Abazoviq: Mali i Zi duhet të lëshojë pe

Dritan-AbazoviqDritan Abazoviq është shqiptari dhe deputeti më i ri në Parlamentin e Malit të Zi, i cili në intervistën për gazetën “Zëri”, ka folur për demarkacionin dhe opsionet e arritjes së një zgjidhjeje të përbashkët. Ai foli edhe për raportin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me atë të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, duke thënë se ky relacion nuk i ka sjellë asgjë të mirë shqiptarëve në Mal të Zi. Abazoviq shprehët se çdo ditë e më shumë numri i shqiptarëve bie, ndërsa thekson se partitë nacionale shqiptare janë satelitë të Gjukanoviqit dhe se ai është i vetmi deputet shqiptar në opozitë. 

Mali i Zi duhet të lëshojë pe sa i përket demarkacionit dhe të rihapë bisedimin me Kosovën për hir të disa kauzave të mëdha. Përkundër faktit se Mali i Zi nuk ka ankesa dhe mendon se gjithçka është në rregull, puna nuk ka përfunduar dhe rrjedhimisht edhe duhet të kontribuojë në debatin rreth kufirit. Kështu ka thënë në një intervistë për gazetën “Zëri” një prej deputetëve më të rinj të parlamentit malazez, shqiptari Dritan Abazoviq.

Nënkryetari i Partisë URA, ka thënë se opsioni më i mirë është zgjidhja e përbashkët, sepse ndikon në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve. “Arbitrazhi do ishte opsioni i fundit, sepse do të ndikonte në prishjen e marrëdhënieve dhe do të humbisnim shumë kohë”, ka thënë Abazoviq. Ai ka folur edhe raportin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me atë të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Abazoviq ka thënë se ky raport nuk i ka sjellë asgjë të mirë shqiptarëve në Mal të Zi deri më tani, dhe shpreson që Thaçi të mos kopjojë Gjukanoviqin për të qëndruar në pushtet gjatë sikur ai.

Zëri: Gati qe një vit demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ka ngritur debat të madh mes pozitës dhe opozitës në Kosovë. Opozita pretendon se me këtë Marrëveshje Kosova i humb 8000 hektarë tokë. A jeni marrë me këtë çështje ju si deputet i Parlamentit të Malit të Zi dhe cilat janë komentet tuaja?

Abazoviq: Sa i përket Parlamentit, i njëjti nuk është marrë shumë me këtë çështje. Kjo ka qenë më shumë punë e Qeverisë. Theksoj që në Mal të Zi, kjo çështje nuk është konsideruar si problem. Kjo për të vetmen arsye që Mali i Zi ka menduar se çdo gjë është në rregull e jo sikur Kosova që mendon se ka humbur territor. Gjithsesi më vjen keq që ka ardhur deri te mosmarrëveshja.

Zëri: A ka gatishmëri Parlamenti i Malit të Zi ta rishqyrtojë çështjen e demarkacionit, pavarësisht se e ka miratuar më herët një marrëveshje të tillë?

Abazoviq: Pala malazeze mendon dhe beson që çdo vendim i marrë në lidhje me demarkacionin është meritor dhe se nuk ka hapësirë për ndryshim. Në Kosovë kemi situatën më ndryshe, sidomos qëndrimin e opozitës dhe vullnetin e shumicës së qytetarëve atje që janë shprehur me anë të protestave brenda dhe jashtë Kuvendit. E gjitha kjo tregon se jemi në një situatë jo të favorshme. Lidhur me këtë dhe të gjitha mosmarrëveshjet tjera jam ithtar i asaj që duhet angazhim i përbashkët për të arritur te zgjidhja.

Zëri: Në Kosovë ka zëra se demarkacioni duhet të dërgohet në Arbitrazh ndërkombëtar. A mund të pajtohet edhe Mali i Zi që kjo çështje të dërgohet në Arbitrazh dhe çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës në këtë drejtim?

Abazoviq: Opsioni më i mirë siç e ceka dhe më lart është zgjidhja e përbashkët, sepse ndikon në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve. Arbitrazhi do të ishte opsioni i fundit, sepse do të ndikonte në prishjen e marrëdhënieve dhe do të humbisnim shumë kohë. Humbja e kohës nuk do t’i konvenonte palës kosovare kur kemi parasysh që veçse është humbur shumë, kështu që do të linte peng shumë procese të rëndësishme për Kosovën, njëra ndër to është dhe liberalizimi i vizave.

Zëri: Opozita në Kosovë kërcënon me protesta të dhunshme nëse miratohet në Kuvend Marrëveshja për Demarkacionin. A do të duhej edhe Mali i Zi të mos mbajë qëndrim të ngurtë për demarkacionin, por të pranojë kompromisin?

