Sinishtaj: Forca humbi unifikimin

sinishtaj nimanbeguLideri i Iniciativës Qytetare Vasel Sinishtaj ka deklaruar që Forca e Re Demokratike ka humbur shansin për unifikimin e partive shqiptare duke theksuar se kjo parti nuk i respekton marrëveshjet të cilat i ka me partitë me të cilat është në koalicion.

“Nuk do të bëjë mbledhje me to. Sa më përket mua, ato e humben unifikimin, tha Sinishtaj për “Vijesti”.

Ai tha se prej 6 nëntorit duhej të zëvendësonte Genci Nimanbegun në vendin e deputetit në Kuvendin e Malit të Zi, por kjo parti nuk respekton marrëveshjet.

Sinishtaj tha se për dy vjet sa Koalicioni shqiptar është në parlament nuk është përmend koalicioni, por çdo herë është fol në emër të Forcës. Ai tha se nuk është i kënaqur me bashkëpunimin me DPS-në, kurse Forca tani vetëm po blenë kohë duke shpresuar që dikush do t’i ftojë në Qeverinë malazeze.

Në anën tjetër edhe lideri i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi i cili është pjesë e koalicionit tjetër shqiptar, ka kërkuar nga deputeti i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj të i lirojë vendin e deputetit, e që në vend të tij gjysmën e postit të deputetit ta marrin Bardhi.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare dy koalicionet shqiptare, të përbëra nga gjashtë subjekte, kishin fituar nga një mandat, gjë e cila ka krijuar tensione politike në mes të këtyre subjekteve.

Deputet i Koalicionit Shqiptar i përbërë nga PD, ASH dhe LdnëMZ ishte Fatmir Gjeka i PD-së i pasuar nga Nik Gjeloshaj i ASH-së, ky i fundit i cili po refuzon të i liroj vendin Mehmet Bardhit nga LDnëMZ.

Në anën tjetër, koalicioni tjetër shqiptar, Forca për bashkim i përbërë nga Forca, Iniciativa Qytetare dhe Levizja Perspektiva deri me tani në Kuvendin malazez është përfaqësuar nga Genci Nimanbegu i Forcës, i cili po ashtu refuzon ti liroj vendin kolegut të tij Vasel Sinishtajt nga IQ-ja.

Përderisa Bardhi dhe Sinishtaj gjatë dy muajve të fundit janë prononcuar disa herë, Nimanbegu dhe Gjeloshaj nuk kanë dhënë ndonjë sqarim në lidhje me situatën e krijuar. /MALESIA.ORG/