Ndërron jetë piktori i shquar Gjelosh Gjokaj

gjelosh_gjokajKa ndërruar jetë piktori i njohur shqiptar, Gjelosh Gjokaj.

Akademiku ka ndërruar jetë sot në orën 07:15 në një spital të Bayernit në Gjermani.

Gjokaj ishte anëtarë i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ishte themelues i shkollës së artit pamor – grafikës në Prishtinë. Ai la pas vetes më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë.

Akademik Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 në Malësi, në fshatin Milesh.

Shkollën e Mesme të Artit dhe më pas, studimet e larta në Akademinë e Artit i kreu në Beograd. Diplomoi më 1963. Në vitet 1964-1969 themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë.

Që prej 1983 jetonte në Augsburg, Gjermani por një pjesë të kohës e kalonte edhe në vendlindje, në Milesh.

Ngushëllime familjes Gjokaj. /MALESIA.ORG/

Postimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama:

ADDIO MAESTRO

I lindur në Malin e Zi dhe i formuar në shkollën jugosllave të pikturës, Gjelosh Gjokaj u bë maestroja që njohim të gjjthë, në Itali e pastaj Gjermani, ku piktura e tij mori trajtat e mirënjohura të personalitetit artistik të Gjeloshit. Mik sivëlla i Martin Camajt, Gjelosh Gjokaj na ka lënë një koleksion perlash të dala prej gurrës së kësaj miqësie mes poetit e piktorit, ndërsa thesarit të trashëgimisë sonë artistike i ka lënë një vepër të tërë dinjitoze. Ndarja e tij nga jeta është e trishtueshme, pasi ndërpret një fazë tejet interesante ku kishte hyrë krijimtaria e tij, në moshën që Pikaso e quante ideale për t’u rikthyer në fëmijë! Por edhe personalisht, humbja e Gjeloshit më trishton, sepse na lidhi me të një miqësi e gjatë, lindur në fillimvitet ’90 kur studioja e tij në Augsburg, bëhej edhe dhoma ime e gjumit sa herë e vizitoja maestron e dashur! Ai iku pasi i’a doli të lërë pas një vepër të bukur dhe një kujtim të mirë tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin.