Shqipëria u bë vendi i parë që ratifikoi në Parlament Protokollin e aderimit të Malit të Zi në NATO. Në seancën plenare të së enjtes, ku në sallë ishte i pranishëm dhe kryeparlamentari malazez Darko Pajoviç, deputetët votuam pothuajse në unanumitet.
Me vetëm një deputete që abstenoi, socialisten Ledi Shamku. Për të, ky votim ka një shpjegim shumë të qartë.
“E drejta për të respektuar Kushtetutën, që më detyron mua të mbroj të drejtat e pakicave të mia jashtë kufijve është e drejtë themelore që duhet zbatuar. Aleanca e NATO-s ka kuptim nëse brenda kësaj aleance jemi vërtetë aleatë. Në rastin e Malit të Zi pyes veten se si do të shkojnë sup më sup një ushtar shqiptar nga Ulqini dhe një ushtar malazez, kur në Mal të Zi të drejtat e shqiptarëve shkelen”, ka deklaruar Shamku.
Shamku nuk harron të përmendë dhe incidentin më të fundit, ku 4 shqiptarë u dënuan me 230 euro gjobë vetëm se kishin flamurin shqiptar në makinë.
“Një makinë me tifozë shqiptarë që kthehej nga Franca ka kaluar në Mal të Zi, është ndaluar dhe tifozët janë gjobitur nga gjykata penale sepse paskan provokuar pushuesit e Budvës”, ka thënë Shamku.
Por në fund, deputetja socialiste bën të qartë se nuk është kundër aderimit të Malit të Zi në NATO, por se duhet të respektohen të drejtat e shqiptarëve. /TCH/MALESIA.ORG/