(Letër e hapur kryetarit të Këshillit Kombëtar Genci Nimanbegu)
I nderuari z. Nimanbegu!
Jepni dorëheqje, sepse nuk e keni mbajtur fjalën e dhënë me rastin e marrjes së detyrës së Kryetarit, kur keni pohuar se do ta mbani fanellën e kombëtares;
Dorëheqjen, sepse keni dështuar në konstituimin e organeve të Këshillit (konstituimin e Kryesisë dhe harmonizimin e Rregullores së punës me Statutin një vit pas ndërrimit të tij);
Jepni dorëheqje, sepse nuk keni arritur që Këshillin ta menaxhoni në planin financiar (50% e buxhetit shpenzohet në rrogat e dy të punësuarve, kurse 50% tjera për të gjitha aktivitetet e këtij institucioni, çka është absurde);
Dorëheqjen Kryetar, sepse raportin e punës dhe raportin financiar për vitin 2014 e keni dhënë në dhjetor të vitit 2015, kur është dashtë të debatohet për Planin e punës për vitin 2016 dhe të raportohet Puna dhe Plani financiar i këtij viti;
Jepni dorëheqje, sepse nga neglizhenca Juaj një vit keni zvarritur aktivitetet në transformimin e të përjavshmes Koha Javore;
Dorëheqjen, sepse tërë procesi rreth zgjedhjes së Këshillit Programor prej shpalljes së konkursit e përfshirë ditën e zgjedhjes ka qenë skandaloz;
Jepni dorëheqje sepse keni ra pre e “Paktit Tri Palësh” në të gjitha vendimet rreth zgjedhjeve dhe emërimeve në Këshill, dhe rreth çdo çështje tjetër të rëndësishme që ka të bëjë me KKSH-në;
Dorëheqjen, sepse në vend që angazhimin kryesor ta fokusoni në përmirësimin e statusit të shqiptarëve (përmirësimi i legjislacionit në fusha të ndryshme) jeni angazhuar në çështje periferike (regjistrime, vrapime dhe manifestime);
Jepni dorëheqjen, sepse vetëm kështu do të hapni rrugë që të lirohet ky institucion nga ndikimet e ngushta partiake dhe klanore dhe të jetë në kuptimin e plot të fjalës Këshill Kombëtar çka është edhe synimi i shqiptarëve në Mal të Zi;
Dorëheqjen nga kryetari i KKSH-së, ose edhe publikisht distancojuni nga “Pakti Tri Palësh”sepse edhe ju do të jeni viktimë, kur atyre tu vinë rasti!
Musa Ram Gjoka
anëtar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi
p.s. Pezullojë pjesëmarrjen në të gjitha aktivitetet e Këshillit deri në momentin e ndryshimeve rrënjësore dhe apelojë në anëtarët që nuk i përkasin “Paktit Tri Palësh” ta bëjnë të njëjtën.