Bija e madhe shqiptare, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu, nga sot do të thirret Shën Tereza

Nga dita e sotme – e diele, 4 shtator 2016 – Nënë Tereza do të thirret Shën Tereza, një titull ky i merituar për një shqiptare që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të të varfërve, jetimëve dhe të sëmurëve. 

Ndërkohë, prej të premtes në Vatikan ka hyrë në zbatim plani i sigurisë së lartë i hartuar nga Prefektura e Romës me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të humanistes shqiptare, ku janë parashikuar të marrin pjesë rreth 100 mijë besimtarë në meshën e Shenjtërimit të Nënës Tereze.

Praninë e kanë konfirmuar delegacione qeveritare nga e gjithë bota. Ndërsa, rreth 600 gazetarë e 125 korrespondentë televizivë janë të akredituar për të ndjekur këtë ngjarje të madhe.

Ceremonia e Shenjtërimit të Nënës Tereze si dhe mesha e Festës së Shenjtores Terezë, do të transmetohet direkt nga qendra televizive e Vatikanit, si dhe nga 120 televizione të ndryshme në botë, përfshirë edhe televizionet nga Kosova dhe Shqipëria.

Gjithashtu, ceremonia mund të ndiqet me live stream në kanalin në YouTube te qendrës televizive të Vatikanit.

Agnesë Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910, në një familje shqiptare (prindërit e lindur në Kosovën e sotme), në Shkup. Rrugëtimin si murgeshë e nisi në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë udhëtoi drejt Indisë ku krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.

Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003.

Më 17.12. 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj: shërimin e një besimtari brazilian, të sëmurë me tumor në tru.

Më 4 qershor 2016 u caktua edhe data e shenjtërimit: e diele, 4 shtator 2016, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Vatikani flet shqip, yjet e trojeve shqiptare këndojnë për Nënë Terezën

Lorik Cana - Rita Ora

Vatikani është shndërruar në qendrën shqiptare kur ka mbledhur yjet më të rëndësishëm të trojeve tona dhe elitën politike në koncertin e madh në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”. Në vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë, njëkohësisht 19 vjetorit të shuarjes së saj.

Koncerti në Vatikan për nder të humanistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, u përmbyll me interpretimin e himnit të saj nga këngëtarja Inva Mula.

Artistët shqiptarë në fund u duartrokitën fuqishëm nga të pranishmit në sallë, ku në mesin e tyre ishin edhe personalitete të njohura politike nga Kosova dhe Shqipëria, si Edi Rama, Sali Berisha, Kadri Veseli, Pal Lekaj, Jakup Krasniqi, etj.

Në fjalën e tij hyrëse, imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës dha një historik poetik për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.

Rita Ora dhe Lorik Cana zgjodhën që përshëndetjen e parë për të pranishmit ta bëjnë në shqip, në gjuhën që ushtoi në Bazilikën e Shën Palit.

“Ave Maria” me zërin e magjishëm të Inva Mulës ishte mirëseardhja muzikore.  Baritoni Gëzim Myshketa interpretoi “Libera Me”.

Një ndërthurje mes muzikës dhe narracionit të vargjeve të murgeshës së të varfërve solli më pas Andi Bajgorën me vargjet “Take Time”. Virtuozi Shkëlzen Doli, solli në fillim tingujt “Meditation të Massenet”.

Në këtë festim të madh nuk mund të mungonte edhe “Buka e Engjëjve, Panis Angelicus nën zërin e Ramë Lahaj. Lum Veseli përcolli magji me narracionin e tij sërish në gjuhën shqipe të vetë vargjeve “Gjithmonë kam në zemër” të vetë Nënës Terezë.

Rita Ora ishte shndërruar. Në pamjen e një katolikeje në një ndër bazilikat më të bukura artistikisht, ajo interpretoi simbolin “What Child is this”. Nën orkestrimin e Shpëtim Saracit.

Producentja Dijana Toska ja doli të bënte bashkë më shumë shqiptarë se asnjëherë në selinë e shenjtë për një shenjtore.

Sërish, Inva Mula finalizon himnin e Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, me fjalët “Lamtumirë” që murgesha e të varfërve i shkroi në vitin 1928. Të ardhura nën kompozimin e Genc Tukiçit.