës të regjisorit Sejdiu


Aktori i ri nga Malësia, Nusret Gjokaj, pjesë e filmit të regjisorit nga Kosova, Burhan Sejdiut.

Filmi me titull “N’Kohë” është film i metrazhit të shkurtë dhe është nisur me idenë e vetë regjisorit por duke u ndihmuar nga një asistencë e Arlind Sylajt. Ideja për këtë projekt ka filluar krejt rastësisht në një takim në studio të këtij të fundit.
“Tematika e filmit nuk do të zbulohet para premierës, por e them vetëm këtë, që përmes karaktereve të kohës së sotme shpalosen pabesitë e së kaluarës.
Ka të bëjë me besën, por jo me fenomenin direkt, por me të kundërtën, atë që ndoshta edhe na detyroi ta shpiknim besën”, thotë regjisori Sejdiu.

Përzgjedhja e aktorëve për këtë film është bërë duke pasur parasysh projektet dhe rolet e tyre të caktuara. Në rolet kryesore në film vijnë: Nora Muçaj, Nusret Gjokaj, Selim Zeqa dhe Merfi Gashi.

Regjisori Burhan Sejdiu tregon që fillimisht ky projekt ka nisur për vetëm 2 euro por falë disa bizneseve të qytetit të Therandës dhe përkrahjes nga kjo komunë është arritur finalizimi i projektit.
Sheshxhirimi i filmit është kryesisht në Therandë, përfshirë këtu edhe fshatrat përreth. Projekti ka përfunduar javnë e kaluar, ndërsa janë dashur rreth tre muaj kohë për realizimin e suksesshëm filmik.

Sejdiu tregon se fillimisht filmi do të jetë pjesë e një prej festivaleve kosovare, e natyrisht që synohet edhe rruga ndërkombëtare kinematografike.