Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi do të shënojë edhe sivjet 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, këtë datë të rëndësishme për arsimin shqip. Duke synuar që të jemi të pranishëm në çdo trevë ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi dhe në çdo shkollë ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, Komisioni për Arsim dhe Përdorimin Zyrtar të Gjuhës Shqipe i KKSH-së ka vendosur që manifestimi i sivjetshëm të zhvillohet në Shkollën fillore në Dacaj, të vetmin institucion arsimor në gjuhën shqipe në Komunën e Rozhajës.
Përpos ceremonisë së shënimit të Ditës së Mësuesit, me këtë rast KKSH do të dhurojë lektyra shkollore për Bibliotekën e Shkollës fillore në Dacaj, si dhe Abetaren mbarëkombëtare për nxënësit e kësaj shkolle.
Kremtimi i 7 Marsit – Ditës së Mësuesit bëhet në kuadër të shënimit të datave me rëndësi të historisë sonë kombëtare dhe të aktiviteteve në fushën e arsimit, si një prej prioriteteve të KKSH-së. Për shqiptarët në Mal të Zi kjo datë është edhe më e rëndësishme kur dihet mirë roli i arsimit shqip në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.
Manifestimi do të mbahet të hënën, më 7 mars 2016, në orën 12.00, në Shkollën Fillore “Dacaj” – Dacaj (Rozhajë).
Manifestimi organizohet në kuadër të projektit të mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.