Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi zyrtarizoi marrjen e detyrës së re në një ceremoni solemne në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku të pranishëm ishin 1.200 të ftuar, mes të cilëve presidentë, kryeministra, kryeparlamentarë dhe përfaqësues të vendeve të rajonit dhe më gjerë.
Ashtu si në betimin në Kuvend, edhe në këtë ceremoni munguan përfaqësuesit e familjes Jashari dhe ata të opozitës.
Por përpara ardhjes së Presidentes në largim dhe Presidentit të ri, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës në afërsi të të ftuarve. Policia ka arritur të arrestojë 7 prej të dyshuarve për hedhje gazi.
Ceremonia solemne e presidentit nisi me parakalimin e Thaçit së bashku me Presidenten në largim, Atifete Jahjaga, e cila në shenjë simbolike i dhuroi Thaçit Kushtetutën e Kosovës.
Pas u zotua për respektimin dhe ruajtjen e kushtetutshmërisë në vend, Presidenti Hashim Thaçi premtoi se do të shërbejë njësoj për të gjithë qytetarët, pa dallime partiake dhe etnie.
“Heronj janë qytetarët e Republikës sonë. Unë jam vetëm një President i thjeshtë i një populli heronjsh. Ju premtoj se nuk ka fuqi që mund t’i ndalë ëndrrat e heronjve, ëndrrat tuaja, pritjet tuaja. E ju garantoj gjithashtu se shpresat, ëndrrat dhe pritjet tuaja do të jenë edhe shpresat, pritjet e vendimet e mia”, tha Hashim Thaçi, President i Kosovës.
Ceremonia solemne, e para e këtij lloji në Kosovë, ku deri tani asnjë president nuk kishte arritur të përfundonte mandatin, u mbyll me një program artistik, ku interpretuan një grup vajzash nga komunat e Kosovës dhe Filarmonia e Kosovës. /TCH/MALESIA.ORG/