DPS bashkon Forcën dhe PD-në?

DPS-ULqin-e1453135913118Drejtuesit e DPS-së së Milo Djukanovic kanë vendosur që kriza politike në Ulqin të sanohet” me krijimin e koalicionit të gjerë, mëson Portali Ul-info.

Kështu, pushtetin e ri në Ulqin do ta përbëjnë DPS-ja e Milo Djukanovic-it, Forca e Nazif Cungut, “Koalicioni Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” (i përbërë nga Partia Demokratike e Fatmir Gjekës, Lidhja Demokratike në Mal të Zi e Mehmet Bardhit dhe Lëvizja Perspektiva e Amir Hollajt) dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve i Mehmet Zenkës.

Kjo do të thotë se nga gjithsej 33 vende në Kuvendin komunal pushteti i ri do të ketë më shumë se tre të katërtat e këshilltarëve.

Qendra e DPS-it po ashtu solli vendimin që Forcës t’i takojë vendi i kryetarit të Komunës, derisa partisë së Djukanovic-it funksioni i Parlamentit lokal, si dhe sekretarit për financa dhe urbanizëm.

Për ndarjen e funksioneve të tjera do të negociojnë javën e ardhshme përfaqësuesit e partive të pushtetit të ri.

Rikujtojmë se mosmarrëveshjet në mes partnerëve kryesorë të qeverisjes në Ulqin, Forcës dhe Partisë Demokratike që zgjasin që disa muaj, kanë krijuar krizën politike dhe mos-funksionalizimin e Kuvendit të Ulqinit.

Forca më herët i kishte ofruar DPS-së vendin e kryetarit të Parlamentit lokal, ndërsa PD-ja vendin e kryetarit të Komunës.

Siç duket, DPS-ja ka pranuar ofertën e Forcës, por që pjesë e kësaj shumice të mbetet edhe PD-ja, si dhe UDSH-ja e cila bashkë me DPS-në ishin në opozitë.

Në ditët në vazhdim do të shohim nëse Forca e PD-ja do të pranojnë që të mbesin bashkë në formacionin qeverisës, pasi ato veç kishin shumicën edhe pa DPS-në. /MALESIA.ORG/