Iniciativë për platformën e përbashkët të partive shqiptare

subjekte-politike-shqiptare-ne-mal-te-ziKëshilli qendror i Partisë demokratike të Fatmir Gjekës ka miratuar të martën mbrëma iniciativën për platformën e bashkëpunimit të partive shqiptare.

Kjo iniciativë erdhi si përgjigje në situatën politike në vend, integrimet evropiane dhe euroatlantike, si dhe zgjedhjet parlamentare që pritet të zhvillohen pranverën e vitit të ardhshëm, mëson portali Ul-info.

Ftesa për një platformë të bashkëpunimit do t’i dërgohet të gjitha partive shqiptare, ndërsa mbledhja e parë do të mbahet të martën, më 17 nëntor.

Lexoni deklaratën e plotë të PD-së:

Partia Demokratike mbajti të martën mbrëma mbledhjen e Këshillit Qendror, në përbërje të zgjeruar, në të cilën u diskutua për disa çështje, si nisma për hartimin e platformës së përbashkët të veprimit politik të subjekteve politike shqiptare, situata aktuale politike-ekonomike në Komunën e Ulqinit, përgatitjet për Kuvendin e Dytë Zgjedhor etj.

Këshilli Qendror miratoi njëzëri nismën për organizimin e tryezës së rrumbullakët të subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi për hartimin e platformës së përbashkët të veprimit politik, duke iu bërë ftesë të gjitha subjekteve shqiptare për të marrë pjesë në tryezën që do të mbahet në Ulqin, më 17 nëntor 2015.

Nisma për organizimin e kësaj tryeze rrjedh për shkak se jemi dëshmitarë se që nga fillet e pluralizmit, subjektet politike shqiptare në Mal të Zi i ka ndjekur dhe po i ndjek sindromi i ndasive dhe i përçarjes, gjë që është shumë brengosëse.

Në këtë takim, të gjithë së bashku do të hartojmë platformën e përbashkët të veprimit politik, me të cilën do të dilnim para Qeverisë dhe strukturave shtetërore të Malit te Zi, por edhe para përfaqësive diplomatike. Në të do të harmonizojmë qëndrimet dhe kërkesat tona, të cilat do të jenë unike e ne do të flisnim me një zë.

Kjo veprimtari do të jetë vetëm fillimi, duke u pasuar në të ardhmen nga veprimtari të tjera të përbashkëta. Ajo duhet të na shërbejë si përçues i mesazheve të përbashkëta për të cilat ne shqiptarët në Mal të Zi, në shoqërinë e sotme kemi nevojë më shumë se kurrë. Ne jemi të obliguar që të mendojmë për gjeneratat që vijnë pas nesh, duhet t’u lëmë atyre një trashëgimi të shëndoshë dhe një vizion të pastër politik. Qëllimi ynë është të avancojmë vlerat tona kombëtare e këtë mund ta bëjmë vetëm nëse jemi, veprojmë dhe punojmë bashkë.

Gjetja e gjuhës së përbashkët dhe nënshkrimi i këtij dokumenti nga përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike shqiptare do të shërbente si nxitje dhe katalizator për vazhdimin e çështjeve të tjera të guximshme e të domosdoshme në të gjitha fushat me interes për shqiptarët në vatrat e tyre stërgjyshore në Mal të Zi.

Mendojmë që në këtë takim të ngrejmë një grup pune, të përbërë nga anëtarët e të gjitha subjekteve politike, i cili do të hartonte Projekt-Platformën për harmonizimin e qëndrimeve dhe avancimin e bashkëpunimit të subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi.

Lidhur me situatën politike-ekonomike në qeverisjen lokale në Ulqin, Këshilli Qendror mbështet hapat e ndërmarrë nga Komuna e Ulqinit për daljen nga kriza, duke pasur parasysh faktin se ajo ka qenë e bllokuar për një periudhë të gjatë për shkak të humbjeve të proceseve gjyqësore, vlera e të cilave është rreth 3 milionë euro, duke ndikuar negativisht në funksionimin e pushtetit. Këshilli Qendror përkrah Planin e sanimit, i cili parashikon marrjen e kredisë me vlerë prej 5.5 milionë euro, që do të shërbente për pagesën e borxheve të punëtorëve të Komunës dhe ndërmarrjeve publike, si dhe programin social për punonjësit që kanë shprehur dëshirën të largohen nga puna. Këshilli Qendror njëkohësisht përshëndet mendimin pozitiv të Ministrisë së Financave për Planin e sanimit dhe garancinë e Qeverisë së Malit të Zi për kredinë. Këshilli Qendror përkrah fillimin e realizimit të projekteve me Bankën KFW për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe kanalizimit dhe vendimin për kredinë për investime me Bankën Evropiane për investime.

Këshilli Qendror ka sjellë vendim duke autorizuar Kryesinë e Partisë që të bisedojë me partnerët e koalicionit në nivel të Komunës së Ulqinit për të gjitha problemet eventuale në tryezë e jo nëpërmjet mediave.

Këshilli Qendror ka vendosur po ashtu shtyrjen e mbajtjes së Kuvendit zgjedhor të PD-së pas zgjedhjeve parlamentare.

Në fund, Partia Demokratike mbështet Malin e Zi për anëtarësim në BE dhe NATO, pasi që e çmon se kjo është në interesin gjeopolitik dhe strategjik të shqiptarëve jo vetëm në Mal të Zi, por të të gjithë shqiptarëve dhe vendeve ku ata jetojnë.

/MALESIA.ORG/