Tuz – Malësi (03/03/2016) – Rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm, pa zbardhur dita, inspeksioni komunal për ndërtim ka rrafshuar për toke edhe pjesën tjetër të gardhit rrethues të mbetur në truallin e vëllazërisë Vuksanlekaj.
Pas presionit të qytetarëve, komunalët dje nuk kishin rrëzuar një pjesë të shtyllave rrethuese, ndërsa sot për terr, të shoqëruar nga një numër i madh i forcave policore e kanë rrafshuar komplet gardhin.
Jozyrtarisht mësojmë se ky aksion u krye në mes orës 4 dhe 5 të mëngjesit, ndërsa, gjithnjë sipas informatave jozyrtare, numër i shtuar i policisë u vërejt që nga ndërtesa e KU Tuz e deri në fshatin Vuksanlekaj. /MALESIA.ORG/
Camaj: Shteti u vë në shërbim të kriminelëve
Reagim i Nikollë Camaj në lidhje me shembjen e gardhit rrethues.
Lexoni të plotë:
“Urtia pas kuvendit e trimëria pas luftës nuk kanë vend”, kanë thanë të urtit tonë, prandaj as nuk e komentuam atë çfarë ndodhi ditën e djeshme në Vuksanlekaj. Por, meqenëse ajo që mbeti pa u mbarua dje, e përfunduan nën mbrojtjen e territ, mëngjesin e ditës së sotme, ne vetëm po konstatojmë atë që tashmë e dimë të gjithë; shteti u vë në shërbim të një, apo disa kriminelëve, grabitësve, me lidhje klanore, farefisnore, apo koruptive. Sidoqoftë, dëmi material është tejet i parëndësishëm, karshi përdhosjes që iu bë tentativës së rregullimit të një trualli, i cili duhet t’i shërbejë të mirës së përbashkët të Malësisë. Po ashtu edhe vet akti i rrënimit të shtyllave është tejet i parëndësishëm, karshi vënies në shërbim, të një armade të tërë, për qëllime të ndyta të individëve apo klaneve. Por, besojmë se ngjarjet e këtilla na i hapin sytë! Natyrisht, ne nuk mund t’i ndalojmë vandalizmat në regji të pushtetit, por do të mundohemi t’i hyjmë në gjurmë kanalit që u shfrytëzua për këtë aksion, dhe ta demaskojmë atë, sepse këtu kanal ligjor nuk pati. Të rrënohet një gardh, në kohën kur nëpër Tuz, në prona të komunës, ndërtohen objekte private, natyrisht pa leje, dhe pushteti lokal i Tuzit nuk bënë as edhe një padi, (derisa për këtë padia ishte mu nga KU e Tuzit) nuk mund të quhet assesi ndryshe, vetëm vandalizëm i pushtetit, duke filluar nge kreu i KU e deri në Qeveri.
Axhoviq: Mënjanoni ndërtimet jolegale dhe lëvizjet e njëanshme
Tuz – Malësi (02/03/2016) – Pas shembjes së gardhit rrethues të tokës së vëllazërisë Vuksanlekaj nga ana e inspeksionit komunal për ndërtim të cilët ishin të shoqëruar nga një numër i madh e forcave policore, një grup qytetarësh kanë mbajtur takim me Kryetarin e Komunës urbane të Tuzit, Abedin Axhoviq për të kërkuar sqarim për këtë akt të kryer nga organet në fjalë.
Axhoviq ka deklaruar se ai ka njoftuar qytetarët mbi procedurën e cila ka parapri situatës që rezultoi. Ai ka theksuar se Komuna urbane e Tuzit nuk ka kompetenca të veprimit për këtë çështje, gjegjësisht nuk është kompetente që të përcaktojë a është një objekt gjegjësisht një rrethim jolegal i ndërtuar.
Ai ka porositur që të mënjanohen ndërtimet jolegale.
“Në fund dëshiroj të apeloj dhe drejtohem me thirrje të gjithë qytetarëve që të mënjanojnë ndërtimet jolegale dhe lëvizjet e njëanshme, për të bërë një përpjekje të përbashkët për të gjetur një mënyrë paqësore për të zgjidhë situatën e krijuar, me qëllim të marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të mira ndërnjerëzore”, ka thënë Axhoviq.
Rikujtojmë se sot në mëngjes punonjësit e inspeksionit komunal për ndërtim, të shoqëruar nga një numër i madh i pjesëtarëve të policisë, rrënuan gardhin rrethues të truallit të vëllazërisë së Vuksanlekajve.
Numër jo aq i madhë i qytetarëve nuk arritën të pëngojnë rrënimin e gardhit.
Rrënohet gardhi rrethues i truallit në Vuksanlekaj
Tuz – Malësi (02/03/2016) – Punonjësit e sektorit komunal për inspektime, të shoqëruar nga një numër i madhë i pjesëtarëve të policisë, rrëzuan sot në mëngjes (para orës 8) gardhin rrethues të truallit të vëllazërisë së Vuksanlekajve.
Numër jo aq i madh i qytetarëve nuk arritën të pengojnë rrënimin e gardhit. /MALESIA.ORG/
Urdhër për prishjen e gardhit rrethues të tokës në Vuksanlekaj
Tuz – Malësi (01/03/2016) – Sekretariati për çështje komunale, sektori për inspektime ka dhënë urdhër të prishjes së gardhit rrethues të tokës së vëllazërisë Vuksanlekaj.
Rrethimi i truallit nga kjo vëllazëri kishte nisur disa ditë më herët.
Rrënimi i gardhit rrethues është paralajmëruar për nesër, e mërkurë, më 02/03/2016 në ora 8:00 të mëngjesit.
Nga vëllazëria Vuksanlekaj më herët kishin sqaruar se ky truall në mënyrë të paligjshme i ishte dhënë firmës Carine DOO.
Trualli në fjalë gjendet përreth Qendrës Funerale Malësia, në të dy anët e sajë.
Urdhër-dokumenti i ardhur në redaksinë tonë: