“DPS-ja paguan votat e Shqiptarëve dhe Boshnjakëve”, shkruan në një mesazh i cili po përhapet përmes Viber-it – Reagon KKSH-ja

Qytetarë kanë fituar sot një mesazh nga një numër i paidentifikuar, i cili bën thirrje të dilet në zgjedhje dhe i cili thotë se DPS-ja po i paguan Shqiptarët dhe Boshnjakët për votë.

msg-viber

Me këtë rast reagoi kryetari i KKSH-së Genci Nimanbegu:

Sot kur duhet të ishte një ditë e qetë për procesin zgjedhor disa qarqe të errëta dhe keqdashëse kanë tentuar të prishin qetësinë dhe harmoninë ndëretnike duke kërcënuar stabilitetin politik.

Të nderuar qytetarë dhe bashkëkombës,

Jemi informuar se, përmes një teksti-mesazhi telefonik të dërguar masovikisht, është bërë thirrje për të siguruar vota nga komuniteti serb, duke nxitur urrejtje etnike ndaj komunitetit etnik shqiptar dhe atij boshnjak.

Sipas këtij teksti, aludohet se një prej partive politike më e mëdha në vend është duke blerë vota shqiptare dhe boshnjake deri në vlerën 250 Euro, duke fyer rëndë komunitetin tonë etnik.

Angazhimi ynë është nxitja e bashkëjetesës dhe harmonisë etnike, fetare, krahinore e ideore, me qëllim zhvillimin dhe vajtjen të bashkuar në Bashkimin Evropian.

Një mesazh i tillë i papreçedentë nuk është parë që prej kohëve të errëta të nxitjes së urrejtjes, dhunës dhe spastrimit etnik të viteve 1990.

Është e papranueshme që në epokën e integrimit euro-atlantik të vendit, përmes kësilloj mesazhesh anonime të ngjallet urrejtja e të fyet pakica shqiptare.

Prandaj, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, i bën thirrje të gjithë partive politike të Malit të Zi, të distancohen menjëherë nga një mesazh i tillë dhe të dënojnë ashpër këtë akt kaq të rëndë i cili dëmton harmoninë ndëretnike dhe kërcënon destabilitetin dhe sigurinë e vendit. Po ashtu i bën thirrje edhe shoqërisë civile, mediave, botës akademike dhe mbarë opinionit publik të Malit të Zi që të solidarizohet e të flas ashpër kundër këtij akti të ulët.

Njëherazi i bëjmë thirrje autoriteteve ligjzbatuese, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë të marrin menjëherë masat e nevojshme për identifikimin dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve që fshihen pas këtij makinacioni.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve

Kryetari
Genci Nimanbegu