Tomë Gjokaj – Shtyllë e veprimtarisë patriotike në diasporë

In memoriam – Me rastin e 25 vjetorit të shuarjes së jetës së Tomë Gjokaj

Nikollë Camaj 

TOMË GJOKAJ-SHTYLLË E VEPRIMTARISË PATRIOTIKE NË DIASPORË

Kaloi një çerek shekulli që kur iku nga kjo botë një veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare. Iku veprimtari, por edhe miku e dashamiri i të gjithë atyre që punuan për çështjen kombëtare, pa dallim krahine, partie, apo përkatësie konfesioni. I priti e i përcolli, u siguroi takime e pjesëmarrje në tryeza e manifestime të ndryshme, të gjithë atyre, përfaqësuesve shqiptarë, të cilët i drejtoheshin tempullit të demokracisë botërore në Uashington. E gjithë kjo kërkonte shumë sakrifica, kohë e shpenzime, të cilat Toma kurrë nuk i kurseu.  

Si e njoha unë Tomën Gjokaj?

Ishte viti 1986 kur për herë të parë shkela në (për ne malësorët) tokën e premtuar. Si dje kujtoj darkën e parë në restorantin italian “Salerno”, në Richmond Hills, në Queens, ku shkuam së bashku me Zef Camaj. Aty, me një paraqitje prej aristokrati, na priste Toma dhe miku i tij Mark Lulgjuraj (tani që të tre, në përjetësi). Shumë shpejt kaluam në biseda “të nxehta” lidhur me statusin e shqiptarëve në Ballkan, natyrisht duke iu referuar edhe përvojës së vet Tomës, i cili kishte braktisur Malësinë në vitin 1971, por edhe atë të Zefit, i migruar dhjetë pas Tomës. Në kujtesën time, deri më sot, mbeti po ai, i njëjti i asaj nate, aristokrat në paraqitje, kurse i dedikuar çështjes kombëtare deri në frymën e fundit.

Një historik i shkurtër për të kaluarën e Tomës.

Toma iku nga vendlindja fare i ri, posa kishte filluar të punonte si mësues, në Rafshin e Dukagjinit, në Kosovë. Që i ri i hetoi hilet e pushtetit serb, dhe gatishmërinë që kishte ky pushtet për të shuar çdo zë që veçohej për të mirën e shqiptarëve. I edukuar siç ishte, ai zërin e rezistencës e kishte trashëguar dhe marr me vet nga familja, prandaj, duke hetuar përndjekjet e bastisjet e kohëpaskohshme, emigroi në SHBA. Atje, aso kohe, aktiv ishte migracioni i vjetër, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar, kurse vet malësorët, që posa kishin filluar të migronin, po kërkonin veten në botën e madhe amerikane.

Fillimi ishte i vështirë, e Toma veçohej për tentativën për të afruar malësorët me diasporën e vjetër, madje edhe përmes shembullit personalë, sepse shumë shpejt u anëtarësua në shoqatën pan-shqiptare “Vatra”, veprimtar i të së cilës mbeti deri në vdekje. Por, pengesë kryesore e bashkëpunimit ndër-shqiptar, edhe në mërgim vazhdonte të ishte UDB-a jugosllave. Pasojë e punës së sajë, përpos shumë ngatrresa e intrigave, qenë qindra malësorë të vrarë mes veti, apo të likuiduar në rrethana të dyshimta, ndër të cilët edhe vet Toma.

