Kryetari i Alternativës Shqiptare Gjergj Camaj, tha për televizionin Teuta se koalicioni i formuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në mes Forcës, UDSH-së dhe Alternativës Shqiptare, është një nismë e mirë për të grumbulluar një numër të madh të votave me këto tri subjekte.
“Kemi pasur bisedime të shumta edhe me subjekte të tjera, dhe vlerësime të ndryshme që të delet në disa grupe, por ligji nuk u mundëson shqiptarëve që të dalin vetë dhe është e dëmshme si për votuesit ashtu edhe për subjektet politike. Formimi i këtij koalicioni ka një strategji afatgjate dhe ka për qëllim që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve , si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal”, tha Camaj.
Ai shprehu besimin se arritja e dy mandateve është diçka reale për këtë koalicion, duke pasur parasysh faktin që përbëhet nga subjektet më të rëndësishëm në trevat ku jetojnë shqiptarët. /TVTeuta/MALESIA.ORG/