Diaspora jonë në shtetin amerikan Michigan, vazhdon me kremtimin e datave historike kombëtare.
Ashtu është përkujtuar edhe këtë vit Kryengritja e Malësisë e vitit 1911, 6 prilli, përvjetori i 105-të i ngritjes së Flamurit Kombëtarë në Bratilë.
Më 3 prill, nën organizimin e Shoqatës Atdhetare Malësia e Madhe dhe Këshillit të Kishës së “Shën Palit” në Rochester Hills, festimi është zhvilluar në sallën e kësaj kishe në praninë e shumë mysafirëve.
Senatori Gery Peters i Michigan-it, Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku dhe Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Michigan, Ekrem Bardha, përshëndetën të pranishmit. Të pranishmit u përshëndetën edhe nga drejtuesi i Kishës, Don Fred Kalaj, Don Fran Kolaj, Don Ndue Gjergji, Lulash Palushaj, Joseph Dedvukaj, Rush Dragu dhe kryetari i Shoqatës Atdhetare Malësia e Madhe, Lekë Leci Gjonaj.
Fjala e rastit e kësaj mbrëmje i takoi Prof.Dr. Gjokë Uldedaj, ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe këshilltarë i Presidentit Bujar Nishanit. Në vazhdim foli edhe Nikollë Camaj, kryetarë i LDnëMZ – Dega e Malësisë.
Udhëheqësi i mbrëmjes ishte Simon Mirashi Ivezaj dhe bashkëshortja e tij, Mariana Ivezaj.
Fjala e rastit, Prof.Dr. Gjokë Uldedaj
Ndjehem i gëzuar dhe njëkohësisht i nderuar dhe i vlerësuar, që jam pjesë e kësaj veprimtarie përkujtimore, me ftesën e Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”.
Këtu në mesin tuaj, ndonëse larg trojeve shqiptare, qysh në takimin e parë e ndien veten “më shumë malësor”, sepse ju dëshmoni, me pritjen, me shpirtin dhe zemrën tuaj, lidhjen e fortë të bijve të xhubletës, me traditat e lashta të fisnikërisë e të bujarisë malësore, të zakoneve e virtyteve sa të lashta, aq edhe të kulluara e origjinale prej tokës arbnore.
Malësorët e Amerikës, ashtu si përgjithësisht diaspora shqiptare në dhe të huaj, tradicionalisht ka shkuar sipas kahut të mbarë “larg me trup, por pranë me zemër ndaj atdheut”, por gjithmonë me sytë e zemrës nga trojet amtare e nga vlerat atdhetare e kulturore, duke i ruajtur ato brez pas brezi, kudo qofshin malësorët, kudo ku jetojnë e punojnë, e sidomos në diasporën e Shteteve të Bashkuara, që për mua është “kryediaspora” apo diaspora më krenare, që ka qenë e vijon të jetë ambasadorja më e mirë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në botën e jashtme.
Veprimtaria Juaj e bukur përkujtimore që po organizohet në kë të sale që mban emrin e të madhit At Gjergj Fishta, me rastin e 105 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë dhe ngritjes së Flamurit në Deciq më 6 prillit të vitit 1911, kësaj date e dite lavdimadhe, që lidhet me kujtimin e Kryetrimit të Malësisë së Madhe, Dedë Gjo Lulit, figurë emblematike dhe simbol i trimërisë dhe i urtësisë së maleve tona.
Kryengritja e Malësisë së Madhe përkujtohet me krenari, jo vetëm nga malësorët e diaspora malësore, por edhe nga i gjithë kombi shqiptar, nga mbarë Shqipëria dhe, sivjet, për më tepër, ky përkujtim vjen mbas lartësimit dhe vlerësimit që iu bë figurës legjendare të Dedë Gjo Lulit, duke e vendosur shtatoren e Tij pikërisht në sheshin kryesor të Kryeqytetit të Shqipërisë, në oborrin e Muzeut Kombëtar, me fytyrë nga perëndimi dhe shumë pranë monomentit të heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, për t’u treguar kështu të gjithë atyre që rrojnë ose vijnë për vizitë në Tiranë, se kush është Malësia e Madhe dhe bijtë e saj e Saj të shquar.
