E shtuna e parë e muajit tetor për trieshjanët është festë e madhe. Trieshi atë mbrëmje kremton festën e tradicionale Zojën e Trieshit. Pikërisht të nesërmen, ditën e Zojës i premtova mikut tim Kolë Zagredës nga fshati Reç i komunës së Ulqinit, që jeton në Nju-Jork, se do të vizitojmë vendlindjen time – Trieshin, vendbanim i hershëm me popullatë shqiptare, 18 kilometra larg kryeqytetit të Malit të Zi. Pikëtakimi ynë i parë atë mëngjes me diell ishte restoranti “ Ponte” në Ulqin. Aty u takuam në ora 8,oo . Pimë nga një kafe dhe u nisëm për në Triesh me veturën e tij. Kur arritëm në qytezën e Malësisë, në Tuz bëmë një pushim 40 minutash në restorantin e njohur “ Troja”. Mbasi hëngrëm mëngjesin vazhduam në drejtim të Trieshit, me qëllim që së pari të shohim meshë në Kishën e Zojës Rruxare, e cila,siç më kishte njoftuar një natë përpara patër Pashku Gojçaj , ishte caktuar të mbahej në ora 11,00.
Në kilometrin e shtatë nga Podgorica vërejmë tabelën me mbishkrim sllav, ku shkruan “ Zatrijebač”. Ajo shërben për të orientuar shoferët se djathtas vazhdon rruga për në Triesh. Shoqëruesi im, duke mos e kuptuar domethënien e tabelës në sllavisht më pyeti me kurreshtje t’ia përkthej në shqip. – Zatrijeba
në shqip do të thotë Triesh. Është toponim sllav. Kështu serbomalazezët e quajnë Trieshin, i thashë unë. Dhe vazhduam rrugën djathtas. Pas pak minutash mbërritëm në Fundna e në Luhar. Filloj t’i tregoj shkurt shoqëruesit tim për historikun e shkurtër të këtyre vendbanimeve me popullatë multinacionale , dikur me shumë banorë e sot më pak sish. Tërë kohën, rrugës gjarpëruese, të ngushtë, të rrezikshme , me një shtresë asfalti tashmë të amortizuar , vazhdoj t’i jap atij sa më shumë informacione nga e kaluara dhe e sotmja e fshatrave përgjatë rrugës, kurse ai, vërej se, kënaqet sa me informacionet aq edhe me bukuritë e këtyre trevave mbresëlënëse, pothuaj të boshatisura.
Vetmi molisëse
Kur dolëm ne Qafë te Rozdecit u perballëm me një pamje të mrrekullueshme, me një frymëzim që erdhi nga panorama e bukur e Trieshit, e cila në historinë e egzistencës së tij ka ditur vetëm për dhimbje dhe vuajtje për çdo banorë te trevës. Zbresim në fshatin e parë në Rudinë. Hieshin e tij ia shton Kisha e re të cilën me mjete të veta e ka ndërtuar bashkëfshatari im në mërgim, Nju-Jork, Kolë Cacaj. Kalimtarët e rastit me të drejtë e quajnë bukuroshja e fshatit. Rrugës nuk takojmë dhe as nuk shohim njeri. Mbërrijmë në fshatin e dytë po ashtu të vetmuar në Nikmarash. Në varrezat e këtushme familjare ndalemi për një çast për t’u bërë homazh prindërve dhe vajzës sime. Njësoj edhe fshati i radhës Budëza, vuan nga numri i banorëve. Të tri këto fshatra lëngojnë nga vetmia. Njerezit e parë i takojmë në fshatin Stjepoh, ku ndodhet shkolla tetëvjecare e cila me krenari mban emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, shitorja dhe shtëpia e kulturës. Shtegtimi ynë përfundoi në fshatin Delaj, ku së pari të bie në sy një kryq i bardhë, shtatëlartë, disa metra i gjatë, pastaj dy-tri shtëpi të rregulluara për bukuri, dhe një tabelë në gjuhën agleze. Por ajo që të josh më së shumti këtu gjithësesi është kanjoni i lumit Cem, dhe leqet e Rapshës. Por as në këtë fshat nuk arritëm të përshëndetemi me askënd.Nuk pamë njeri të gjallë.
