Flitet për të arriturat e drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, ndërsa u shkelen edhe të drejtat elementare!
Kompania Allaj nga Ulqini, në kuadër të se cilës punon lokali ”Shisha bar” është dënuar me 1500€ për shkak se mysafirët e lokalit, në ndeshjen e futbollit Armeni – Shqipëri, të luajtur në tetorin e vitit të kaluar, kanë tifozuar për Shqipërinë.
Pronari i lokalit është i akuzuar sepse lejoi brohoritë e pahijshme dhe shfaqjen e flamurit të shtetit tjetër!
Policia e Ulqinit kishte ngritur padinë se mysafirët e Shisha bar kishin brohoritur dhe simpatizuar për Shqipërinë, me çrast sipas tyre kanë “fyer përkatësi nacionale dhe shfaqje të flamurit të shtetit tjetër”.
Vendimin e shkallës së parë e ka shqiptuar gjyqtari Feriz Ceranic, shkruan Vijesti.
Gjyqi si dëshmi logjike dhe bindëse ka marrë parasysh dëshmitë e policëve të cilët gjatë kohës së ndeshjes ishin në afërsi të lokalit. Ata kanë thënë se në lokal kanë brohoritur për Shqipërinë etnike dhe UÇK-së, por që nuk kanë mundur të intervenojnë pasi bëhej fjalë për një grup të madh të të miturve.
Pronari i lokalit në lidhje me vendimin e gjykatës ka thënë se ajo është e turpshme dhe se ai nuk mund të i ndalojë asnjërit që të tifozojë në lokal e aq më pak jashtë tij. /MALESIA.ORG/