Një ditë e veçantë, ku qindra fëmijë të komunitetit shqiptarë në Michigan u shoqëruan dhe u argëtuan bashkë, ku njëkohësisht dhe u bashkuan fonde për të ndihmuar fëmijët me nevoja të posaçme.
Ishte ky një eveniment nga Organizata e Rinisë Arbnore (ORA) i zhvilluar më 2 nëntor në sallën e Kishës Shën Pali (Michigan) e cila bashkoi rreth 800 veta, ku dominuan të vegjlit e komunitetit shqiptarë në Michigan.
Përpos shoqërimit dhe argëtimit të fëmijëve, ORA në këtë eveniment bashkoi fonde për të ndihmuar fëmijët të cilët vuajnë nga autizmi.
“Gjithçka kaloi në mënyrën më të mirë, ku falë bujarisë dhe zemërgjerësisë të komunitetit shqiptarë, u grumbulluan fonde të cilat do të përdorën për të ndihmuar fëmijët që vuajnë nga autizmi”, sqarojnë anëtaret e ORA-së.
Ato zgjodhën dy qendra të rëndësishme të cilat luftojnë dhe investojnë në ndihmë të fëmijëve me autizem; fondacionin “Autizmi flet shqip” në Tiranë dhe shkollën “Nënë Tereze” në Malësi, të cilave do tu shkojnë fondet e grumbulluara nga ORA.
I pranishëm ishte edhe Everest Haxhi, Ish- Atasheu Ushtarak ne Ambasadën Shqiptare ne Washington dhe njëkohësisht themeluesi i fondacionit “Autizmi flet shqip”, i cili edhe ndau çertifikatë falënderimi për ORA-në. Një tjetër personazh i njohur i komunitetit, ishte edhe i ftuari nderit, sportisti i mirënjohur i MMA, Adrian Hadribeaj.
ORA falënderon të gjithë donatorët dhe të gjithë ata që në mënyra të ndryshme ndihmuan organizim dhe realizimin e kësaj iniciativë.
“Autizmi është një nga fenomenet më të reja që shoqëria jonë po ndeshet shpesh në ditët e sotshme, fatkeqësisht disa njerëz e injorojnë, lumturisht disa e kuptojnë dhe mundohen të bëjnë të pamundurën për ta suportuar e kjo ishte një arsye që ORA me dëshirë shumë të madhe mori përsipër sensibilizimin e shoqërisë dhe komunitetit ndaj autizmit, por si çdo gjë kërkon suportim shpirtëror edhe material, dhe kush më mirë se Don Fran Kola famullitari i kishës së Shën Palit së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj qëndre që mund mbështesin ktë inicijative, dhe ky është vetëm fillimi”, sqarojnë nga ORA.
ORA është themeluar dhe funksionon nga gra dhe vajza të komunitetit shqiptarë në Michigan të cilat janë të vendosura që të ndihmojnë dhe të mbrojnë të pambrojturin dhe këdo që ka nevojë, ashtu si çdo nënë lufton dhe punon për familje e fëmijë të vet. /MALESIA.ORG/