Nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve në dy vendvotimet në Ulqin, kundër përsëritjes ishin edhe Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” – Hajdinaga përfundimisht mbetet pa mandat.
Komisioni shtetërorë i zgjedhjeve (KSHZ) vendosi sot që nuk do të përsëritën zgjedhjet në dy vendvotimet në Ulqin, shkruan portali Ul-info.
Të mërkurën Komisioni komunal i Ulqinit (KKZ) kishte pranuar kërkesën e Koalicionit Shqiptar “Me një qellim” (PD-IQ-LDMZ-Perspektiva) dhe kishte anuluar zgjedhjet në dy vendvotime. Për shkaqe të disa parregullsive, ky komision kishte anuluar votimet në vendvotimin nr. 8 në Braticë dhe atë nr. 10 në Shtoj.
Bartësit të listës “Me një qellim”, Gzim Hajdinagës i kishin munguar rreth 340 vota për të fituar mandatin, andaj rivotimi në këto 2 vendvotime ishte shansi i fundit që Hajdinaga të marrin mandatin, por që tashmë me vendimin e KSHZ-së kjo më nuk është në lojë.
Siç shkruan ky portal, ankesën në vendimin e KKZ-së në Ulqin që të anulohen zgjedhjet në këto dy vendvotime në Ulqin, ia dërgoi KSHZ-zë, përveç të tjerëve, edhe Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” (Forca-UDSH-ASH).
Ankesa është nënshkruar nga Nazif Cungu, Mehmet Zenka dhe Nik Gjeloshaj. /MALESIA.ORG/