Tiranë, protesta e PD-së: Berisha flet për 250 mijë njerëz (Video)

protest tirane
Simpatizantët e Partisë Demokratike mbushën sot Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në mbështetje të protestës së thirrur nga opozita. Kryetari i saj, Lulzim Basha siguroi se nuk do mposhten derisa qeveria të plotësojë kushtet e kontratës, që sipas PD-së ajo ka nënshkruar.
Basha kërkoi në emër të qytetarëve të mbledhur, që kryeministri Rama të dëgjojë zërin e tyre, zërin e protestave.

“Jemi më shumë se asnjëherë në historinë e këtij qyteti në bulevardin e shpresës, bashkimit dhe dinjitetit të shqiptarëve të lirë. Kemi ardhur të përballemi, të mbrojmë të drejtat tona, ta izolojmë të keqen dhe t’i kthehemi së mirës për këtë vend. Rama sot është futur në bunkerin e Enver Hoxhës për të mos ju shikuar ju. Është futur aty se mendon se aty nuk e ndjen forcën e bashkimit të një populli të tërë. Është futur në bunkerin e izolimit kryeministri që mashtroi dhe bën sikur harroi. Por ne jemi në këtë shesh që t’ia kujtojmë mashtrimet e tij dhe ta pyesim me zërin e bashkuar pse nuk qeveris por do të sundosh. Pse nuk flet, nuk i dëgjon qytetarët por i godet ata pas shpine si kaçaku i ferrës”, deklaroi Basha.

Ish-kryeministri dhe njëherësh ish-kreu i opozitës, Sali Berisha, shkruan në “Facebook” për protestën e zhvilluar sot para Kryeministrisë.

Berisha e ka cilësuar si protestën më të madhe të zhvilluar ndonjëherë në Tiranë, ku ishin pjesëmarrës 250 mijë qytetarë.

“Mbi 250 mijë qytetarë në protestën më të madhe që Tirana ka njohur! Zemërimi popullor në zenit! Tirana dhe Shqipëria ushtonin sot Rama ik! Ik! Ik! Rama shporru! Shporru! Shporru!!”, shkruan Sali Berisha.

Që kjo të jetë e mundur do të duhej që në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të dilin 50% e qytetarëve që votuan PD-në në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ku mori 528 mijë vota.

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja, këtë herë i bëri thirrje për kryeministrin Rama nga foltorja, gjatë zhvillimit të protestës së opozitës. Kalaja kërkoi nga kreu i qeverisë që të mbajë premtimet e dhëna më 23 qershor dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve.

“Si kjo protestë është parë vetëm në vitin 1991, ku janë mbi 200 mijë pjesëmarrës të opozitës, sindikalistë, punonjës, qytetarë. Shiko popullin e ke çuar në mjerim. Unë sot në emër të anëtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura shqiptare kërkoj: mbaji angazhimet e 23 qershorit. Ndalo rritjen e çmimit të energjisë, ndalo reformën selektive në arsim, reflekto ose largohu”, deklaroi Kalaja.

Policia e Shtetit, sqaron opinionin publik nuk ka ndaluar asnjë protestues, për mungesë të dokumentacionit të identitetit. Reagimi i policisë vjen pas publikimit të lajmit nga disa medie, sipas së cilave efektivët ndaluan qytetarëve pjesëmarrës në tubimin e organizuar nga PD.

“Nga strukturat e Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është ndaluar apo penguar ndonjë qytetar, për të marrë pjesë në këtë tubim, për këtë shkak apo edhe për shkaqe të tjera. Policia e Shtetit garanton qytetarët se janë marrë të gjitha masat për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit”, deklaron policia.

Furra Tahiri