Me ftesën e Lidhjes Demokratike, zv/ministri i kulturës në Republikën e Shqipërisë vizitoi Muzeun etnografik të Malësisë.
Si rezultat i interesimit të z. Zef. Çuni për kulturën gjithëshqiptare dhe pas kontakteve të kohëpaskohshme me Nikollë Camaj, kryetarin e LD, Dega e Malësisë, u realizua një vizitë tejet shpresëdhënëse për trashëgiminë kulturore të Malësisë. Zv/ministri shqiptar u mahnit nga ajo që pa dhe tregoi gatishmëri për tu angazhuar për ruajtjen e vlerave që mban brenda muzeu etnografik i z.Shtjefën Ivezaj. Duke treguar një respekt të veçantë për sakrificat e këtij malësori, për ti mbledhur dhe ruajtur këto eksponate nga e kaluara jonë, qofshin ato armë, vegla pune e jetese, apo veshmbathje. Po ashtu vëmendje të posaçme i kushtoi edhe fototekës së pasur të këtij Marubi malësor, e cila, sipas fjalëve që i tha Nikollë Camaj ruan dhe dokumenton të kaluarën tonë, së paku 60 vitet e fundit, qofshin ato ngjarje, njerëz, apo vende, të cilat nuk i gjen më. Z. Çuni, i cili ishte edhe në shoqërinë e bashkëshortes së vet dhe të përfaqësuesve diplomatik shqiptar në Mal te Zi, i përshëndeti të pranishmit që kishin ardhur për ta pritur, përfaqësues politikë e punëtorë të kulturës, arsimit dhe shkencës në Malësi, me ç’rast nder të tjerat tha: “Pata ftesë faktikisht nga shqiptaret këtu të Malit të Zi për të e vizitua këtë muze. Për mua si zëvendës ministër i kulturës së Shqipërisë ishte diçka e paimagjinueshme, mahnitëse për punën që ka bërë Shtjefen Ivezaj, ky njeri patriot atdhetar, që ka ruajt një pasuri të pa imagjinueshme dhe kam mbet shumë i impresionuar për këtë punë që ka bërë zotëria në fjalë…Ministria e Kulturës Shqipërisë ka një program të bashkëpunimit me gjithë shqiptaret që ndodhen në rajon …I dimë edhe për problematiken që ekziston edhe në Mal të Zi, prandaj dhe ardhja ime këtu ka për qellim bashkëpunimin por edhe ndihmën që duhet të japim për ruajtjen e këtyre vlerave. Ne tani po ndërtojmë Muzeun Kombëtar Marubi në Shkodër i cili ka mbi 500 mijë negativa dhe që po digjitalizohen dhe ajo fototeka e Marubit nuk ka vetëm ngjarje dhe personazhe të Shqipërisë por ka edhe ngjarje edhe të Shqiptareve në Mal të Zi, por edhe të vet Malit të Zi. Njëkohësisht edhe të gjithë Shqipërisë por edhe me gjerë. Dhe ndoshta nga ky perceptim që pata unë këtu lind edhe ideja që shumë dokumentacione që kanë nevojë të digjitalizohen që të dokumentohet që është e pamundur me mundësit reale që ka Shtjefen Ivezaj këtu, prandaj ne bashkëpunim me fototekën Marubi, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, ne të kemi mundësi ta dokumentojmë dhe ta ruajmë sepse kultura i shërben edhe forcimit të mardhënjeve midis shqiptareve kudo që janë…” Në konstatimin se shqiptaret në Mal të Zi janë pak sa skeptik me kujdesin që ka shteti amë Shqipëria ndaj tyre, ai shprehet: “Fakti që unë erdha këtu tregon se po i kushtojmë kujdes edhe në politikën e Ministrisë së Kulturës, të paktën një vit e gjysmë që jemi ne në drejtim ka marr përmasa krejt tjera për kujdesin e kulturës kombëtare dhe të trashëgimisë kombëtare”.
Pastaj z. Çuni i bëri nje vizitë Shtëpisë muze të Dedë Gjon Lulit, Kullës në Vuksanlekaj dhe Qendrës Kulturo Informative “Malësia”.
Shtjefën Ivezaj u nda i kënaqur nga kjo vizitë dhe shpreson përkrahje konkrete për ruajtjen e eksponateve që janë ruajtur me vështirësi dhe që janë para dëmtimit, nëse nuk merren masa për përmirësimin e kushteve në të cilat ato ruhen. Nikollë Camaj, si dashamirë i këtij muzeut dhe si ndërmjetës i këtij takim vlerësoi lartë angazhimin e zv/ministrit shqiptar që ndau një ditë pune për të vizituar këtë objekt dhe për tu informuar prej afër me pozitën e shqiptareve në Mal të Zi, me trashëgiminë kulturore të tyre. Camaj vuri në pah nevojën e përkrahjes së shtetit Shqiptar në të gjitha sferat e jetës së shqiptareve në Mal të Zi, duke apostrofuar si nevoje emediate intervenimin në fushën e arsimit dhe kulturës. Po ashtu z. Çuni i prezantoi edhe statusin politik të shqiptareve në Mal të Zi, i cili nuk është aspak i lakmueshëm.
Zv/ministri Çuni në ndarje premtoi se kontaktet e këtilla do të vazhdojnë dhe se shumë shpejt do të formojë një ekipë ekspertesh për të vizituar dhe ekzaminuar këtë muze dhe eksponatet e tijë.
Albert Camaj