Zenka kritikon Qeverinë dhe partitë shqiptare

mehmet-zenkaKryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve Mehmet Zenka ka kritikuar Qeverinë malazeze por edhe partitë shqiptare të cilët i quan të paaftë e “Mjegullshitës”. 

Zenka ka kërkuar nga Qeveria e Malit të Zi të realizojë premtimet duke i ftuar të respektojnë marrëveshjen për Komunën e Tuzit/Malësisë.

“Sa i përket politikës në Mal të Zi, atëherë i drejtohemi qeverisë së Malit të Zi, se kanë kaluar të gjitha afatet dhe ka ardhur koha që të realizohet premtimi dhe marrëveshja në lidhje me komunën e Tuzit ne Malësi. Nuk ka ma vend për improvizime dhe premtime tjera. E drejta për komunë të plotë duhet realizuar në afatin sa më të shkurt kohor”, ka thënë Zenka.

Ai ka kërkuar zgjedhje afatgjate për Shqiptarët në Mal të Zi.

“Nuk mund të hyhet bisedime te mëtejshme me Shqipëtarë pa premtime të realizuara. Qeveria duhet të i kushtojë vëmendje të posaçme problematikës për gjetjen e një zgjedhjeje afat gjate dhe të qëndrueshme për Shqiptarët në Mal të Zi siç janë:  mandatet e garantuara në parlamentin e Malit të Zi, komuna e Tuzit në Malësi, të mirat detare, përfaqësimi proporcional në të gjitha strukturat e shtetit, decentralizimi, etj…”, shprehet Zenka.

Ai gjithashtu ka kërkuar që Qeveria të gjejë zgjedhje për punëtorët e Kripores dhe Otrantit, të cilët presin drejtësinë, ashtu siç janë zgjedhë problemet e punëtorëve  të ndërmarrjeve të tjera në Mal të Zi.

“Populli Shqiptarë i ka hup shpresat në përfaqësuesit e vet në parlamentin e Malit të Zi. Mjegullshitësit edhe në rrafshin politik të Malit të Zi treguan paaftësi elementare. Jo vetëm që i lan shqiptarët pa ministër në Qeverinë e Malit të Zi , por u bën edhe gazi i botës me grindjet  e tyre rreth ndarjes  së mandateve në mes deputetëve shqiptarë.
Presin prej qeverisë së Malit të Zi që ti realizojnë premtimet kundrejt shqiptarëve, ndërsa ne anën tjetër nuk janë në gjendje të mbajnë as besën e dhanë njëri tjetrit. E gjitha kjo politikë mjegullshitëse rezultoi me defaktorizimin e faktorit politik shqiptarë në Mal të Zi ”, ka thënë Zenka.

Ai me këtë rast ftoi subjektet politike shqiptare të ulën bashkë rreth kërkesave politiko-ekonomike të Shqiptarëve.

“Sipas të gjitha  gjasave, Malin e Zi e presin zgjedhjet parlamentare brenda  këtij viti, më së largu ne fillimin e vitit të ardhsëm. Mu për këtë arsye, UDSH ftonë  te gjithë subjektet politike shqiptare të ulen dhe të kordinojnë pikat e tyre programore rreth kërkesave politiko-ekonomike të Shqiptarëve, të cilat pak a shumë janë të njëjta. Dëshirojmë që këto zgjedhje Shqiptarët  ti presin me qëndrime të kordinuara  dhe të kemi një bashkveprim politik cilësorë dhe frytdhënës, e kjo arrihet vetëm me bashkëveprim. Urojmë që kjo ftesë e jona te mos hasë në veshë të shurdhër”, përfundoi Zenka.

Duhet thënë se çështjet të cilat preku kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve Mehmet Zenka janë realitet.
Por, në të njëjtën kohë duhet rikujtuar se deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, kur partia e Zenkës mbeti pa mandat, ishte pikërisht UDSH-ja pjesë e të njëjtës Qeveri të cilën Zenka sot po kritikon për pozitën e shqiptarëve; shkurtimit të mandateve të garantuara, të mirave detare etj.
Ishte pikërisht partia e tij, si parti shqiptare, e cila ishte partneri shumëvjeçar dhe kryesorë i DPS-së.

Zenka fton subjektet shqiptare që para zgjedhjeve të ardhshme të ulën bashkë dhe të koordinojnë kërkesat, por ishte UDSH-ja partia e parë e cila refuzoi bisedimet për një koalicion shqiptarë në zgjedhje e fundit parlamentare.

Ai kritikon Qeverinë për disa çështje të pazgjedhura në Ulqin, por në zgjedhjet e fundit në Ulqin partia e tij refuzoi koalicionin me partitë shqiptare dhe mbeti në opozitë me partnerin e vet DPS-në, me të cilin më herët bashkë-qeverisnin komunën e Ulqinit.

Zenka po ashtu kritikon qeverinë se kanë kaluar të gjitha afatet në lidhje me Komunën e Tuzit/Malësisë , por ishte partia e tij e cila në vend të Komunës së plotë përkrahi Komunën urbane dhe e cila sot bashkëqeveriset në koalicion me DPS-në. /MALESIA.ORG/