“Virgjërat e përbetuara…” jep përgjigje për transformimin e fenomenit
Në ambientet e Fakulteti Filozofik në Prishtinë, më 6 prill, është promovuar libri më i ri i autorit Anton Berishaj, profesor në Fakultetin Filozofik dhe njëkohësisht anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Gjendja sociale, kodet zakonore e vetëflijimi i grave me arsyen se duhet të bëhen kryefamiljare në mungesë të meshkujve në shtëpi, janë disa nga elementet që shtjellon profesori universitar i sociologjisë, Anton Berishaj.
Por anëtari korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nuk ndalet me kaq. Në librin e promovuar të mërkurën në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, “Virgjërat e përbetuara – jeta ndërmjet detyrimit dhe vetëflijimit”, Berishaj hedh dritë edhe mbi fenomene të tjera që hasen te gratë shqiptare e edhe te kombësitë e tjera. Shtjellon edhe pamjen e re të virgjërave. Recensentët e librit, profesori i sociologjisë Shemsi Krasniqi e ligjëruesja në Fakultetin Filozofik, Sibel Halimi, e kanë cilësuar veprën si një studim që u përgjigjet pyetjeve të shumta.
Krasniqi ka thënë se shndërrimi i gruas në burrë është njëfarë enigme e libri mëton ta gjejë kodin e saj duke u nisur nga vetë subjekti.
“’Virgjërat e betuara as nuk janë të virgjëra e as të betuara’”, ka cituar Krasniqi nga libri. “Kësaj goditjeje ‘in medias res’ nuk mund t’i bëjë ballë argumenti i cili përpëlitet ndërmjet aureoles misterioze të moralitetit abstrakt, nga njëra anë, dhe shtrëngesave sociale konkrete e reale, nga ana tjetër.
Me këto të fundit autori u vë pritë spekulimeve, trilleve dhe rrëfimeve ekzotike mbi temën në fjalë”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, libri “Virgjërat e përbetuara…” është mjeti i duhur për t’i shpëtuar pyetjes intriguese se përse ndodh shndërrimi simbolik i gruas në burrë. Ka thënë se libri thërret lexuesin që të kuptojë fuqinë e shtrëngesave sociale mbi identitetin, përkatësinë, lirinë dhe preferencat personale.
Recensentja Sibel Halimi ka thënë se libri i ofrohet publikut kur qasja ndaj trupit të gruas vazhdon të jetë rigjide. Për librin e Berishajt prej gjashtë kapitujsh të botuar nga AShAK-u, ka thënë se shkoqit fenomenin e virgjërave të përbetuara, duke shënuar përpjekjen e parë serioze në Kosovë për trajtimin e kësaj çështjeje sa komplekse, po aq tabu.
“Autori përpiqet që në fillim të qartësojë përkufizimin gjuhësor për virgjëreshat. Ai nxjerrë konkludimin se nuk bëhet fjalë për terme sinonimike ndërmjet atij virgjëresha dhe virgjëra. I pari, si një atribut që përcakton gjendjen fizike, teksa i dyti si një përcaktim jetësor i shtyrë nga rrethana sociale, respektivisht vetëflijim e që është i shtyrë nëpërmjet detyrimit sa social po aq edhe familjar”, ka thënë ajo. Sipas saj, autori me kontekstualizimin e tillë të fenomenit të të virgjrave, tenton të nxjerrë nga korniza e trajtimit nga prizmi i një paradoksi të së kaluarës duke e vendosur në rrafshin kohor të tashëm për ta zbërthyer premisën e mbijetesës së tij në kohën moderne.
“Godet saktë, për faktin se virgjërat vazhdojnë të jenë storie e së tashmes në një pjesë të veriut të Shqipërisë, e ndoshta edhe në vendin tonë, porse jo në formën tipike siç manifestohet atje”, ka thënë Halimi.
Sipas saj, Berishaj duke trajtuar çështjen e virgjërisë, ka arritur të vërë në pah që ndryshimet në intimitet apo mënyra e përzgjedhjes së partnerit përbëjnë kategorizimin apo përcaktimin e tipologjisë së një shoqërie. Ka thënë se Berishaj ofron të dhëna edhe për vajzat e “lanuna” apo lëneshat e edhe për “të mbeturat”.
“Kjo thyerje shoqërore, sipas autorit, prodhon një situatë në të cilën nuk shihet fundi i kohës së të virgjërave. Këtë model të vetëflijimit, Berishaj e vë në analogji me sindromën japoneze të shtyrjes së martesës, si një trend soc-kulturor, mbase jo vetëm në këtë vend”, ka thënë Halimi. Librin e ka cilësuar si një thirrje për një ridimensonim të subjektit grua dhe gjithashtu ftesë për debat të hapur për pozicionin e saj dikur sot e tutje.
Vetë autori Anton Berishaj ka thënë se të shkruash për virgjërat nuk është të shkruash për gratë apo për burrat por për të dyja bashkë.
“Fenomeni i virgjërave po e ndryshon vetëm pamjen, sepse gratë po e sakrifikojnë jetën në harmoni me natyrën”, ka thënë Berishaj. /Koha/MALESIA.ORG/