Sot, më 19 shkurt 2015, përkujtojmë 70-vjetorin e masakrës komuniste-malazeze mbi malësorët e Hotit, Grudës e Trieshit, e së bashku me ta edhe mbi meshtarin e Hotit, masakër kjo që paraqet vetëm një episod tragjike të së kaluarës sonë, të mbushur me sakrifica, krime e shtypje, nga më të ndryshmet. Mjafton t’i përmendim vetëm ato të shekullit XX; filluar nga viktimat e viteve të Kryengritjes malësore të vitit 1911, për të vazhduar me ekzekutimin e 74 hotjanëve nga forcat serbe natën e Krishtlindjeve të vitit 1919 dhe burgosjen e më se 60 të tjerëve, prej të cilëve më se 2/3 do të vdesin në burgun e Podgoricës, pastaj ekzekutimet që bënë malazezët në vitet 1941, 1945, 1948 e 1951, për ta përmbyllur me keqtrajtimin dhe dënimin politik, që kap shekullin XXI, konkretisht vitin 2006, me aksionin famëkeq “Fluturimi i shqiponjës”. Por, kësaj radhe po përqendrohem në aksionin e vitit 1945. Në aksionin kur shumë burra malësorë u ndëshkuan sa për “mëkatet” e bëra si Malësidashës, aq edhe për t’u futur frikën të tjerëve, që të heqin dorë nga ndonjë rebelim i mundshëm, rebelim që edhe mund të pritej, pasi që pas “çlirimit”, malësorët shpresonin se trojet shqiptare do të bashkoheshin. Por, sllavo-komunistët nuk ishin të gatshëm të respektonin të drejtën e malësorëve në vetëvendosje, prandaj po mbillnin frikë mbi ta. As komunistët shqiptarë nuk ishin më të interesuar për jetësimin e kësaj të drejte, pasi që në atë kohë, edhe ata andej kufirit, po spastronin radhët e nacionalistëve, sidomos të malësorëve. Duhet të kujtoj këtu takimin në Tuz, menjëherë pas “çlirimit” (sipas Prenk Grudës, më 07. shkurt 1945), e që i parapriu masakrës. Aty malësorët folën haptazi për bashkim kombëtar dhe kundërshtuan mbetjen nën Mal të Zi. “Malësorët nuk janë shporta me fiq që t’i kaloni herë në njërën, e herë në tjetrën anë”, ishin fjalët e Age Grudës, që së bashku me shumë fjalë të tjera, i tmerruan komunistët, malazezë e shqiptarë. Disa ditë më vonë, për Malësinë do të fillojë një skëterrë e re.
Ekzekutimet e vitit 1945 u bënë pa gjyq, e pa të drejtë mbrojtjeje. “Gjyqi postmortum” do të bëhet tek në vitin 1947, me ç’rast ata do të cilësohen si armiq të mbretit e të Serbisë, të ish-Jugosllavisë dhe të regjimit komunist. Nga ana tjetër, duke i marrë në mbrojtje, të bijtë e të afërmit e viktimave, jo pa rrezik edhe për veten e tyre, kishin deklaruar se ata nuk ishin armiq të kurrkujt, por vetëm dashamirë dhe mbrojtës të vendit, të oborrit e të oxhakut të vet! Por qëndronte fakti se ata ishin nacionalistë dhe antikomunistë të përbetuar, dhe për këtë e paguan! Do të duhen plotë 45 vite që shqiptarët të zhvishnin zhgunin komunist, të cilin këta malësorë nuk pranuan ta vishnin.
Përndryshe, ekspedita ndëshkimore ndaj Malësisë u bë me pretekstin se gjoja ishin në kërkim të një të arratisuri nga burgu. Kështu, nën petkun e tradhtisë, sllavo-komunistët hynë në fshatrat e Malësisë dhe në kullat malësore, në të cilat kishte zënë vend pasiguria dhe mosbesimi. Shumë nga këta burra malësorë prisnin se komunistët do t’u trokitnin një ditë në derë, por flinin të qetë në shtëpitë e veta, të bindur se do t’i përfshinin në ndonjë proces gjyqësor. Por, zjarri komunist i përvëloi pa gjyq. Faji i vetëm i tyre ishte ideali për një Malësi shqiptare e të lirë, të cilës i shërbyen me dinjitet gjatë tërë jetës së vet, kurse me mënyrën e vdekjes, brezave që vijnë u lanë krenarinë.
