DPS – Forca nënshkruajnë aneksin e marrëveshjes

djukanovic cunguKryetari i DPS-së Milo Djukanovic dhe kryetari i Forcës së Re Demokratike Nazif Cungu kanë nënshkruar dje në Podgoricë Aneksin e dytë të Marrëveshjes për koalicionin pas-zgjedhor të bashkëpunimit në mes DPS-së dhe Forcës.

Ky nënshkrim i aneksit të marrëveshjes për koalicionin pas-zgjedhor i cili vjen gati 3 vjet pas zgjedhjeve parlamentare ku Forca i dha mbështetje qeverisë së DPS-së, parasheh përcaktimin e dinamikës së operacionalizimit dhe konkretizimit të çështjeve të dakorduara pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Kjo marrëveshje parasheh edhe përgatitjen e të gjitha akteve ligjore për Komunën e Malësisë-Tuz dhe dorëzimin e tyre në Kuvendin e Malit të Zi për miratim. Sipas marrëveshjes, kjo duhet të ndodhë jo më larg se në nëntor të vitit 2015.

Marrëveshja po ashtu parasheh zgjedhjen e çështjes së Ullishtës së Valdanosit në Ulqin, çështja Të mirat detare, përgatitja e programeve zhvillimore për Ulqin, Malësi-Tuz, Tivar, Rozhajë, Plavë e Guci si dhe çështje tjera të cilat edhe më herët janë premtuar por që nuk janë realizuar.

A do të mbesin vetëm në letër, apo do të realizohet diçka nga këto, do të dihet në muajt në vijim, por nga praktika DPS-ja premtimet i ka përdorë për forcimin e pozitave të veta.

Aneksin e marrëveshjes mund ta lexoni këtu: DPS FORCA

/MALESIA.ORG/