Akt diskriminues në Tuz – Reagon diaspora

Shoqatat 9 llogoPara gjuhës dhe flamurit përulemi të gjithë 

Shqiptarët në Diasporë i gëzon fakti i çdo nisme që përmirëson jetën e bashkëkombësve tanë në vendlindje, mirëpo njëkohësisht na shqetëson dhe brengos deri në pafundësi diskriminimi konstant dhe sistematik i të drejtave të bashkëkombësve tanë në vendlindje nga aparati shtetëror malazias dhe politika e tyre sistematike antishqiptare.

Kjo politikë e qeverisë së Milo Gjukanoviqit dhe strukturave shtetërore të DPS-it po rëndojnë dhe kanë bërë të pamundur ekzistencën dhe mbijetesën e popullatës shqiptare në trojet e tyre autoktone nën Mal të Zi.

Është e dhimbshme kur protagonistë dhe implementues të kësaj politike të DPS-it bëhen vëllezërit tanë të një gjaku dhe të një gjuhe. Kuislingë të tillë me veprat e tyre antikombëtare shkelin rëndë në luftën shekullore të bashkëkombësve të tyre për liri dhe barazi. Malësia si trevë dhe truall shqiptar në periudha të ndryshme të historisë ka ditur dhe dinë t’i dalë zot vetvetes dhe këtë do e bëjnë bijtë e saj qofshin në Atdhe apo dhe në mërgim.

Ditëve të fundit dhe pikërisht më datën 3 Mars 2015 në kryeqendrën e Malësisë, në Tuz, u bë inaugurimi i sallës së arsimtarëve pranë shkollës “Mahmut Lekiq” në Tuz, investim ky i një agjensioni turk, ku vlera e investimit në total kap shumën 11.000 (njëmbëdhjetë mijë) Euro. Një investim i tillë me siguri që do të përmirësojë kushtet e mbarëvajtjes së edukimit, mirëpo është e pafalshme se si në një shkollë ku shumica e nxënësve dhe e personelit edukativo-arsimor janë shqiptarë të mos flitet SHQIP.

Është e pafalshme dhe një vepër antikombëtare që pikërisht aty në Tuz, në kryeqendrën e Malësisë, të valoj flamuri i pushtuesve të vjetër e të ri (Turq e Malazez), kurse flamuri dhe gjuha shqipe ishin perjashtuar nga ai objektë.

Dhe ironia ma e madhe kur në këtë ceremoni të hapjes solemne të sallës së arsimtarëve udhëhoqi një shqipfolës me emrin Nikollë Dukaj, drejtori i shkollës së cekur ma lart , i cili me sa duket nga verbëria e të qënurit luajal i DPS-it harroj edhe gjuhën e vet amtare.

Dhe absurdi bëhet edhe ma i madh kur edhe vet personeli i mësimdhënësve të kësaj shkolle në gjuhën shqipe e duartrokiti këtë nëpërkëmbje të gjuhës dhe simboleve tona kombëtare.

Është obligim moral e kombëtar dhe i prindërve të nxënësve që vijojnë mësimin në këtë shkollë, që të reagojnë dhe ta ngrijnë zërin e protestës ndaj atyre që me veprat të tilla të tyre rreshtohen, në rrahën e atyre që historikisht janë dëshmuar si antishqiptarë dhe të tillë do të mbesin prapë.

Shoqatat Shqiptare me veprimtari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – me origjinë nga trojet tona etnike nën Malin e Zi, konsiderojnë se veprime të tilla meritojnë një reagim dhe dënim të ashpër nga opinioni i gjërë, dhe është koha e fundit e vetëdijesimit të atyre që pretendojnë t’iu dhurojnë dije fëmijëve tanë në vendlindje që të punojnë pak edhe në vetëdijesimin e vetvetes së tyre në aspektin kombëtar.

Diaspora Shqiptare e Amerikës me shoqatat dhe potencialin intelektual që posedon nuk do rreshtin së punuari në të mirë të vendlindjes, dhe se njëkohësisht iu bëjmë me dije qeveritarëve, zyrtarëve dhe bashkëpunëtoreve të tyre se hapërimi i Malit te Zi drejt botës demokratike nuk do të mundet të vazhdojë tutje përderisa ky shtet shkel dhe nëpërkëmbë të drejtat e shqiptarëve autoktonë.

Diaspora Shqiptare në SHBA do të punojë deri në instancat më të larta të shtetit ku gravitojmë për të ngritur fuqishëm zërin në të mirë të vendlindjeve tona dhe për të ndaluar politikën diskriminuese të shtetit Malazias.

Shoqata Atdhetare Ana e Malit – Nju Jork, Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe – Detroit ,  Fondacioni Plave-Guci, Nju Jork, ,  Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe – Nju Jork, Fondi humanitar Rapsha – Detroit, Fondacioni Dom Simon – Nju Jork, Shoqata Atdhetare Kraja – Nju Jork, Shoqata Ulqini, Çikago.