Kisha me pak besimtarë
Megjithë dëshirën tonë të madhe që të mbërrijmë me kohë në meshën shenjte nuk arritëm. Vonuam 35 minuta dhe mesha kishte përfunduar.Me të ndalur para kishës së Trieshit, në oborr vërejmë famullitarin Patër Mirash Marinaj, i cili në muajin gusht të vitit të kaluar organizoi 250 vjetorin e themelimit të kësaj famullie katolike, dhe një numër jashtëzakonisht të vogël besimtarësh. Në takimin e parë me ta urojmë njëri-tjetrin, gëzuar për shumë mot dhe me zemër të mirë festën e Zojës! Habitem sa pak besimtarë kanë ardhur atë ditë të diele për të parë meshë. Më kujtohen vitet kur ky oborr Ditën e Zojës ishte përplotë i mbushur me besimtarë, kurse kisha ishte e vogël për t’i pranuar të gjithë. Po ashtu m’u kujtua si foshnje kur këtu dëgjova për herë të parë Formulën e Pagëzimit të Pal Engjellit “ Të pagëzoj në ëmën të Atit e të Birit dhe të Shpirtit Shënjtë” dhe më vonë si i ri dhe i rritur gjithë ata burra të dheut, gra sojnike e rini të bukur trieshjane e shqiptare, por edhe logje e panagjyre. E sot. Ndjehem i zhgënjyer. Por mundohem ta inkuraroj veten. Prej atëherë kanë kaluar shumë vite. Kohët kanë ndrushuar. Bashkë me to edhe Trieshi. Banorët e tij tashmë ndodhen larg vendlindjes.Kush më afër e kush më larg. Kanë migruar dhe emigruar brenda dhe jashtë shtetit,për një jetë më të mirë e më të rehatshme se ajo që kishin jetuar baballarët e tyre.
Në konakun e Dodë Smajlit Gjeloshaj
Në kthim u ndalëm në fshatin Nikmarash, ku dikur frymonin 50 familje, kurse sot i kanë mbetur besnik atij vetëm dy prej tyre. Kryefamiljari Mark Noshi Gjeloshaj, moshatar imi dhe shok i shkollës për tetë vite radhazi, na dëshiron mirëseardhje. Sepse në mendësinë e trieshjanit miku e nderon shtëpinë. Ky vajtor (britmëtar) i njohur në Malësi rrjedh nga një familje e madhe fisnike dhe patriotike, gëzohet për vizitën. Sisomos atë ditë, kur feston festën e madhe të Zojës së Trieshit. I mësuar me traditën e bujarisë dhe mikpritjes, karaketristike për Trieshin dhe trevat tjera të Malësise, nuk na lejon pa hyrë në shtëpine e tij, dikur konaku i njohur i Dodë Smajlit i cili u vra nga UDB-a në shtëpinë e vet në vitin 1951 bashkë me mikun e tij komandantin e Aviacionit të Beogradit Radomir Mirasheviq, të cilit ia dha besën se do ta përcjellë për në Shqipëri. Ai, duke na gostitur me të gjitha të mirat që i kishte shtruar në sofër, me gjakëftohtësi e modesti na tregon për historinë tragjike të familjes së tij dhe për kalvarin e gjatë të vuajtjeve që përjetuan ata nën regjimin komunist, arrestime, burgosje, tortura, internime e tjera.
Trishtim i brendshëm
Pasi u kënaqëm me mikëpritjen e Mark Gjeloshajt vazhduam rrugën për në fshatin tim – Rudinë. U ndalëm tek shtëpia ime e lindjes. Aty ku kam parë së pari herë lindjen e diellit dhe ndriçimin e hënës. Aty ku i kalova vitet më të bukura të jetës sime nën përkujdesjen e ngrohtë të prindërve të mi të dashur,tashmë të ndjerë. Pushofshin në paqe! Kur iu afrova shtëpisë me mori vaji . Jo, pse me kujtoheshin copëza jete të fëmijërisë e rinisë sime, por nga pamjet rrënqethëse të shtëpisë, e cila ishte gërmadhë, pa kulm, pa dyer e pa dritare. Rrethina e shtëpisë më la përshtypjen e një bukurie te braktisur. E një bukurie që më pikëllon kur e shoh. Shtëpia ngrehinë më rikujtoi atë bukuroshen e cila nuk ka mundur ta mbajë pranë vetes të dashurin e vet , sespe i dashuri i saj s ‘ka pasur tjetër zgjidhje përveçse ta braktisë nga trishtimi i brendshëm shpirtëror.
