Marrëdhëniet Shqipëri-Mali i Zi nuk mund të ndërtohen mbi rrena

Ledi ShamkuMarrëdhëniet ndërshtetërore nuk mund të ndërtohen mbi rrena, e as mbi sjellje të tipit: “fjala e mirë e guri n’trastë”, ka shkruar deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë Ledi Shamku. “E kam fjalën për marrëdhënien mes Shqipërisë e Malit të Zi”, shkruan Shamku.

Deputetja Shamku këto komente i ka dhënë pasi nga Akademia malazeze e Shkencave dhe Arteve kishin thënë se nuk e kanë ndërmend të tërheqin Fjalorin fyes ndaj shqiptarëve, e as të kërkojnë ndjesë.

Ajo ka theksuar se është shumë e indinjuar në lidhje me Fjalorin fyes të Akademisë malazeze:

Pavarësisht premtimit të Gjukanoviçit në Tiranë, Akademia Malazeze, e cila paguhet edhe nga taksat e shqiptarëve atje, deklaron se AS KA NDËRMEND TA TËRHEQË FJALORIN E AS TË KËRKOJË NDJESË.

E para: Mali i Zi don të hyjë në Nato dhe Shqipëria sigurisht e mbështet. Por, me këto mend don të hyjë? Me këtë sjellje denigruese ndaj shqiptarëve autoktonë në viset e veta? Ku shkoi premtimi qeveritar i tyre?!

E dyta: Shqipëria e ka të shkruar në Kushtetutë detyrimin për mbrojtjen e të drejtave të pakicave shqiptare jashtë vendit. Rasti i këtij palo-fjalori është flagrant! I hapur dhe i ndezur, duke krijuar klimë shumë të keqe për gjindjen tonë atje. A mund ta dij si po i mbron këto të drejta? Si po e zbaton vendi im Kushtetutën e vet?

Ende nuk kam një përgjigje.

TË TËRHIQET DHE TË NDRYSHOHET SA MË PARË KY FJALOR!!!!”

Fjalori në fjalë, në mes tjerash, termin “Albanizim” e përshkruan “imponim i gjuhës shqipe, kulturës dhe zakoneve popujve të tjerë”, ndërsa për malësorët shkruan se janë të albanizuar. /MALESIA.ORG/