Kjo nismë e Juaja, tregon për dashurinë, nderimin dhe vlerësimin e lartë, që kanë sot bijtë dhe bijat malësore, për paraardhësit e tyre, për çdo vepër atdhetare që kryen ata, për gjakun e derdhur e rininë e falur atdheut.
Prej kësaj foltoreje të nderuar, këtu në kryevendin e demokracisë botërore, duke u bashkuar me Ju, më lejoni që t’i dërgojmë përshëndetjet tona më të përzemërta, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij, Zotit Bujar Nishani, i cili gjatë të gjithë periudhës së ushtrimit të mandatit të lartë të Tij, e respektoi aq shumë “Malësinë e Madhe”, duke i akorduar, më 2012, në 100-vjetorin e Pavarësisë së shqipërisë, Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”.
Përfaqësuesit e Shoqatës Suaj janë dëshmitarë të akordimit të Dekoratës më të Lartë me “Urdhëri i Flamurit Kombëtar”, për Dedë Gjo Lulin (pas vdekjes), por edhe dekorime dhe vlerësime për shumë bijë të saj: si ata që bënë histori e luftuan, për trojet stërgjyshore, për fe dhe për Atdhe, ashtu edhe për brezat e sotëm që bënë historinë e kulturës, artit e të shkencës shqiptare.
Por nga ana tjetër, jam i ngarkuar, që t’Ju përshëndes, t’Ju përgëzoj për ndihmesën Tuaj, për vlerat që keni treguar, për unitetin që manifestoni, këtu në diasporë dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer e frytëdhënës, që ai ka pasur dhe ka me përfaqësuesit Tuaj.
Të dashur pjesëmarrës, motra dhe vëllezër malësorë!
Dedë Gjo Luli është një emër i madh i historisë kombëtare shqiptare. Figura e Tij na paraqet jo vetëm burrin me gjakun e kulluar që rrjedh prej damarëve të Kastriotit, por edhe protagonistin e epokës më të lavdishme arbnore. Shpirti i Tij ishte gatuar sa nga amaneti i paraardhësve, po aq edhe nga aspiratat e bashkëkohësve, që ishin të gatshëm për ta dhënë jetën në mbrojtje të trojeve amtare.
Figura legjendare e Dedë Gjon Lulit, është simbol i betejave të mëdha dhe historike të shqiptarëve për liri e pavarësi, si Luftar në Vraninë, si Komandant në Lidhjen e Prizrenit, si Prijës e Valvitës i Flamurit të Gjergj Kastriotit, në Bratilë të Deçiçit, si burri parmëz- hapur në Kryengritjen Heroike të Malësorëve me 6 Prill të vitit 1911, që me shumë krenari po e përkujtojmë sot, këtu në Detroit.
Kjo Kryengritje ishte guri i themelit dhe preludi i Pavarësisë së Shqipërisë, prandaj, edhe Ismail Qemali, do ta quante sublimisht: – “Pushkë e ngrehun për Shqipërinë”, tek e priste solemnisht në selinë e Qeverisë së Parë”
Ngritja e flamurit më 6 prill 1911, në Deçiq dhe Programi i Pavarësisë Kombëtare i Greçes, ka dëshmuar se qarqet atdhetare brenda e jashtë vendit, kanë gjetur kurdoherë te malësorët dhe te udhëheqësit e prijësit e tyre, një terren plotësisht të favorshëm, në dobi të kauzës së përbashkët dhe çështjes kombëtare.
Kurdo që të shkruhet historia politike e ideologjike e kohës sonë, lufta e malësorëve të Malësisë së Madhe, do të kujtohet si njëra prej epopeve më të shkëlqyera të luftërave moderne që kanë bërë shqiptarët, duke i paraprirë vetëdijes tonë kombëtare në rrugtimin e nisur drejt pavarësisë së vendit.
Karakteri thellësisht kombëtar i kryengritjes shkëlqeu më fort se kurrë në radhët e trimave malësorë, megjithëse autoritetet osmane u munduan të shfrytëzojnë parimin fetar, duke e propaganduar kryengritjen si thjesht katolike dhe me drejtim antimysliman në vend të atij Antiosman.
