Gegaj: Niveli i shqiptarëve të punësuar në organet shtetërore është shqetësues

1Deputeti i DPS-së Nikollë Gegaj i konsideron si shqetësuese rezultatet e hulumtimit të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, në të cilën, ndër të tjera, theksohet se në organet shtetërore janë në punësuar vetëm 1,2 për qind të shqiptarëve.

“Dua të them sinqerisht se rezultatet janë shqetësuese dhe duhet të merren hapa të caktuar për integrimin e shqiptarëve në ato organe, në mënyrë që numri i tyre të shtohet në nivel më të lart. Jam i sigurt se në mesin e shqiptarëve ka numër të madh të kuadrove të cilët në mënyrë cilësorë do t’iu përgjigjen detyrave në çdo organ të administratës shtetërore”, tha Gegaj për CDM.

Ai tha se pret që Parlamenti i Malit të Zi së shpejti do të miratojë ndryshimet e nevojshme legjislative që mundëson Tuzit dhe Gollubovcit të kenë kompetencat që kanë komunat e tjera, por pa e sqaruar nëse bëhet fjalë për Komunë apo një model i cili i dallon nga të gjitha komunat tjera në Mal të Zi.

“As partia në pushtet nuk thotë se pozita e shqiptarëve është e përkryer, por ajo sot është shumë më e mirë se më parë”, thotë Gegaj.

Megjithatë sipas këtyre hulumtimeve, numri i shqiptarëve të punësuar në organet shtetërore, krahasuar me katër vite më parë, është për gjysmë më i ulët, çka së pakut në këtë drejtim nuk dëshmon në një përmirësim, ashtu siç pretendon Gegaj.

Sipas këtij raporti, pjesëmarrja e komuniteteve të pakicave në organet shtetërore është më e madhe sesa në të kaluarën kur është fjala për boshnjakët, kroatët dhe romët, por jo edhe për shqiptarët, ku ngjanë e kundërta.

Gegaj pohon se pozita e shqiptarëve është më e mirë se më parë, duke e marrë Malin e Zi si shembull në respektimin e pakicave kombëtare (shqiptarët janë popull autokton dhe jo pakicë), por faktet në të vertet flasin ndryshe.

Përpos punësimit, numri i shqiptarëve në trojet e veta në Mal të Zi është gjithnjë në rënie, përdorimi i simboleve kombëtare ende nuk është i lirë, arsimi shqip joadekuat dhe diskriminues, zonat ku jetojnë shqiptarët janë më të pazhvilluarat në vend, injorimi i më shumë se dy dekadash për dhënien e vetëqeverisjes lokale të Malësisë, shkurtimi i numrit të mandateve të garantuara për shqiptarët në Kuvendin malazez etj., janë vetëm disa nga faktet të cilat dëshmojnë se pozita e shqiptarëve jo së është përmirësuar por në fakt është përkeqësuar. /MALESIA.ORG/