Qazim Doda, në emër të familjes Pjetar Zekaj, pinjoll i të cilës ishte Zef Camaj, po te nisi ketë reagim lidhur me shkrimin tënd. Je i lutur që ta botosh si reagim, pa e përpunuar, pranë tekstit tënd, përndryshe do ta botojmë në portale tjera.
Reagim në shkrimin denigrues të Qazim Dodës, me titull “Rrok Nikçi ishte kelmendasi që vlente më shumë se qeveritë e dy shteteve tona”, botuar në www.albanianamericanvision.com/archives/714 , ku pa bazë dhe pa kohë, autori fyen një person, familjar tonin, të ndierin Zef Camaj, të cilin, edhe ai vet, e mban për më të mençurin e diasporës, pas Konicës e Nolit.
Thonë se njeriu është i madh aq sa është, dhe çdo tentativë për ta rritur duke i përulur të tjerët, vetëm i ulë vlerën e madhështinë.
Kështu edhe Rrok Nikçi, si i portretizuari i këtij shkrimi, padyshim se duhet të jetë njeri i vlerave. Ne nuk e njohim sa duhet, prandaj nuk marrim guxim të themi tjetër, por përfolja e Zef Camaj, sot, 14 vite pasi që ndërroi jetë, në tekstin ku flitet për të, jo vetëm se është e pamoralshme, por i zben figurën edhe vet Rrokut.
Ne po lëmë Rrokun e Zefin të prehen në paq, por s’po mundemi pa i bërë një selam autorit të tekstit, i cili pas shumë shpifjeve dhe fyerjeve të Zefit, kur ai nuk mund të përgjigjet, e quan atë Konicë e Nol. Themi se me të drejtë e quan kështu! Po aq me të drejtë për këtë, sa është i padrejtë për të tjerat.
Në Malësi nuk kanë thanë kot: s’ka rëndësi çka thotë dikush, por kush është ai dikush. E ai dikush, në këtë rast del se është një askush! Sepse vet autori ka problem me biografinë e vet, dhe mendon se duke i ndy të tjerët, do të shpëtojë veten. Por jo! Sepse ka sish që i njohin biografinë e tij. E nëse i kemi parasysh biografinë, ai më dëm bën kur të lavdëron, se sa kur të shan. Biografia e tij enigmatike, nga koha e luftës së Kosovës, për dikë nuk është fare enigmatik, sepse kanë mbetur dosjet në Tiranë e Beograd.
Zef Camaj sipas autorit e kishte pas lëshuar rrugën e gabuar para vdekjes. Dashtë Zoti që edhe Qazimi ta ketë lënë, ndonëse me këto lloj shkrimesh duket se akoma jo. Ka mundësi që ajo sëmundja nga koha e Luftës, akoma e mban.
Dihet se gjithkush mbanë mëkatet e veta, në këtë jetë dhe në atë jetë, dhe vlerësoj se Qazimi ka trup tepër të vogël për t’i mbajtur të gjitha mëkatet e veta. Të fyej gratë malësore, nënat e motrat tona, se paskan lindur fëmijët e millanave, e vlerësojmë si kulmin e çmendurisë dhe panjerëzisë dhe prodhim të ndonjë pjelle të millanave.
Për hir të opinionit dhe miqve të Zefit, ne familjarët e tij, jemi të detyruar të themi atë që e dinë të gjithë ata që deshën ta dinë të vërtetën, e nuk ranë në kurthet e shërbimeve sekrete, të infiltruara e të maskuara mirë, për fat të keq, edhe në disa qarqe që e mbanin veten për patriotike. Zefi, emigroi në vitin 1981, pasi që shërbimet sekrete sllave u kishin rënë në gjurma veprimeve të tija në mbështetje të aktiviteteve atdhetare shqiptare në ish-jugosllavi. Arratiset nga Dubrovniku ditën që e kishte lënë për t’u lajmëruar organeve hetimore të RTVMZ, ku Zefi punonte, e ku kishte lënë gjurmë me tekstet e veta, në mbrojtje të këshillit për arsim shqip. Kështu, derisa ata e pritnin, ai kaloi detin dhe arriti në Itali. Prej aty arrin në Francë, ku shërbimet i bien në gjurmë dhe i nisin disa malësorë që, në pabesi, ta kapnin, por vigjilent siç ishte, e hetoi rrezikun dhe shtëpinë e nikoqirit e lëshoi duke ikur nga dritarja, e duke i lënë këpucët peng, dhe kaloi në Belgjikë. Aty e priti, e strehoi, e mbrojti dhe e përcolli për në SHBA një i afërm i Rrok Nikçit, Prelë Kola, i cili në disa raste ka publikuar shkrime për këtë takim dhe për mbresat që i kishte lënë Zef Camaj. Ne si familjarë e falënderojmë thellësisht!
Natyrisht edhe në Amerikë vazhdojnë kërcënime dhe shantazhet e UDB-së, shpesh duke e shfrytëzuar edhe naivitetin e ndonjë atdhetari, por gjithsesi duke i vënë në shërbim të gjitha forcat e veta, të cilat siç shihet nuk pushojnë as sot. Atje e patën halë në sy edhe enveristët, njëlloj si edhe titistët, sepse ai u angazhua me te gjitha forcat e veta për të rrëzuar komunizmin, sepse ai vet e kishte përjetuar dëmin që po i sillte popullit shqiptar. Megjithatë, në shënjestër të veprimtarisë së tij politike, e sidomos publicistike, mbeti lufta për shpartallimin e Jugosllavisë dhe pavarësimin e Kosovës. Kësaj Zefi i shërbeu deri në frymën e fundit.
Të tjerat mbi Zefin, e edhe të qazimave ia lëmë kohës, por nuk mundëm pa reaguar në shpifjet e pafytyrësitë që kaplojnë një tekst me të cilin donte të rriste një person tjetër, me siguri të madh. Besojmë se nga shkrimi i këtillë edhe Ai i “rrituri” sillet mbrapsht në varr.
Të vdesim duhet të gjithë, por qazimi me këtë postim ka vdekur për së gjalli. Pushoftë në paq!
Familja e gjere e Zef Camaj
Meqenëse personi ne fjale nuk iu pergjegje kërkesës sonë per ta publikuar reagimin ne portalin e tij, aty ku publikoi tekstin e vet, ne u detyruam ta percjellim ne portale tjera.