Halim Kosova uron Veliajn për fitoren

Halim-Kosova-dhe-Erjon-Veli-473x2301Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova ka bërë këtë të martë deklaratën e parë pas numërimit të pjesës dërrmuese të votave, që i japin fitoren e padiskutueshme rivalit të tij, Erjon Veliaj.

Në fjalën e tij, doktor Kosova ka falenderuar stafin e fushatës për mbështetjen, ndërsa nuk ka ngurruar të urojë kandidatin fitues.

“Jam këtu për të shprehur falenderimet më të përzemërta për qytetarët, pa dallim partiak. Sidomos, ata që votuan për platformën time. Të dashur bashkëqytetarë, kjo do të mbetet një prej përvojave më të çmuara të jetës sime. Unë zgjodha kontaktin me qytetarin dhe jo fushatën e luksit në ekran. Numërimi vazhdon, por fitues i kësaj gare rezulton Erion Veliaj, të cilin e uroj dhe shpresoj se do t’i mbajë premtimet e nuk do t’i zhgënjejë qytetarët e Tiranës”, ka thënë Kosova.

Ai ka falenderuar ekipin e tij të fushatës, “që punoi me përkushtim”, ndërsa ka ftuar numëruesit e opozitës që të vijojnë punën me kujdes, pasi procesi i numërimit vazhdon me kandidatët e këshillit bashkiak.

Më tej, ai u ka premtuar qytetarëve të Tiranës, se angazhimi i tij në shërbim të interesave të tyre do të vazhdojë.

—————————————————————-

Rama: Zgjedhjet e 21 qershorit, më të ndershmet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se zgjedhjet vendore të 21 qershorit kanë qenë më të ndershmet, më të lirat dhe më të mirat në historinë e vendit.

“Unë personalisht nuk kam dyshuar asnjë ditë për mbështetjen e reformave tona nga qytetarët, por 21 qershori është një shtysë për të thelluar reformat dhe masat që i shoqërojnë ato me vendosmërinë më të madhe”, ka thënë Rama, raportojnë mediat në Tiranë.

Në këto zgjedhje është zbatuar reforma e re territoriale që ka ndarë 12 qarqet e vendit në 61 njësi vendore ose bashki.

Rama u ka kërkuar numëruesve që të vazhdojnë procesin sipas ligjit, duke numëruar drejt çdo votë të shqiptarëve.

Tashmë është bërë e qartë se Partia Socialiste ka fituar shumicën e bashkive.

Erion Veliaj i PS-së ka shpallur sot fitoren në Tiranë.

——————————————————————

Zgjedhjet Lokale në Shqipëri – Mbyllet numërimi në 11 bashki, të gjitha i fiton e Majta

 

zgjedhjet lokale shqiperi 2015

E Djathta shqiptare pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, duket do të pësojë edhe më keq, bazuar në rezultatet e para të zgjedhjeve vendore që u zhvilluan dje. Në 11 bashki të vendit ka përfunduar numërimi kutive të votimit dhe në të gjitha këto bashki kanë dalë fitues kandidatët e koalicionit të majtë.

Himarë

Së fundmi ka përfunduar numërimi në Himarë ku ka dalë fitues kandidati i ASHE-së, Jorgo Goro. Goro ka marrë 4747 vota, ndërsa ndjekësi më i afërt i tij Fredi Beleri ka marrë 2335 vota.

“Ishte zgjedhja e qytetarëve, na votuan ne. Ftoj opozitën të bashkëpunojmë për të mirën e himarjotëve”, tha Goro pas përfundimit të procesit të votimit.

Ndërsa kundërshtari i tij, Fredi Beleri u shpreh “Zgjedhjet nuk i prisja në këtë mënyrë, urime Goros”.

Mirditë

Po ashtu procesi i numërimit ka përfunduar edhe në Mirditë ku ka dalë ftues Ndrec Dedaj kandidat i ASHE-së me 55.37%, ndërsa kandidati i APPD, Gjergj Prenga 44.63%.

Libohove

Së fundi ka përfunduar numërimi i votave për bashkinë Libohovë, ku ka fituar ASHE me 53.65%.

Kandidatja e koalicionit të majtë, Luiza Mandi ka kryesuar 53.65%, ndërsa Altin Çomo i APPD-së me 46.35%.

Kolonje

Po ashtu procesi i numërimit ka përfunduar edhe në Kolonjë. Ka kryesuar kandidati i ASHE-së Arben Malo me 4997 vota,, ndërsa Viktor Duro, kandidat i APPD-së, 4076 vota.

Mbyllet procesi i numërimit në 7 bashki, fitues kandidatët e koalicionit të majtë

Kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane kanë arritur të fitojnë në 7 bashkitë e para ku ka përfunduar procesi i numërimit.

Në 4 vitet e ardhshme bashkia e Hasit, Skraparit, Pustecit, Delvinës, Peqinit, Fushë Arrzit dhe Pukës do të drejtohen nga kryetarë të koalicionit të majtë.

Rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm u mbyll procesi i votimit në Bashkinë e Hasit, ku Adem Lala i koalicionit të majtë arriti të fitojë me 4884 vota ose 52.98%, ndërsa kandidati i APPD, Elez Maçi arriti të merrte 4245 vota ose 46.05%. Në garë për këtë bashki ishte edhe kandidati i PSD, Gëzim Ukperaj, i cili mori vetëm 0.97% të votave.

Procesi i numërimi është mbyllur edhe në Skrapar, ku fitues ka rezultuar Nesim Spahiu, i cili mori 84.43%, ndërsa rivali i tij Hajredin Bakjasi 15.57% të votave.

Ndërkohë edhe në Delvinë përfundoi procesi i numërimit dhe Rigels Balili, kandidat i ASHE, tashmë është kryetari i ri i kësaj bashkie, pasi ka marrë 72.8% të votave, ndërsa kandidati i APPD, Dhurim Alinani ka marrë 27.2% të votave. Edhe Bashkia e Peqinit është fituar nga një kandidati i majtë, Saimir Hasalla, i cili arriti të merrte 9020 vota, ndërsa Albert Kreçi kandidati i APPD mori 4284 vota.

Po ashtu edhe bashkia e Fushë Arrzit dhe e Pukës është fituar nga kandidatët e ASHE, por me një diferencë të vogël. Në Pukë Gjon Gjonaj arriti të fitonte me një diferencë vetëm me 97 vota, ndërsa në Fushë Arrëz diferenca ishte vetëm me 66. /Express/MALESIA.ORG/

Furra Tahiri