Deputeti i Forcës Genci Nimanbegu ka propozuar ndryshimin e ligjit për Rendin dhe qetësinë publike, me të cilin do të hiqeshin gjobat për ngritjen e simboleve kombëtare.
Sipas Nimanbegut, në një vend turistik si Mali i Zi ku përditë vërehen simbole të shteteve tjera, është e pamundur të gjobiten të gjithë, përveç nëse kjo bëhet në mënyrë selektive si në rastin e Budvës.
Ai tha se kur ligji u miratua në vitin 2011 kishin paralajmëruar se kjo normë e ligjit do të ishte kontestuese, dhe do të sillte diskriminim.
Ndryshimi i ligjit do të sillte nivel më të lartë të respektimit të ligjit për të drejtat e njeriut në Mal të Zi, ka arsyetuar Nimanbegu propozimin për ndryshimin e ligjit.
Javën e kaluar në Budva janë gjobitur disa tifozë shqiptarë me 230 euro për arsye se mbanin flamurin shqiptar në makinë.
Ata ishin duke u kthyer nga Kampionati Evropian i cili po mbahet në Francë. /Lajm.me/MALESIA.ORG/