Dita e Flamurit bën bashkë shqiptarët por jo politikën, Si çdo vit opozita dhe maxhoranca kanë festuar të ndarë. Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama ishin në Vlorë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit.
Nga ana tjetër opozita zhvilloi homazhe dhe përcolli mesazhin e saj nga Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Kryetari i Parlamentit Ilir Meta vijon vizitën zyrtare në Itali.
Në orën 10:00 në “Sheshin e Flamurit” u krye ceremonia zyrtare e ngritjes së “Flamurit Kombetar” por kësaj ceremonie, si çdo vit nuk iu bashkua opozita.
Personalitete të larta të shtetit ishin në këtë ceremoni, ku mungoi opozita.
Të pranishëm ishte:Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leska, kryeministri Edi Rama, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, dhe kryetari i qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj.
Pas ngritjes së flamurit,u vendosën kurora me lule në emër të kombit shqiptar tek varri i Ismail Qemalit.
Festimet e opozitës
Në orën 10:00, Opozita, e cila feston më 28 Nëntor Pavarësinë edhe Ditën e Çlirimit, zhvilloi homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
Kryetari i Opozitës Lulzim Basha shfrytëzoi urimin për ditën e Pavarësisë për të sulmuar qeverinë por dhe për të bërë thirrje për tu ngritur për largimin e saj. “Kjo liri e paplotë nga tirania e varfërisë”
Një orë më pas, homazhet do të zhvendosen në bustin e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, ndërsa në orën 16:30, opozita do të përkujtojë Ditën e Pavarësisë, duke vendosur kurora me lule në bustin e Ismail Qemalit në kryeqytet.
Festimet ne Tirane
Edhe në Tiranë në Sheshin “Skënderbej” në orën 11:00 u zhvillua ceremonia simbolike e ngritjes së Flamurit. Në ceremoninë e organizuar nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj morëm pjesë dhe krerët e komuniteteve fetare.
Në këtë ditë të rëndësishme historike, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përcolli mesazhe për bashkim, për të harruar mllefet dhe ndasitë politike.
Erion Veliaj: “Jam shumë krenar që jemi sot bashkë sepse 28 Nëntori është mesazhi i bashkimit. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, bëjmë gjëra të mrekullueshme, gjëra që veç e veç janë absolutisht të pamundura. Ndaj sot, le t’i harrojmë të gjitha ndasitë, të harrojmë mllefet, kundërshtitë dhe debatet me njëri-tjetrin”
Edhe pse një ditë me shi, të vegjlit i gëzuan më tepër “spektaklit me tollumbace”.
Të pranishëm në ceremoni ishin përfaqësues të komuniteteve fetare, këshilltarë të majtë të bashkisë dhe qytetarë.