Më datat 6 dhe 7 prill, në QKI Malësia në Tuz, në kuadër të shënimit të 105 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë dhe ngritjes së Flamurit kombëtarë në Bratilë, është shfaq premiera e filmit “Dasma Malësore”.
Shkrimi i përgatur nga Bota Sot:
“Dasma Malësore”, ishte filmi dokumentar i shfaqur në Sallën e Kulturës në Tuz të Malësisë, para shumë të pranishmëve të ardhur edhe nga Shqipëria e Kosova, shfaqje e bërë në shënim të 105 vjetorit të ngritjes së Flamurit kombëtar në Deçiç, i ngritur nga heroi i kombit, Dedë Gjo Luli.
Shënimi i këtij përvjetori i organizuar nga Shoqata Kulturore e Malësisë, që mbanë emrin e kryetrimit të njohur si “Trimi i Maleve”, i kushtohej traditave shqiptare, e që për fat të keq, janë në zhdukje e sipër. Sipas organizatorëve të këtij manifestimi kulturor, tema e trajtuar për traditën e organizimit të dasmave malësore, kishte për qëllim sensibilizimin mbarëkombëtar për ruajtjen e vlerave dhe traditave shqiptare, ashtu siç kishte vepruar Dedë Gjo Luli, i cili kishte shkrirë familjen tij, për bashkimin e trojeve shqiptare. “Amaneti i kryetrimit të maleve të Malësisë, ishte bashkimi i trojeve shqiptare, ndaj edhe qëllimi i aktiviteteve tona është që ti bashkojmë vëllezërit tanë kudo që janë, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Çamëri, Maqedoni apo edhe Amerikën e largët dhe vendet tjera anekënd rruzullit tokësor”, ishte shprehur Gjon (Mark) Dushaj, kryetar i Shoqatës Kulturore “Dedë Gjo Luli” të Malësisë së Tuzit. Sipas Dushaj, dokumentari i shfaqur në përvjetorin e ngritjes së Flamurit kombëtar në Deçiç, i cili më pas ishte ngritur edhe në Vlorën historike, kishte motiv të ruajtjes së kulturës dhe traditës shekullore të kultivuar në Malësi, por edhe në viset tjera që frymonte shqiptaria.
Rruga për pjesëmarrje në shënim të këtij përvjetori, edhe pse ishte e gjatë, kishte gjetur mikpritjen dhe dashurinë vëllazërore të vendësve malësor të Tuzit dhe fshatrave të Malësisë. “Mirë se erdhët vëllezër, qofshi faqebardhë që na nderuat me ardhjen në truallin e Dedë Gjo Lulit”, ishin fjalët mirë se ardhëse të njerëzve që takonim rrugëve apo lokaleve, të cilët mezi prisnin të ofronin mikpritjen sipas traditave shqiptare. Ata, të përlotur nga gëzimi që po takonin vëllezërit e tyre nga Vlora e Gjilani, Tirana e Deçani, Shkodra e Klina, Prishtina e Tropoja, mundoheshin të informonin për jetën jo të mirë të tyre, në Mal të Zi. Vendësit, krahas mikpritjes nuk kanë nguruar të shprehin zhgënjim për anashkalimin që iu bëhet nga institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës. Në zemrat e malësorëve të këtushëm jeton figura e dr. Ibrahim Rugovës, të cilin e çmojnë lartë për intelektualitetin dhe vizonin që kishte, për bashkimin e trojeve shqiptare.
Simon Camaj, djaloshi që së bashku me Ilir Gojçaj, na shoqëronin gjatë gjithë kohës, e që mundohej të shpjegonte për kushtet dhe hallet e bashkëvendësve të tij, ka treguar se popullata e kësaj treve në vazhdimësi po shpërngulej dhe po merrte rrugën për shtetet perëndimore, kryesisht të Amerikës së largët. “Çdo ditë e më shumë po zvogëlohemi si popull, fshatrat po boshatisen, të rinjtë po ikin nga trojet stërgjyshore”, tregon Camaj, i cili në vazhdimësi interesohej për Kosovën. Ndërsa, profesori Nikollë Berisha, duke shpjeguar qëllimin e shfaqjes së dokumentarit “Dasma malësore”, mu në ditën kur Dedë Gjo Luli kishte ngrit flamurin kombëtar, ka thënë se traditat shqiptare, jo vetëm të organizimit të dasmave, por edhe të llojeve tjera, janë duke humbur në vazhdimësi, duke u bërë me evropian se evropianët apo edhe me amerikan se amerikanët.
