Si edhe çdo vit më parë, tash një çerek shekulli, edhe sot, më 6 prill, Lidhja Demokratike-Dega e Malësisë, organizoi shtegtim në Bratilën Legjendare. Së bashku me një numër të konsiderueshëm te aktvistëve të LD-së, nga Malësia dhe Plavë-Gucia, ishte edhe një pjesë e kreut të Alternativës Shqiptare, si edhe qytetarë të tjerë. Është ky një shtegtim, të cilin LD e organizon vite me radhë, për nder të flamurit dhe sakrificave të bëra për të. Për nder të kësaj dite mund të organizohen përmbajtje të ndryshme programore, festive e përkujtimore, shkencore e artistike, por nëse nuk shkohet në vendin ku u derdh gjaku i trimave malësorë dhe në kullën ku u rrit udhëheqësi i Kryengritjes, duket sikur mbetet diçka mangut. Vendi ku u ngrit flamuri ynë kombëtarë, për herë të parë pas vdekjes së kryetrimit shqiptar, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, është vend i shenjtë për çdo shqiptar. Vendi ku u vendos njëri ndër gurët e parë themeltar të shtetit shqiptar, i cili do të shpallet më se një vit pas Kryengritjes së Malësisë, meriton dhe duhet të vizitohet, së paku në këtë ditë, kur shënojmë përvjetorin e Kryengritjes së Malësisë.
Përtvejtori i sivjetëm (104 Vjetori), i Kryengritjes së Malësisë përkon me 100 vjetorin e vrasjes së prijësit dhe strategut të kësaj Kryengritje, Ded Gjon Lulit, i cili pabesisht u vra, nga hilet serbo-malazeze, në Orosh të Mirditës, më 24 shtator 1915, e që padyshim paraqet një humbje të madhe për rrjellat politike të mëvonshme në Malësi. Prandaj sot në Bratilë u fol edhe për humbjet e tjera dhe për sakrificat e shumta që malësorët i bënë në të kaluarën, duke na lënë trashëgimi dinjitetin dhe krenarinë kombëtare.
Me këtë rast në Bratilë, përmes fjalës së kryetarit të Degës së LD, z. Nikollë Camaj, u përkujtuan edhe shumë raste të tjera, qofshin ato që i paraprinë Bratilës, siç ishte Lufta e Lemajës, ku trieshjanët trima muarën kaushën e parë turke, si ato që pasuan, deri te “Fluturimii Shqiponjës” i viti 2006. U përkujtuan nismëtarët e Kryengritjes, në Rapshë e Qepur, dhe mbrojtësit e fundit, në Gropë-Ugël, kur Kryengritja u shua me gjak, kyçur këtu edhe sakrificat mbinjerëzore, që kojasit bënë për nder të flamurit. Pastaj viktimat e terrorit serbo-malazez në Hot, me 1919, kur në një ditë u vranë 74 hotjanë, e të nesermen u burgosën edhe 60 të tjerë, nga të cilët vetëm më pak se 20 kishin shpëtuar. Nuk duhet harruar as krimet sllavo-komuniste të shkurtit të vitit 1945, si edhe shumë të tjera gjatë gjithë kohës së regjimin komunist, që në kontinuitet u bënë në Malësi.
Pika tjetër për të vizituar ishte Shtëpia muze e Ded Gjo’ Lulit, ku përpos se u fol për vendin dhe rëndësinë që ka ky objekt, për të ruajtur lidhjen tonë me të kaluarën, spikati mirënjohja për ata bamirës të cilët financuan ndëritmin e kësaj Shtëpie, mbi gërmallat e kullës së Dedës.
Grupi vizitoi edhe Muzeun Etnografik në Lekaj, si të vetmin objekt ku ruhen vlerat tona etno-kulturore. Aty të parinshëmve u drejtua aktivisti i LD-së, z. Zef Gjokaj, i cili u foli për rëndësinë e këtij objekti dhe për kontributin që pronari i tij ka dhënë për rujatjen e eksponateve që përmban muezu brenda.
Në mbrëmje, aktivistët e Lidhjes Demokratike iu bashkëngjiten aktivitetit të “Shoqatës Ded Gjon Luli” nga Hoti, të përkrahur nga KKSH dhe diaspora, organizuar për nder të 6 Prillit, në lokalet e restorantit “Troja”.
Shërbimi informativ i LD Bratilë, 06. 04. 2015