Shqiptarët nuk ranë në këtë kurth dhe kryengritja ia doli të ketë në gjirin e vet malësorë pa dallim feje; e jo vetëm malësorët e Malësisë së Madhe, por edhe të krahinave të tjera që u erdhën në ndihmë vëllezërve të tyre Malësorë.
Fetarisht ishte arritur ajo që luftonte me urtësi Arqipeshkvi Pjetër Bogdani tre shekuj më parë, duke theksuar se: “Nuk do të ketë kurrë një kryengritje të përgjithshme antiosmane, nëse nuk do të ishin të ndërgjegjshëm për kombin e tyre edhe myslimanët e Shqipërisë”.
Kryengritja e vitit 1911,i zhvilloi më tepër aftësitë organizuese të shqiptarëve, duke arritur bashkimin e udhëheqësve të Veriut me ata të Jugut dhe shpalosi një program ideor, për krijimin e një autonomie territoriale-administrative.
Kësisoj ndërgjegjja politike e shqiptarëve evoluoi edhe nga ana përmbajtësore, nëpërmjet 12 kërkesave të Memorandumit të Greçes: për njohjen e kombit shqiptar, bashkimin e katër vilajeteve, vendosjen e administratës shqiptare, lirinë e plotë për shkollat dhe mësimin e gjuhës shqipe etj, të cilat konsiderohen akte të shquara në historinë tonë kombëtare.
Kryengritja e përgjithshme e Malësisë së Madhe e udhëhoqën strategë ushtarakë popullorë, që kishin disa breza që u prinin maleve të Malësisë së Madhe. Por megjithëse kryengritjen e Malësisë së Madhe e udhëhoqën prijësit e vet natyralë, bajraktarët dhe vojvodët, ajo kurrë nuk e mori vëmendjen e merituar nga historia jonë e politizuar.
Natyrisht që Dedë Gjon Lulit iu dha një titull nderi “Hero i Popullit”, por kurrë nuk u tha se ai udhëhoqi një “Popull Hero”, se ai kryesoi një “Shtab Lufte-Hero”. Kjo sepse Bajraktarët dhe Vojvodët në optikën e kohës, ishin të deklasuarit, ishin feudalët e krahinave, kur në të vërtetë ata ishin vetëm, “të par ndër të barabartët”.
Duke nderuar një kryengritje historike, por edhe një hero të madh, të spikatur për cilësitë e tij atdhetare, është detyrë krenarie që na lartëson dhe që u lihet trashigim të gjitha breznive të ardhshme shqiptare. Ata qenë burra, prijës dhe luftëtarë që i bashkonte nderi që rrjedh nga respektimi derinë sublim i parimit të moçëm ” se shqiptari është zot i vendit të vet”.
Të nderuar pjesmarrës!
Ne shqiptarët në përgjithësi dhe malësorët në veçanti, e kemi në zakon që të krenohemi me të parët tanë. Kjo është një dhuratë çmueshme që e trashëgojmë dhe na jep të drejtën të krenohemi.
Por nga ana tjetër, “të parët tanë nuk janë merita jonë”, të dashur malësorë. Pyetja që shtrohet sot përpara nesh është e lidhur me faktin se: Kush jemi ne vetë?. A mund të krenohemi pa fund me lavdinë e të parëve tanë dhe të mos bëjmë asgjë që edhe ne, t’u lëmë lavdinë dhe punën tonë të mirë breznive pas nesh?.
Ky është një problem dhe duhet të jetë një objektiv për secilin prej nesh, për çdo familje, farefis, bajrak, krahinë, për mbarë shqiptarët, duke mbërritur deri tek drejtuesit e shtetit e të kombit shqiptar.
- Nuk na mungojnë individët e ditur, por ne më shumë se të tjerët, “profetin nuk e çmojmë në vendin e vet”;
- Nuk na mungojnë shembujt pozitivë, por na mungon përgjithësimi i këtyre shembujve;
- Nuk na mungojnë mundësitë, por shpesh herë na mungon dëshira.
- Nuk u ngjajmë paraardhësve në respektimin e vlerave; nuk jemi si ata “të parë ndër të barabartët”, por duam të jemi të gjithë “të parë”.