Kështu, Patër Zefi la një dëshmi të pashoqe devotshmërie kristiane e malësore, i cili, i pajtuar me fatin e vet prej martiri, nga gjakatarët kërkoi që t’i mundësonin edhe lutjen e mesditës, si lutjen e tij të fundit. Së bashku me të pushkatohet edhe Vasel Mirashi, vojvodë i derës së Vuksanlekës, i cili e “shoqëroi” fratin në rrugëtimin e tij drejt përjetësisë. Zef Miliqi, preferoi më parë vdekjen se sa të dorëzonte mikun e shtëpisë e kumbarën e vet, të ardhur nga Kushja e Hotit, duke lënë kështu një shembull të pashoq të mikpritjes e të besës, duke vërtetuar se më i shtrenjtë është kumbara se jeta. Pastaj Pjetër Zeku, i pushkatuari i parë, i patrembur në beteja kundër turkut e serbit, i plagosur gjatë Kryengritjes së Malësisë në betejën e Gropë Uglës dhe gjatë luftës me ushtrinë serbe (1919), zor se do t’u dorëzohej komunistëve, po të mos ua njihte natyrën xhelatëve, të cilët në pushkën e parë të rezistencës do të zhduknin nga faqja e dheut fshatin Spi e tërë Hotin, prandaj zgjodhi dorëzimin. Po ashtu, rasti rrëqethës i pushkatimit të tre vëllezërve Lulgjuraj: Gjergjit, Lucës dhe Dodës, dhe momenti i ndarjes së tyre nga e ëma, e cila më kot u bëri lutë oficerëve që t’ia falnin, së paku, djalin e vogël, çka gjakatarët refuzuan. Të njëjtin fat me ta ndanë edhe Gjekë Çuni, Kolë Gjel Çaku, Nikë Marash Ula, Nikollë Gjon Curi, Gjon Nik Luli e Gjekë Kola. Plagët e dhimbshme të 45-tës thyen shumë zemra nënash e të afërmish që nuk guxuan as t’i qanin, e në disa raste as të hedhin një grusht dhé mbi trupin e bijve të vet të vrarë.
Duke kërkuar ndjesë dhe duke u përkulur para sakrificave të të gjithëve, do të ndalem pak më tepër te Pjetër Zeku, sa për faktin se jam një nga nipat e tij, po aq edhe për faktin se për të kam njohuri më tepër se për të tjerët.
Pjetri kishte lindur vitin e Lidhjes së Prizrenit, më 1878. Kishte mbetur jetime shumë i vogël, ashtu si edhe i ati i tij. Babën Zekun ia patën vra për gjak, kurse gjyshi, Tomë Luli, kishte shkuar në Vranin me trimat e Oso Kukës, dhe nuk ishte kthyer më. E rritën Nikë Gjeloshi e Car Kaçelja, duke mos e dalluar nga fëmijët e vet. Jeta e vrazhdë në Malësi, luftërat dhe shpërnguljet e shpeshta, të ndejkur herë nga otomanët e herë nga sllavët, e kishin kalitur Pjetrin, si edhe shumë malësorë të tjerë, për të mos njohur frikën. Sipas një dokumenti të publikuar nga Atë Martin Sirdani te “Ndriçime të historisë, kulturës dhe të artit shqiptar”, Pjetrin e gjejmë në mesin e shumë malësorëve, nënshkruas të një Memorandumi drejtuar Viktor Emanuelit III, për bashkim të trojeve shqiptare. Përndryshe, Pjetri më shumë jetonte si kaçak malesh duke pasur “dyshek tokën e jastëk gurin”, se sa ç’rrinte në kullën e vet. Por natën e 18 shkurtit, ishte në kullë.
