Lexoni kumtesën e Koalicionit Shqiptar “Me një qëllim”(PD-IQ-LDnëMZ-Perspektiva):
Synimi ynë i pare është realizuar: ky koalicion ka bashkuar numrin më të madh të grupimeve politike shqiptare në Mal të Zi.
Ia kemi arritur qëllimit që t’i bashkojmë të gjithë regjionet me shumicë shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre më të shquar gjenden në listen tone zgjedhore.
Kjo është e pritur kur dihet se në këtë koalicion bëjnë pjesë partite që me vite, për të mos thënë me dekada, kanë qenë të njohura si luftëtare të paepura për të drejtat dhe interesat e shqiptarëve, si dhe ato që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar për pavarësinë e Malit të Zi dhe në proceset integruese euroatlantike.
Jemi të bindur se qytetarët tanë do t’i vlerësojnë konsekuencën dhe parimet tona, si dhe rezultatet që kemi arritur me pjesëmarrjen në pushtet dhe me realizimin e projekteve, si në nivelin shtetëror ashtu edhe në atë lokal.
Prandaj deklarojmë se fushata jonë do të karakterizohet nga fryma pozitive dhe do të jetë e orientuar drejt së ardhmes. Me përkrahjen e madhe që do të kemi nga qytetarët, përvojën e fituar dhe marrëdhëniet e mira me faktorët relevantë në vend dhe jashtë, jemi më se të bindur se do t’i realizojmë idetë nga programi ynë politik, ekonomik, social dhe kulturor, në mënyrë që trevat ku jetojmë me mijëra vjet të jenë vende më të mira për të jetuar, që rinia jonë të qëndrojë dhe të punësohet këtu, kurse Diaspora të kthehet dalëngadalë në vendlindje.
Ky është qëllimi dhe detyrimi ynë parësor.