- Nuk na mungojnë shoqatat, organizimet pë r ceshtjen Kombë tare, por na mungon bashkërendimi i punës midis tyre. Ka ardhur koha që të gjithë të punojmë bashkë. Kështu mund të bëjmë më shumë, kështu jemi më efektivë në nismat që marrim dhe kontributet që japim.
Por duhet theksuar se, me gjithë problemet që mund të shfaqen, ndihmesat e bashkëatdhetarëve tanë këtu në SHBA, drejt vendlindjes së tyre, nuk kanë munguar. Bëhet fjalë kryesisht për shqiptarët që kanë emigruar nga trojet e tyre Shqiptare, nën Malin e Zi.
Inciativat e Shoqatës Tuaj dhe Shoqatë Malësia e Madhe në New York, por edhe Personalitete të veçanta, kanë kontribuar në ndërtimin e veprave të ndryshme social-kulturore e fetare apo bamirëse e atdhetare. Vlen të përmenden Shtatorja e Dedë Gjo Lulit në Tiranë, Shtëpia muze e Dedë Gjo Lulit, si dhe ngritja e shumë objekteve dhe simboleve historike e fetare, në disa vende të Malësisë, të cilat, në tërësinë e tyre, janë vlera të jashtëzakonshme që i bëjnë nder gjithë Malësisë së Madhe dhe malësorëve kudo ku ndodhen.
Gjithashtu organizimi i tubimeve dhe konferencave shkencore, kushtuar ngjarjeve të ndryshme historike, sponsorizimi i botimeve të ndryshme etj, mbajnë vulën Tuaj, zotërinj të nderuar, vëllëzër të diasporës në Shtetet e Bashkuara.
Të dashur vëllezër e motra malësorë!
Prej vitesh ka mbetur pezull kërkesa e ligjshme e banorëve të Malësisë, për krijimin e Komunës së Tuzit. Kjo kërkesë, ndonëse e përsëritur, ka mbetur brenda “mureve” të qeveris Malazeze. Ne e dimë dhe e njohim faktin se Malit të Zi nuk ia ka qejfi edhe një komunë më tepër, të fuqishme, të përbërë kryesisht nga shqiptarët, ashtu siç është edhe komuna e Ulqinit.
Në këtë kuadë r Politika e Tiranës, duhet të ndikojë më tepër te faktori politik shqiptar i Malit të Zi, për bashkimin dhe unifikimin e zërit të tyre, nëpërmjet një platforme me objektiva thellësisht të qarta, për këtë problem madhor.
Në kushtet e këtij unifikimi nga qeveria shqiptare duhet të kërkohet një program i posaçëm bisedimesh me qeverinë Malazeze. E nëse prapë nuk do të ketë rezultate të dukshme, atëherë, pa dyshim,duhet të veprohet për shteg të tretë, që është ndërkombëtarizimi i problemit dhe mediatizimi i fuqishëm i kërkesës legjitime që kanë shqiptarët. Për të kërkuar një “Marrëveshje si e Ohrit” në miniaturë, për qeverisjen administrative.
Kush më mirë se Shoqata Juaj “Malësia e Madhe” mund ta udhëheq këtë lëvizje që sot ka marrë një rë ndë si me përmasa Kombëtare. Ne të gjithë bashkë, duhet të bëjmë më tepër, duke filluar nga këtu, duke shfrytëzuar miqtë dhe njohjet tona.
Qeveria shqiptare, duhet t’i ketë gjërat të sanksionuara më mirë, kur është fjala për popullsitë e mbetura jashtë kufirit politik të shtetit, por edhe në marrëdhënie me diasporat. Qeveria shqiptare duhet të planifikojë dhe të kontribuojë me financime kryesisht në zhvillimin kulturor e arsimor, të cilat mungojnë. Unë e konsideroj këtë një gjë shumë të rëndësishme dhe do të punojë në këtë drejtim.
Është fat i madh që tashmë Kosova është shtet më vete, dhe shqiptarët e Maqedonisë kanë peshë të rëndësishme politike në shtetin Maqedon. Me këtë dua të kujtoj se Qeverisë Shqiptare nuk i mbetet shumë punë me shqiptarët e vet rreth e rrotull kufirit, përjashto shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre nën Malin e Zi.
