Elezagiq: Partitë parlamentare shqiptare janë satelitë të DPS-së

Elezagiq - Gjeloshaj - Nimanbegu“Para votëbesimit të Qeverisë përfaqësuesit e partive nacionale shqiptare në Parlamentin malazez para të gjithëve dhe pa asnjë kusht, kanë shpejtuar të japin besën se do të përkrahin Qeverinë”

Kryetari i Partisë Social-Demokrate (SDP) në Ulqin Skender Elezagiq pyeti liderët e partive shqiptare pse nuk kishin guxim që nga partnerët e vet, gjegjësisht DPS-ja, në këmbim për përkrahjen e Qeverisë, të kërkojnë zgjidhjen e të paktën një nga problemet e Ulqinit.

Sipas fjalëve të tija, liderët shqiptar në Ulqin mund të zgjidhin shumë probleme siç janë përcaktimi i kufirit të të mirave detare në të njëjtën mënyrë siç është bërë në komunat tjera bregdetare, mbrojtja e pronës së Kripores, kthimi i ullishtës në Valdanos, si dhe inicimi i të paktën një investimi serioz në kapacitetet turistike.

“Para votëbesimit të Qeverisë përfaqësuesit e partive nacionale shqiptare në Parlamentin malazez para të gjithëve dhe pa asnjë kusht, kanë shpejtuar të japin besën se do të përkrahin Qeverinë. Si çdo satelit i mirë, i dëgjueshëm dhe luajal i thanë qendrës së universit të vet se qëndrojnë fuqishëm në orbitën e vet të caktuar dhe se nuk do të lëvizin nga trajektorja, edhe pse kjo nuk është dëshira e atyre të cilët i përkrahin. Sigurisht, në këto situata çdo subjekt politik ka të drejtën absolute, që në pajtim me interesat e veta politike dhe partiake të sjell vet vendimin dhe këtu nuk ka asnjëfarë kontesti. Mirëpo, këto janë njëkohësisht edhe situata të cilat, në mënyrë tërësisht legjitime shfrytëzohen që të forcohet pozita e vet politike dhe nga partnerët të cilëve iu duhet përkrahja, të kërkohet dhe të fitohet ndonjë benefit në formën e realizimit të ndonjë qëllimi të vet politik ose programor”, përfundoi Elezagiq. /Ul-info/MALESIA.ORG/