Ngjarjet e vitit 81, në Kosovë, qenë vendimtare për shqiptarët e këtyre anëve, që gjindeshin në mërgim, për të dalluar ata që vërtet e donin kombin dhe ata që vazhduan të ishin robër të intrigave të UDB-es. Natyrisht, Toma e dinte anën që i takonte, prandaj vazhdoi punën, duke bërë e kultivuar kontakte në Shtëpinë e Bardhë, ku kishte miqësi me Bushët, me Bob Doll, e pastaj edhe me një mori kongresistësh amerikanë, si Tom Lantosh, Benjamin Gilman etj. Këtu vlen të përmendet se ishte shqiptari i parë, i cili, me ftesën e presidentit të SHBA-së, Georgo Bush, do të merrte pjesë në inaugurimin e tij për president, në janar të vitit 1989.  Më vonë, miqësi do të lidhë me kongresistin Jozef Dioguardin, i cili do të luaj një rrol vendimtar në aktivitetet pro-shqiptare në Uashington, e të cilin edhe do ta sjellë në manifestimin kushtuar Kryengritjes së Malësisë, kur malësorët e bënë për herë të parë, në New York, më 1988. Shtëpia e Tomës u bë vatër takimesh e veprimtarie patriotike. Aso kohe, në New York dalloheshin veprimtarët si Gjekë Gjonlekaj, Zef Camaj, Bek Alia, Seladin Velaj,  Prelë Sinishtaj, Pashko P. Camaj, Vasel Gjoka Camaj,  Mark Geci e shumë të tjerë, të cilët së bashku me Tomën ishin bartësit kryesor të aktiviteteve që, përpos angazhimit për demokracinë dhe lirinë e popullit shqiptar në vendlindje, kishin edhe një qëllim tjetër; demaskimin e veprimeve të UDB-ës në dëmin e shqiptarëve në mërgim, pasi që, një pjesë e tyre, akoma nuk e kuptonin drejt “miqësinë” e rrejshme udbeske, e cila, për fat të keq, vazhdon edhe tutje. Unë pra, pata rastin dhe fatin të jam dëshmitarë i disa takimeve të tilla, dhe të përjetoj bujarinë, mikpritjen dhe gatishmërinë e Tomës për t’i kushtuar kohën e vet çdo aktivisti shqiptar. Në shtëpinë e tij qëndruan shumë veprimtarë të çështjes shqiptare, si Ibrahim Rugova, Gjergj Gjokaj, Lekë Lulgjuraj, Tomë Berisha, e të tjerë. Në bisedat e tij, çdo herë temë kryesore ishte liria dhe prosperiteti i kombit të vet, kudo që ndodhej i shpërndarë nëpër shtetet e Ballkanit, pastaj pavarësia e Kosovës, por edhe lirimi nga tutela staliniste e shtetit amë.

Vdekja nuk është fjala e fundit

Respekti që gëzonte Toma u pa edhe ditën e varrimit, kur mijëra shqiptarë e amerikanë erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit, këtu e 25 vite më parë. Dioguardi haptazi do të shprehet se humbi vëllanë e vet, dhe atë ditë në setër kishte vënë shenjën e mortit. Kurse Zef Camaj, në fjalën e rastit do të shprehë tërë respektin për bashkëveprimtarin e vet me “një trup të vogël për nga përmasat fizike”. Një trup i vogël, por një shpirt i madh, ishte vlerësimi i të gjithëve që e njohën Tomën. “Ky trup, -shprehet Zef Camaj-, deri para katër ditëve zinte një vend të hijshëm, një vend të posaçëm në të gjitha takime shqiptare. Ai nuk mungoi në asnjë tubim, mbledhje, protestë, demonstratë, letër apo memorandum kundër pushtuesit serbo-malazez, por as kundër diktaturës staliniste në shtetin amë…ishte kontribuuesi më me emër për çdo aktivitet, për kisha e xhamia, për shoqata e revista, për radio-programe e veprimtari të tjera patriotike…iniciatori dhe donatori kryesor për bashkimin e dy famullive në një, dhe themelimin e një qendre të përbashkët shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, me qendrën kulturore “Nanë Tereza”. Janë këto vetëm disa fjalë nga i ndieri Zef Camaj, që më së mirë ilustrojnë edhe atë që e thanë të tjerët, se Toma ishte, jo vetëm donator kryesor, por edhe promotor i çdo aktiviteti kombëtar.

Se e njihnin për të tillë edhe në vendlindja, prej nga kishte ikur afër tre dekada para janarit tragjik, të vitit 1991, dëshmoi edhe tubimin mortor, organizuar nga familja e Tomës në Malësi. Aty fjalën e rastit e mbajti i ndjeri Gjergj Gjokaj, i cili vdekjen e Tomës e cilësoi si këputje të një damari të veprimtarisë patriotike që lidhte vendlindjen me diasporën.

Kështu, një biografi e bujshme u ndërpre para kohe. U ndërpre atëherë kur më së tepërmi i nevojitej familjes dhe kombit. U ndërpre pa  pritur që të shijonte frytet e veta, përparimin e fëmijëve që aq shumë i donet, dhe pavarësimin e Kosovës, për të cilën ëndërronte dhe luftonte. Besoj se burrave të këtillë si Tomë Gjokaj dhe Zef Camaj, Kosova u mbetet borxh, sepse ata i qëndruan besnikë luftës për pavarësimin e saj deri në frymën e fundit.

Por vdekja nuk qe fjala e fundit e Tomës. Ai, përpos me vepra, la emër edhe përmes trashëgimtarëve, të cilët krenohet me të atin vet, ashtu siç krenohen edhe familjaret e tjerë dhe të gjithë ne që e njohëm.

Pusho i qetë o bir i Malësisë!