Abazoviq: Në politikë gjithmonë është mirë të gjendet kompromisi, sidomos në regjionin e Ballkanit kur kemi parasysh problemet e fundshekullit të kaluar. Kjo do thotë që edhe Mali i Zi do duhej të lëshojë pe në këtë çështje, për hir të disa qëllimeve të mëdha.

Zëri: Një deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Nikollë Gegaj, ka thënë se demarkacioni është punën e kryer për Malin e Zi. A pajtoheni edhe ju me z. Gegajn, apo keni një vlerësim tjetër?

Abazoviq: E vërtetë është se pala malazeze ka kryer punën e saj, por problemi nuk është zgjidhur po nuk e pranoi edhe Kosova. Në përgjithësi nuk pajtohem me deputetët e PDS-së ku bën pjesë dhe Gegaj, sepse gjatë 25 vjetëve në pushtet kanë shkaktuar shumë dëme për popullatën shqiptare në Mal të Zi.

Zëri: Demarkacioni njëherësh i është vënë kusht Kosovës nga Komisioni Evropian për liberalizim të vizave me BE-në. Një kusht të tillë nuk e ka pasur asnjë shtet tjetër në rajon. A është kjo një e padrejtë ndaj Kosovës?

Abazoviq: Siç e thashë dhe më herët Kosova ka humbur kohë shumë rreth demarkacionit dhe si pasojë e kësaj kemi shtyrjen e procesit të liberalizimit të vizave. Kosova dhe vendet tjera në rajon duhet të punojnë shumë drejt integrimeve të BE-së, edhe nëse ndonjëherë rruga s’është e lehtë duhet të qëndrojmë për ta arritur qëllimin kryesor. Shpresoj se Kosova do ta fitojë shumë shpejt liberalizimin e vizave, sepse qytetarët e Kosovës meritojnë as më shumë e as më pak se qytetarët tjerë të shteteve të rajonit. Për këtë përkrah çdo aktivitet në këtë drejtim.

Zëri: Kemi parë disa ballafaqime tuaja të ashpra me kryeministrin Millo Gjukanoviq në Parlament. Madje në një rast ai ju ka kërcënuar. Sa është e vështirë të bësh opozitë në Parlamentin e Malit të Zi?

Abazoviq: Se sa është e vështirë të bësh opozitë tregon fakti që jam i vetmi shqiptar në opozitë. Në Mal të Zi që nga sistemi pluralist nuk është ndërruar asnjëherë pushteti. Përkundër kësaj do të vazhdoj të angazhohem për ndryshime.

Zëri: Gjukanoviq ka raporte të mira me presidentin e Kosovës z. Thaçi. Cili është komenti juaj për këta dy politikanë?

Abazoviq: E rëndësishme është të kenë raporte të mira, por deri tani nuk kanë sjellë diçka të mirë për shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi. Vlen të theksohet se çdo ditë e më shumë numri i shqiptarëve bie nga 7% sa ishin para 15 viteve tash kemi rënë në 4,9%. Shpresoj që Thaçi nuk do t’i mësojë taktikat e Gjukanoviqit që të mbesë kaq gjatë në pushtet.

Zëri: Ulqini në zgjedhjet e fundit rrezikonte të mos udhëhiqej nga një kryetar shqiptar. Si do të duhej të organizohen shqiptarët politikisht në të ardhmen në këtë Komunë dhe sa jeni të kënaqur me qeverisjen komunale?

Abazoviq: Partitë nacionale shqiptare kanë humbur subjektivitetin e vet dhe janë bërë satelit politik. Kjo do thotë se çdoherë shkojnë pas partisë së Gjukanoviqit, madje pa kurrfarë kushtesh, përkundër vullnetit të popullatës shqiptare që jeton në Mal të Zi. Gjëja kryesore që duhen ta bëjnë është të bëhen bashkë dhe ta ndryshojnë lidershipin.

Zëri: Autoritetet malazeze që disa vite i detyrojnë të paguajnë pushuesit kosovarë sigurime kufitare prej 15 eurosh për dy javë. A mund ta ngrini këtë çështje në Parlament që dy palët të arrijnë marrëveshje për njohje reciproke të policave të sigurimit dhe të mos plaçkiten shoferët e dy shteteve?

Abazoviq: Jam kundër pagesës së sigurimit, ky problem shfaqet ngase Kosova nuk është anëtare e Byrosë së Kartonit të Gjelbër, por gjithsesi duhet të gjendet model lehtësues, nga dy qeveritë në fjalë me marrëveshje bilaterale siç e ka bërë Kosova me Shqipërinë dhe Maqedoninë.