Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi shënoi edhe sivjet 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, këtë datë të rëndësishme kombëtare. Manifestimi këtë vit u zhvillua në shkollën e vetme në gjuhën shqipe në Komunën e Rozhajës, në Dacaj.
Manifestimi filloi me fjalët përshëndetëse të mësimdhënësit të kësaj shkolle Hysen Daci,i cili përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje të gjithë të pranishmeve. Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i KKSH-së z. Genci Nimanbegu. Vështrim të shkurtër për 7 Marsin foli Ali Daci, ndërsa për historikun e arsimimit shqip në Malësinë e Rozhajës foli Haxhi Lajçi.
Manifestimi i Ditës së Mësuesit u përcoll edhe me program të larmishëm kulturo-artistik e muzikor, me këngë, recitime e valle të interpretuara nga nxënësit e kësaj shkolle.
Të pranishëm ishin edhe mysafirë dhe anëtarë të KKSH-së nga Plava dhe Gucia, Malësia, Ulqini, Kraja si dhe mysafirë nga Kosova.
Me këtë rast, për bibliotekën e kësaj shkollë, KKSH-ja dhuroi lektyra shkollore si dhe Abetaren mbarëkombëtare për nxënësit e kësaj shkolle.
KKSH-ja në fund ndau nga një dhuratë simbolike për mësimdhënësit e kësaj shkolle.
Jo më larg se në shekullin e kaluar, shqiptarët përbënin më shumë se 85% e popullsisë në Rozhajë, ndërsa sipas statistikave të fundit janë vetëm rreth 5% e popullsisë. /MALESIA.ORG/