“Motivi i shfaqjes së dokumentarit ishte që tua rikujtojmë gjeneratave të reja, si në Malësi, Ulqin, Kosovë e Shqipëri dhe kudo që frymon gjak shqiptari, se traditat shekullore të shqiptarëve, duhet ruajtur dhe kultivuar, krahas zhvillimeve demokratike dhe teknologjisë bashkëkohore”, shprehët Berisha, i emocionuar për faktin se Tuzi ishte vend bashkimi i shqiptarëve, siç kishte lënë amanet edhe vet Dedë Gjo Luli.
Për, veprimtarin e pa lodhshëm Azgan Haklaj, i cili kishte ardhur nga Tropoja, thotë se nuk ka qetësi në Ballkan pa bashkim të trojeve shqiptare, ndaj edhe moto e tij është, “një komb-një shtet”. Gjithnjë sipas Haklaj, për shqiptarët po vijnë ditë të bardha, po vjen koha e shqiptarëve, kur dihet se Kosova ka fituar pavarësinë e saj si shtet dhe po ecën ne rrugën e integrimeve, ndërsa Shqipëria veç është bërë anëtare e NATO-s dhe po ecën në rrugën e duhur për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Edhe prof. Dr. Sabri Kadriu është shprehur se ditët e bardha po vijnë për shqiptarët, pasi që kemi marr rrugën e duhur të zhvillimeve dhe integrimeve, të mbështetur nga vendet mike, të cilave iu prinë SHBA-ja, me bekimin edhe të Vatikanit. Njëjtë si prof. Kadriu, shprehët edhe Sejmen Gjikolli nga Vlora, i cili ka njoftuar se Vlora është duke u përgatitur për Festivalin mbarëkombëtar të këngëve, ashtu sikur vitin e kaluar, do marrin pjesë Shoqëri dhe individ nga gjitha trojet ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.
Njëri nga organizatorët e këtij përvjetori, Ilir Gojçaj, ka bërë të ditur edhe për numrin në rënie të nxënësve të cilët kanë njohuri të pakta për Kosovën, përkundër asaj se mësojnë shqip. “Kam të kryer vetëm shkollën e mesme, sepse nuk kemi mundësitë për studime universitare, ndaj jemi të detyruar të mos vazhdojmë me studime të mëtejme”, ka nënvizuar Gojçaj i cili shpreson se nxënësit e Tuzit dhe vendeve tjera, të vizitojnë vendet historike shqiptare, qoftë në Shqipëri apo Kosovë. Këtë e pohojnë edhe nxënësit e Shkollës Fillore “Mahmut Lekiq” të cilët kishin njohuri të pakta për vendet historike shqiptare. “Në lëndën e Historisë, fare pak kemi mundësi të mësojmë për Shqipërinë, Kosovën dhe vendet tona historike, çka do kishim dëshirë të kemi mundësinë e vizitave në vendet e lavdishme të historisë sonë”, na thotë njëri nga nxënësit e kësaj shkolle, të cilët interesoheshin për mocanikët e tyre nga Kosova, për kushtet në të cilat mësojnë.
Largimi ynë nga Malësia e Tuzit, nga vendësit ishte përcjell me urimin e bashkimit sa më të shpejt të trojeve shqiptare, amanet i lënë nga Dedë Gjo Luli, por edhe nga presidenti dr. Ibrahim Rugova, i cili kishte synim ndërtimin e rrugës që do lidhte Kosovën me trojet shqiptare të Malit të Zi, që përmes Deçanit dhe Plavës, të lidhet me Ulqinin dhe vendet tjera të kësaj treve. “Rrugë të mbarë dhe u takofshim sa më shpejt”, ishte lamtumira e dhënë nga bujarët e Malësisë, të cilët ëndërrojnë që të njihen me bukuritë e Kosovës e të Shqipërinë, ti vizitojnë vendet historike të kombit shqiptar.