Vetëm 50.2 përqind e qytetarëve të Malit të Zi janë pro NATO-s

natoflagsQytetarët e Malit të Zi kanë gjithnjë e më pak besim në institucionet e sistemit, si dhe në partitë politike, tregojnë rezultatet e sondazhit të Qendrës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (CEDEM).

Anëtarësimin e Malit të Zi në NATO e mbështesin vetëm 50.2 përqind e të anketuarve, ndërsa 49.8 përqind janë kundër.

Sipas sondazhit të zhvilluar nga 30 tetori deri më 7 nëntor, të gjitha institucionet që janë përfshirë kanë shënuar rënie të besimit në krahasim me hulumtimin e kryer në korrik. Sistemi i arsimit gëzon mbështetjen e 55 përqind të qytetarëve, Kisha Ortodokse Serbe 48.4 përqind, ndërsa besimi në sektorin e OJQ-ve është 48.3 përqind.

Nga CEDEM theksojnë se është shënuar rënia e besimit tek partitë politike. Hulumtimi tregoi se Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) e mbështesin 45.1 përqind, DEMOS 10.2 përqind, Partinë Socialiste Popullore (SNP) 9.1 përqind, Frontin Demokratik 8.7 përqind, Partinë Socialdemokratike (SDP) 4.6 përqind dhe Partinë Boshnjake 3.3 përqind të qytetarëve. 

“Në krahasim me sondazhin e korrikut, rritje të mbështetjes kanë shënuar Fronti Demokratik dhe SNP, që mund të lidhet me pjesëmarrjen e tyre në protesta”, ka thënë Nenad Koprivica nga CEDEM. 

Rezultatet e sondazhit bazohen në 1.033 të anketuar, në 16 komuna. /MALESIA.ORG/