Partitë shqiptare kanë paraqitur iniciativën për ndryshimin e Ligjit Zgjedhor

partite shqiptareSinishtaj: Kërkojmë të respektohet Kushtetuta

Funksionari i Iniciativës Qytetare Vasel Sinishtaj, në emër të partive politike shqiptare në Mal të Zi ka dorëzuar iniciativën për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, e cila do të siguronte katër vende në parlamentin e Malit të Zi për partitë shqiptare.

Sinishtaj, iniciativën në emër të partive shqiptare e ka dorëzuar të enjten në Parlament, Qeveri dhe Presidencë.

Iniciativa është nënshkruar nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Forca e Re Demokratike, Partia e Prosperitetit Demokratik, Iniciativa Qytetare – Tuz, Alternativa Shqiptare, Partia Demokratike dhe Lëvizja Perspektiva.

“Me Kushtetutën e Malit të Zi garantohet veprimi afirmativ dhe përfaqësimi autentik. Megjithatë, ligji i ri për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve diskriminon shqiptarët, sepse sipas tij mund të fitojmë deri në tre mandate. Duke pasur parasysh se Kushtetuta parashikon përfaqësim proporcional, atëherë kjo do të thotë se shqiptarëve iu takojnë katër mandate, pasi shqiptarët janë pesë për qind e popullsisë totale në Mal të Zi , tha Sinishtaj për gazetën Pobjeda.

Sinishtaj rikujton se Iniciativës qytetare kroate, me 1,200 vota i është mundësuar një mandat, kurse për dy mandatet shqiptare në parlamentin malazez, në zgjedhjet e fundit ishin të nevojshme nga 6,200 vota për mandat, gjegjësisht 12,400 vota për dy mandate. Ai theksoi se nuk është kundër veprimit afirmativ ndaj kroatëve, boshnjakëve, apo cilës do pakicë tjetër në Mal të Zi, por kërkojmë të njëjtën të drejtë edhe për ne. Dhe kjo është arsyeja pse kemi ngritur këtë iniciativë”, tha Sinishtaj. /MALESIA.ORG/