Shoqata e gjuetarëve të Malësisë do të protestojnë javën e ardhshme para Parlamentit të Malit të Zi, në qoftë se nuk ju jepet garanci nga institucionet relevante se do ju garantohet gjuetia në kufijtë e Komunës Urbane të Tuzit.
Safet Ferluçkiq, nënkryetar i kësaj shoqate është shprehur për gazetën DAN se është i pakënaqur me vendimet e Ministrisë së Bujqësisë që territori të cilin mund ta shfrytëzojnë për gjueti, fillon nga kufiri me Shqipërinë dhe përfundon te bregu i Lumit Cem.
“Nuk duam që kufijtë e gjuetisë të jetë kufiri natyror i Lumit Cem, kur të gjitha shoqatat kanë fituar të gjithë territorin e komunës, pse ne duhet të jemi rast i veçantë. Do ti presim deri në fund të javës përfaqësuesit e partive politike të cilët na përkrahin, të shohim a ka ndonjë gjë të re për ne, ndonjë lëvizje, dhe në varësi të kësaj do të veprojmë. Në qoftë se do na ndërmjetësojnë të paktën një takim me zyrtarë të lartë rreth problemit tonë, do ishte mirë që dikush të na dëgjoj dhe të na ndihmojë, e në qoftë se kjo do të mungojë do jemi të detyruar të organizojmë protesta para Parlamentit të Malit të Zi. Kjo do të ndodh javën e ardhshme, se pas 7 viteve nuk kemi pse presim më. Duhet të luftojmë për veten tonë” u shpreh Ferluçkiq. /MALESIA.ORG/