DPS-ja e Milo Djukanovic do të behët pjesë e qeverisjes së Ulqinit kah fundi i nëntorit, shkruan gazeta Pobjeda.
Kryetari i Këshillit komunal të DPS-së së Ulqinit Loro Nrekiq deklaroi se partia e tij me siguri do të hyjë në pushtetin lokal në Ulqin. Mirëpo, ai nuk mundi të precizojë kush do të jetë partneri i koalicionit sepse negociatat po vijojnë akoma.
“Pres që deri në fund të nëntorit ose jo më vonë se në fillim të dhjetorit rikompozimin e skenës politike ku DPS-ja do të bëhet pjesë e pushtetit dhe do të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e Ulqinit”, tha ai duke hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale.
Sipas burimeve të Pobjedës, qeveria e re e Ulqinit sipas gjitha gjasave do të përbëhet nga DPS-ja, Forca dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Jashtë do të mbesin Aksioni i Bashkuar Reformist, gjegjësisht këshilltari Dritan Abazoviq, ndërsa ende nuk dihet statusi i ardhshëm i kryetarit aktual të Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjekës dhe koalicionit të tij.
Sipas burimeve të kësaj gazete, Kryetari i Komunës së Ulqinit disa ditët e fundit kishte kontakte me DPS-në në Podgoricë, me kërkesë që edhe ai dhe koalicioni i tij të jenë pjesë e qeverisjes së ardhshme.
Nënkryetari i Forcës së Re Demokratike Genci Nimanbegu para disa ditësh kishte deklaruar se deri në fund të këtij muaji mund të niset iniciativa për votëbesimin e kryetarit të komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka.
Mosmarrëveshjet në mes partnerëve kryesorë të qeverisjes në Ulqin, Forcës dhe Partisë Demokratike, janë shtuar gjatë muajve të fundit.
A do ta marrin partia e Djukanovic-it pushtetin në Ulqin, varet nga këto dy parti shqiptare! /MALESIA.ORG/