Pjesë nga intervista “provokuese” e bartësve të listave të dy koalicioneve shqiptare, Genci Nimanbegut dhe Gzim Hajdinagës

nimanbegu-hajdinagaPjesë nga intervista “provokuese” e Genci Nimanbegut dhe Gzim Hajdinagës të publikuar në portalin malazez CDM.

Nimanbegu është bartës i listës i Koalicionit “Shqiptarët të vëndousur” Forca-UDSH-ASH , ndërsa Hajdinaga bartës i listës i Koalicionit Shqiptar “Me një qëllim” PD-IQ-LDMZ-Perspektiva.

A ju ka premtuar DPS-ja edhe në prag të këtyre zgjedhjeve komunën e Tuzit, ashtu si çdo herë deri më tani? A ju besoni se kjo do të ndodhë? Nëse po, pse ju besoni kur atë premtim deri më tani nuk e kanë përmbushur?

Nimanbegu: DPS-ja është partia e cila është në pushtet për 27 vjet, sikur të kishin dashtë ta japin komunën, kishin kohë deri me tani. “Shqiptarët të vendosur” është koalicion i cili ka qëndrimin se Tuzi duhet të ketë komunën e plotë por kemi mësuar nga përvoja që marrëveshjet tona të ardhshme kanë nevojë për faktor si garanci se ato do të realizohen.

Hajdinaga: Neve tani askush, asgjë nuk na ka premtuar, dhe as nuk kemi kërkuar. Ne kemi programin tonë i cili shprehimisht thotë se Malësia, me qendër Tuzin, duhet të jetë komunë e plotë. Kemi kaluar disa faza eksperimentale për të ardhë deri tek ajo, dhe është krejtësisht e natyrshme që njerëzit krenarë që jetojnë në këtë zonë duhet më në fund të kenë dritën e gjelbër të vetëqeverisjes lokale.

Pse të votojnë për ju e jo për DPS-në, me të cilët ju gjithmonë jeni në koalicion, e sipas gjitha gjasave edhe pas këtyre zgjedhjeve?

Nimanbegu: Ne jemi partia që disa herë kemi lënë DPS-në në opozitë në Komunën e Ulqinit. Që nga zgjedhjet e fundit parlamentare, ne jemi në koalicion me ta në qeverinë qendrore. Vetëm partitë nacionale luftojnë për ruajtjen e identitetit, simboleve kombëtare shqiptare. Asnjë nga deputetët “qytetarë” nga DPS-ja të cilët përfaqësojnë shqiptarët në parlament nuk ngritën asnjë çështje të rëndësishme për interesat tona dhe jo vetëm kombëtare, por edhe çështjen e privatizimit, decentralizimit dhe të ngjashme.

Hajdinaga: Ne jemi përfaqësuesit autoktonë të popullit shqiptar. Besoj se ne jemi më afër nevojave dhe interesave të tyre, çka dhe e kemi vërtetuar në veprimet e deritashme politike. Nuk ka asnjë arsye që kështu mos të jetë edhe më tutje. Natyrisht, çdokush ka të drejtë të zgjedhë rrugën e vet.

Në rast se fitojnë koalicionet opozitare, a do të ju bashkëngjiteni?

Nimanbegu: Ne do të hyjmë në koalicion me të gjithë ata që do të pranojnë kushtin tonë të vetëm, dhe ai është që të kemi një ndërmjetësues në marrëveshjen post-zgjedhore që do të garantonte besimin dhe kredibilitetin që marrëveshjet të zbatohen deri në fund. Ndërsa ky ndërmjetësues mund të jetë vetëm faktori ndërkombëtar. Cilado qeveri e ardhshme nuk do të fitojë përkrahjen tonë pa këtë kusht.

Hajdinaga: Qëllimi ynë kryesor është që të marrim sa më shumë vota dhe të jemi pjesë e shumicës parlamentare. Partnerët tanë potencialë janë të gjithë ata që na respektojnë dhe ndjekin vlerat euroatlantike. Gjithmonë kemi kërkuar partnerë në nivelin qendrorë në mënyrë që përmes bashkëpunimit të arrijmë qëllimet dhe projektet tona që janë në interes të përbashkët.

 

Kur zhvillohen ndeshje sportive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, a e miratoni tifozimin, apo edhe festimin pas fitoreve eventuale, në Tuz, Ulqin etj. me flamuj shqiptarë ashtu siç edhe kemi pasur rast të shohim?

Nimanbegu: Jo vetëm që i miratojë, por edhe marr pjesë në mënyrë aktive në këto festime. Më vjen keq që edhe sot dikujt në Mal të Zi i pengon përdorimi i lirë i flamurit tonë.

Hajdinaga: Unë kam qenë prej kohësh ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, dhe unë e njoh praktikën demokratike dhe teorinë. Pra, çdonjëri ka të drejtë të sillet ashtu si ai donë, përderisa nuk e kërcënon tjetrin. Kjo vlen edhe për përdorimin e flamurit, sidomos kur bëhet fjalë për aktivitete sportive dhe ngjarje kulturore.

A mund të na thoni në mënyrë konkrete nëse mbështesni të ashtuquajturin projektin e Shqipërisë së Madhe, i cili ndër të tjera nënkupton shkëputje të territoreve të Malit të Zi?

Nimanbegu: Kjo është një pyetje provokuese që pasqyron vetëdijen se shqiptarët janë element politikisht subversiv dhe e cili nxitet nga një pjesë e opozitës. Ne liderët politikë të shqiptarëve në Mal të Zi e kemi të qartë se bashkimi i shqiptarëve mund të realizohet në Bashkimin e Evropian por edhe me përmirësimin e marrëdhënieve ndër-fqinjësore në Ballkan i cili duhet të jenë pa kufij, dhe së bashku të anëtarësuar në BE dhe NATO.

Hajdinaga: As në Shqipëri, dhe as në Kosovë nuk ka subjekte relevante politike që mbështesin një gjë të tillë. Ashtu edhe ne mendojmë sepse jemi relevant dhe serioz, prandaj ajo nuk është në programin tonë politik. Të gjitha vendet e Ballkanit kanë një qëllim të jenë pjesë e një Evrope të bashkuar, prandaj edhe ne do të jemi së bashku.