Por ajo që unë do ta marr si zotim këtu para Jush, sot, është lobimi në nivel qeveritar për financimin e një “Qendre Kulturore dhe Arsimore” këtu në Michigan, duke e konsideruar një objektiv madhor të afërt i Qeverisë së vendit amë, prej nga do të fillonte edhe ndryshimi i imazhit të Shqipërisë në marrëdhënie me shqiptarët që jetojnë në diasporë.
Të nderuar zonja dhe zotërinj!
Nga ky aktivitet përkujtimor si malësor dhe si njëri prej Jush më lejoni të shprehë:
- Nderim dhe krenari për Kryengritjen e Malësisë së Madhe;
- Nderim dhe krenari për për kryetrimin dhe heroin tonë Dedë Gjon Luli;
- Nderim, respekt dhe mirënjohje për Malësinë e Madhe, këtë gurë themeli në historin kombëtare shqiptare, në mbrojtje të indentitetit kombëtar dhe vlerave atdhetare, si pararendëse e pavarësisë me ngritjen e flamurit në Deciq me 1911, me Memorandumin e Greces, por edhe me kryengritjen e parë antikomuniste të vitit 1945;
- Nderim dhe respekt për prinjësit dhe bijët e Saj të shquar që ka nxjerr në shekuj;
- Nderim dhe respekt për brezin e sotëm të një trashigimie të shkëlqyer, të cilët po japin ndihmesën e tyre, për ta pasur Shqipërinë më të begatë, më demokratike, më evropiane, më amerikane, ashtu siç e dëshiruan, atdhetarët tanë të shquar që Malësia dhe Kombi Shqiptar ka nxjerrë në shekuj.
Fjala përshëndetëse e kryetarit të Shoqatës Atdhetare Malësia e Madhe, Lekë Leci Gjonaj.
Jam i nderuar dhe me fat që në emër të Shoqatës atdhetare Malësia e Madhe në Detriot kam rastin të përshëndes këtë aktivitet të rendësishëm që organizohet me rastin e 105 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar në majën e Deçiqit.
Ky pervjetor na gjën më të realizuar, më krenarë e më të lumtur për faktin se udhëheqësi i kryengritjes së Malësisë së Madhe Dedë Gjon Luli “ka hedhur shtat” në qendër të Tiranës. Aty qëndron kryetrimi i Malësisë bashkë me politikanin e diplomatin ndër më të shquarit e kohës, Hasan Prishtinën. Ata dhe shumë burrështetas e patriotë që do të hedhin shtat në zemrën e kryeqytetit të gjithë shqiptarëve, janë udhërrefyesit dhe engjujt mbrojtës të endrrës së shqiptarëve për liri e bashkim kombëtar.
Shoqata atdhetare Malësia e Madhe dhe gjithë shqiptarët kudo ndodhen janë më të lumtur e më krenarë sepse sivjet kur po festonim 8 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, morëm lajmin nga Prishtina se komuniteti i shqiptarëve malësor u nderua me Medaljen Presidenciale “Urdhëri i Lirisë” të akorduar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, për merita të veçanta në përpjekjet dhe kontributin që dhanë malësorët në luftë për çlirimin e Kosovës.
Kurse sot në këtë aktivitet kemi nderin dhe kënaqësinë që të pranojmë zyrtarisht me një solemnitet të veçantë këtë Medalje të cilën do të na e dorzojë shkelqësia e saj Ambasadorja e Republikës së Kosovës në SHBA zonja Vlora Çitaku të cilës i deshirojmë mirseardhje në mesin tonë dhe e falenderojmë me përzëmërsi.
Gjithashtu dua të shpreh mirnjohjen e thellë dhe falenderimin për Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, njeriun i cili mbajti kontaktet me institucionet e shtetit shqiptar dhe ishte pikë referimi që barti peshën kryesore në perpjekjet tona të përbashkëta për vendosjen e shtatores së Dedë Gjon Lulit në ambientet e jashtme të Muzeut Kombëtar në qender të Tiranës.
