Sot në hotelin Mediteran në Ulqin , koalicioni i përbëre nga tre partitë shqiptare Forca, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare mbajtën një konferencë të përbashkët për media në të cilën bënë thirrje publike të gjitha subjekteve politike shqiptare që ti bashkëngjiten këtij koalicioni politik shqiptarë dhe të veprojnë të gjithë në një listë të përbashkët.
Ky koalicion sot për herë të parë ka zbuluar edhe slloganin të cilin do ta përdorin gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të cilat do të zhvillohet në tetor.
Koalicioni do të identifikohet me slloganin “Shqiptarët të vendosur”.
Në anën tjetër, lista tjetër shqiptare përbëhet nga Partia Demokratike, Iniciativa Qytetare, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Lëvizja qytetare Perspektiva.
Nëse këto koalicione krahasohen me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2012, nuk ka ndonjë ndryshim në strukturë të përbërjes apo të lidershipit, përveç të rreshtimit. Asokohe bashkë në listë ishin Forca, Iniciativa Qytetare dhe Lëvizja qytetare Perspektiva, ndërkaq në listën tjetër ishin rreshtuar Partia Demokratike, Alternativa Shqiptare dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Ndërkaq, UDSH-ja kishte garuar në listë e vetme, dhe mbeti pa mandat.
Jo shumë kohë pas zgjedhjeve në të cilat të dy koalicionet fituan nga një mandat, partnerët e dy koalicioneve prishën marrëdhëniet lidhur me ndarjen e mandatit të përfituar, me akuza e deri edhe në ngritje të padive.
Një listë e tretë në këto zgjedhje janë paraqitur tre degët e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Dega e Malësisë, Plavë e Gucisë dhe Rozhajës, të cilat nuk garojnë në listë me bazën e LdnëMZ-së, kryetarin e të cilës këto e quajnë jo-legjitim. /MALESIA.ORG/