Te kushëriri për mjesditë
Ashtu i përlotur vazhdojmë rrugën teposhtë dhe menjëherë arritëm në oborrin e shtëpisë së kushëririt, Gjokës. Ai dhe familja e tij, bashkëshortja Marja, djali Lubi dhe vajza Violeta kur morën vesh për vizitën tonë na pritën zemërhapur e buzagaz. Vertetë u kënaqëm së bashku, duke biseduar, duke hëngër mish fërliku në hellë (specialiteti kryesor tradicional i trieshjanëve-malësorëve) e duke pirë këtë ditë feste të madhe. I zoti i shtëpisë Gjoka na rikujton kohën kur ai Ditën e Zojës së Trieshit në këtë shtëpi, derisa jetonim se bashku 30 anëtarë të familjes, i ka numëruar 64 miq siç i quajmë ne mysafirët, duke mos llogaritur gratë e femijët e tyre. Kaq miq sot, shton Gjoka, nuk besoj se i ka gjysma e Trieshit.
Kthimi në Ulqin
Rreth orës 16,oo u nisëm për në Ulqin. Stacioni ynë i fundit ishte familja e Martin Cacaj, ndër të rrallët trieshjanë, bashkë me kushëririn tim Lubin , të cilët i janë përkushtuar vendit të origjinës. Ai jeton në Podgoricë, por në Triesh ka ndërtuar një shtëpi të re, ku e kalon kohën çdo uikend me familje. Edhe Martini edhe Lubi vërejmë se kanë investuar mjaft në vendlindje dhe se janë adhurues të trashëgimisë sonë kulturore, të orendive e sendeve tona të vjetra. Shoqëruesi im Kola në kthim për në Ulqin më thotë se i pëlqen shumë kjo zonë, se ndjen një dashuri të veçantë edhe për njerëzit që jetojnë këtu, por , siç pohoi ai, ka mungesë të kujdesit dhe ndodhet shumë larg zhvillimit ekonomik për çka bashkërisht ndjejmë keqardhje të madhe.
Shpresa vdes e fundit
Te gjitha fshatrat e Trieshit , sot sikur banohen vec prej heshtjes. Ajo heshtje i ngërthenë në vete lotët mërgimtar të nënave trieshjane të përmalluara për fëmijët e tyre, shumica e te cilëve kanë shtegtuar matanë oqeaneve, që shijuan kurbetin duke marrë rrugën pa kthim, në Amerikë, Australi, Gjermani, Zvicër… Shkuan aq larg, thuajse donin të arrinin atje ku nuk shkohet më tej, në fund të botës,prej nga e kanë të vështirë të kthehen, edhe përkundër mallit që ndiejnë që edhe një herë të prekin me këmbë pragjet e shtëpive ku kanë lindur. Kam bindjen se heshtja e jo gurët shkëmbor të kësaj zone malore i mban në këmbë ato pak shtëpi të vjetra dhe ato të meremetuara. Kjo vetmi që dhemb nuk është asgjë tjetër përveçse një rrëfim i trishtueshëm për të parët tanë që jetuan në këtë trevë të thepisur. Ndërkohë që trieshjanët e paktë që mbeten në vendlindje po i ruajnë shtëpitë dhe truallin e të parëve, sikurse edhe kujtimet për të kaluarën e Trieshit.
Urojmë të mos shuhet shpresa e tyre se e ardhmja do të jetë ajo që kishin ëndërruar të parët e tyre: që trieshjanët të bëjnë çmos për të mos u shuar vatra në shtëpitë e tyre. Bashkëvendas trieshjanë në vendlindje mos e humbisni shpresën. Ajo vdes e fundit.