Me këto akte nderimi e respekti nga Tirana e Prishtina ne shqiptarët malësorë në SHBA dhe gjithë diaspora jemi të gatshëm si gjithnjë ti pergjigjemi thirrjes së atdheut për ta ndertuar paqen, zhvillimin dhe prosperitetin kombëtar.
Zonja dhe zotrinj,
Në fund më lejoni të shpreh mirnjohjen dhe falenderimet e veçanta për Bashkinë e Tiranës, Qeverinë e Presidentin e Shqipërisë dhe Presidenten e Republikës së Kosovës Znj. Atifete Jahjaga për nderin që na ka bërë me medaljen Presidenciale “Urdhëri i Lirisë”.
Zonja dhe Zotni, miq të nderuam, është privilegj e kënaqësi të jam me ju sonte për t’i kujtua t’paret tonë që dhanë aq shumë për lirinë e popullit shqiptar. Malësia ka pas burra e burrnesha, shpi për shpi që sakrifikuan gjithë çka kanë pas për një ideal, për komb, e për liri nga armiku 5 shekullor. Fatkeqësisht, fqinjët tanë kanë pas planet hileqare të përdorin kryengritjen e zemrën e pastër të malësoreve, për qëllime të veta, me zgjerua mbretnin e tyne. Por duket se nuk janë ngi me troje shqiptare, siç po tregon shteti i Malit të Zi me rastet e fundit në Vuksanlekaj të Hotit e në Çakorr të Rugovës.
Sonte jem bashkua, si vllazen e motra Shqiptar që jemi, ti kujtojmë ata që kanë përngja një ringjallje e ushtrisë së Gjergj Kastriotit.
Kujtojmë rilindësit Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali e Hilë Mosi.
Kujtojmë simbolin e kryengritjes Heroin Dedë Gjo Lulin që sot asht përjetësua në lapidar pranë Muzeut Kombëtar në Tiranë. Dedë Gjo Luli i Traboinit që priu lekët e Hotit të fillojnë luftën.
Kujtojmë Gjeto Markun e Rrapshës me të birin Franin që u shkrinë për Atdhe në qaf të ugles, bashkë me Dedë Gjon Ujkën e Vuksanlekë.
Kujtojmë Dedë Nikë Bajraktarin, që në krye të 600 luftëtarëve, krah për krah me Heroinën Tringë Smajlen psyni fortifikatën kryesore, majën e Istikamit të Deçiqit.
Kujtojmë Babë e Birë, që kjenë Kryetar e Sekretar të Komitetit Shqiptar të Podgoricës dhe nënshkruesi i parë në Librin e Kuq të Memorandumit të Greçës, Sokol Baci i Grudës me të birin Kolën.
Kujtojmë Luc Mark Gjeloshin e Lul Rapuken e Kelmendit me Bajraktarin e Selcës, Voc Gjonin që ra në luftë kundër forcave të Ethem Pashës.
Kujtojmë trimat e Kastratit Dodë Preçin, Mirash Lucen e Gjelosh Gjoken qe nuk dinin çka asht friga.
Kujtojmë Tomë Niken e Shkrelit e Mehmet Shpendin me djelmni të Shalës.
Kujtojmë 7 Kojasit që ranë dëshmor në Deçiqin legjendar për të mos vdekur kurrë.
Kujtojmë bijtë e Trieshit që me pushkë si Malot Gjeka e me penë si Nikollë Ivanaj i dolën zot popullit shqiptar, e nuk harrohet sofra ma e bukur që u shtrua në Greçë te Gala Smajli.
Atyre dhe të gjithë pjesëmarrësve të kryengritjes së lavdishme të Malësisë, u qoftë Lavdia.
Kryengritjet e Malësorëve për liri nga pushtuesit Osman filluan shumë më herët se Kryengritja e Malësisë, por ju ceki vetëm një ngjarje, se në vitin 1883 u dënuan me internim në Diyarbakir të Anadollit tetë krerë të Grudës me në krye me bajraktarin Smajl Martinin. I vetmi prej tyre që u kthye gjallë në Malësi nga internimi ishte Ujk Dushi Kalaj, paraardhësi i priftit tonë, i nderuari Dom Fred Kalaj.