Derisa kullën e kishte mbështjellë mjegulla e një mëngjesi të ftohtë shkurti dhe rrethua mitralozat e ushtarëve të Bajo Stankut, në brendinë e saj mbretëronte një qetësi gjumi. Atë qetësi e prishte vetëm kollitja e plakut, i cili kishte ndenjur në cep të shtratit të vet dhe po tymoste një duhan Spie, të dredhur me kujdes. Edhe pse s’kishte pas natë të qetë, as që ia merrte mendja se ky ishte mëngjesi i tij i fundit në kullën e vet. U ngrit ngadalë dhe përmes frëngjisë hodhi shikimin drejt oborrit. Dhe pati çka të shihte. Mori pushkën që përherë e kishte gati, e lëmoi, e shtrëngoi, i mori në thumb xhelatët e vet, por këmbëzën nuk e tërhoqi. E dinte se do mund të vriste, së paku aq sa për të marrë gjakun e vet. Po çka pastaj? Do të përsëriteshin Krishtlindjet e vitit 1919, kur për një xhandar serb, u masakrua Hoti. Prandaj nuk e tërhoqi këmbëzën. E vari pushkën në murë dhe vazhdoi të thithte tymin e fundit. Nëpër mend po i përshkonte fjalët e shokut, bashkëluftëtarit dhe fqinjit të tij, Prëk Gjokut, i cili i kishte thënë se do të ishte mirë të largoheshin nga shtëpitë për do kohë, sa të kalojë flaka e hakmarrjes malazeze, për çka flitej ato ditë. Pjetri nuk e kishte dëgjuar dashamirin, i cili kishte dalë në mal, gjë që edhe i shpëtoi jetën. Ndërkohë kulla filloi të zhurmonte. U zgjuan edhe familjarët e tjerë dhe Pjetrit iu ndërprenë mendimet. Njëra nga nuset doli jashtë për të marrë ujë, por gjakatarët e urdhëruan të kthehej mbrapa dhe të thirr të zotin e shtëpisë. Pastaj doli njëri nga të bijtë, Marku, por edhe atë rojet e kthyen. Kërkonin plakun. Ndërkohë Pjetri ishte bërë gati. Kishte veshur çakçirë e xhamadan, kurse në kokë vendosi çallmën e bardhë rugovase, të cilën e kishte mbajtur gjithë jetën. La kutinë e duhanit në cep të shtratit dhe doli. Me duar mbi kokë, siç i urdhëruan. Gjakatarët kishin kujdes sepse kishin dëgjuar për shkathtësitë e tij, të cilat këtë herë Pjetri nuk do t’i provonte. U dorëzua i qetë. I biri, Rroku i shkoi mbrapa që t’i jepte kutinë e duhanit, por nuk ia mori. I tha se nuk do t’i duhej më. Aty përfundoi biseda e tij me familjarët. Disa minuta më pas, në Grykëzojë u dëgjuan krismat. Spijanët vrapuan andej. I pari Llesh Prelë Gjeloshi. E gjetën të mbështetur për një shkëmb, me xhamadanin e hapur dhe trupin e mbuluar nga gjaku. Por, Pjetri nuk qe i vetëm. Në të njëjtën sofër nderi, atë natë do të ulën edhe shumë malësorë. Së pari patër Zefi. Pastaj edhe të tjerët.
Ishte kjo dita kur Malësia u përgjak, kushedi për të satën herë. Dhe nuk qe e fundit. Gjithë ato sakrifica e shembuj njerëzie, heroizmi e sakrifice, mbeten borxh për ne. Borxh, së paku për t’i përkujtuar. Kurse ne bëmë shumë pak. Besoj se është koha që në këtë drejtim të bëjmë më shumë. Le të shërbej edhe ky shkrim, si diçka më shumë për Ta!
Nikollë Rr. Camaj