Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka vazhduar të enjten, më 14 prill, aksionin e dhurimit të librave për shkollat fillore në Malësi.
Kryetari i KKSH-së, z. Genci Nimanbegu, i shoqëruar nga sekretari i KKSH-së Faik Nika, kryetari i Komisionit për arsim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, Ismet Kallaba, dhe nënkryetari i këtij Komisioni, Albert Camaj, u kanë dorëzuar drejtorëve të shkollave fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Triesh, “Bashkimi” – Skorraq, “29 Nëntori” – Dinoshë dhe “Mahmut Lekiq” – Tuz 30 tituj me gjithsej 580 kopje, pjesa më e madhe e të cilave janë lektyra shkollore.
Pjesë e këtij donacioni është edhe Abetarja mbarëkombëtare e cila ka filluar të përdoret këtë vit shkollor në shkollat shqipe në Mal të Zi.
Drejtorët e këtyre shkollave kanë shprehur falënderime për donacionin e KKSH-së, duke e vlerësuar atë si shumë të dobishëm për zbutjen e mungesës së literaturës në gjuhën shqipe.
Përfaqësuesit e KKSH-së e kanë shfrytëzuar këtë rast për t’u njohur për së afërmi me situatën dhe problemet me të cilat përballen këto shkolla.
Dhurimi i librave u bë në kuadër të projektit të cilin KKSH e realizon me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Aksioni i dhurimit të librave ka filluar në Shkollën fillore “Dacaj” në Rozhajë me rastin e kremtimit të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit,si dhe me 8 Mars në shkollën fillore në Plavë dhe Guci, ndërsa pas Malësisë në ditët e ardhshme do të vazhdojë edhe në shkollat fillore në Ulqin dhe Krajë.
Pasurimi i bibliotekave shkollore me lektyra dhe literaturë tjetër të domosdoshme për nxënësit e
të gjitha moshave është njëri ndër objektivat e KKSH-së në fushën e arsimit.
Sherbimi per informim i KKSH-së