Nimanbegu: Prisnim më tepër, votuesit janë keqpërdorur dhe kushtëzuar me vende pune

genci-nimanbeguIntervistë e portalit Malesia.org me deputetin Genci Nimanbegun, bartës i listës së Koalicionit “Shqiptarët të vendosur”.

Si e vlerësoni numrin e votave që fitoi koalicioni juaj dhe faktin që shqiptarët në përbërjen e re parlamentare, për herë të parë që nga fillimi i pluralizmit, do të përfaqësohet me vetëm një deputet?

Nimanbegu: Patjetër që kjo nuk është një situatë e pëlqyeshme dhe nuk mund të them se jemi të kënaqur me rezultatin e fituar sepse prisnim më tepër, por shihet qartë se partitë qytetare kanë arritur të marrin numër të madh të votave shqiptare dhe kjo bjen deri tek dyshmi i procesit të lirë zgjedhorë, sepse përsëri votuesit janë kushtëzuar me vende të punës dhe janë keqpërdorur në aspekte të ndryshme. Votuesit së pari janë sjellë në gjendje të rëndë ekonomike për ti manipuluar më pas më lehtë dhe kjo strategji e disa subjekteve po e dëmton popullin shqiptarë. Fatkeqësisht në këtë drejtim strukturat politike shqiptare janë të pafuqishme sepse me humbjen e votave shqiptare zëri ynë bëhet çdoherë e më i dobët. Populli duhet ta ketë të qartë se pa përfaqësues të subjekteve shqiptare kërkesat tona janë të parealizueshme sepse jeni dëshmitarë se shqiptarët në partitë qytetare nuk merren në mënyrë prioritare me çeshtjet që kanë të bëjnë me trojet shqiptare, sepse ata votojnë sipas udhëzimeve partiake që shpeshherë shkojnë në dëm të shqiptarëve, siç ishte rasti i fundit me Komunen e Tuzit, apo me rezoluten.

Koalicioni juaj “Shqiptarët të Vendosur” (Forca-UDSH-ASH) arriti të fitojë një mandat, ndërsa 2 listat tjera shqiptare mbeten jashtë parlamentit të ardhshëm. Përveç faktit të përçarjes në mes të subjekteve politike shqiptare, gjë e cila ka një histori të gjatë, cili sipas jush është shkaku i këtij rezultati? Rikujtojmë se edhe në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2012 shqiptarët garonin më 5 respektivisht me 4 lista.

Nimanbegu: Shkaku kryesorë i dështimit të zgjedhjeve është egoja personale dhe ambiciet famëkeqe të cilat vazhdimisht po e dëmtojnë skenën politike shqiptare. Rezultatet e zgjedhjeve të çdo subjekti duhet të respektohen dhe në bazë të saj të vendoset platforma duke i minimizuar egot e interesave personale të cilat kësaj radhe mendoj se na kanë dhënë një leksion të gjithëve.

Ne kemi pasur fatin të fitojmë një mandat në këtë garë të egër ku çdo subjekt ka tentuar të marrë sa më tepër vota të shqiptarëve, por kjo gjë na jep një mision edhe më të rëndë për të qendruar të vetëm në ballë të kërkesave të shumta të Shqiptarëve në Mal të Zi.

Ky rezultat është një mesazh i qartë nga ana e votuesit, pra subjektet shqiptare duhet të bashkohen dhe të lenë anash egot dhe ambiciet personale. Duhet të veprojmë me një platformë të përbashkët, ashtu siç e propozuam ne si Koalicion dhe ju ofruam bashkimin të gjitha partive që garuan, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Poashtu mendoj se edhe votuesit duhet të japin besimin e tyre subjekteve shqiptare, sepse siç e thash edhe më lartë, vetem përfaqësuesit nga radhet e subjekteve shqiptare mund ti përfaqësojnë interesat e popullit shqiptarë në mënyrën e duhur. Ne e kemi dëshmuar këtë por fatkeqësisht nuk kemi pasur përkrahjen e duhur dhe dëshirën e pushtetit për ti realizuar kërkesat tona. 

DPS-ja e Djukanovic-it fitoi numrin më të madh të mandateve, por për formimin e pushtetit i duhet formimi i një koalicioni post-zgjedhor, ndërsa jozyrtarisht ka paralajmëruar se do të nisë bisedimet me shqiptarët, boshnjakët, kroatët dhe socialdemokratët. Paralajmërime ka pasur edhe nga blloku opozitarë. Cili është qëndrimi juaj?

Nimanbegu: Ne si koalicion  do të bisedojmë me të gjitha subjektet në bazë të programeve tona politike dhe do të dëgjojmë të gjitha ofertat, qoftë nga PDS-ja, qoftë nga subjektet tjera dhe pastaj në konsultim me partnerët e koalicionit dhe organet tona partiake do të vendosim se çfarë qëndimi do të marrim.

Ne kemi filluar bisedimet me subjektet tjera të pakicave për një platformë të përbashkët . Këto negociata nuk janë të lehta, ashtu si nuk janë të lehta as vendimet politike, por misioni ynë është të bëjmë më të mirën për popullin tonë.

Gjatë fushatës parazgjedhore keni deklaruar se nuk do të përkrahni asnjë palë pa një ndërmjetësues, faktorit ndërkombëtare në mënyrë që marrëveshja eventuale të garantojnë besimin dhe kredibilitetin që marrëveshjet të zbatohen deri në fund. Nëse sigurohet ndërmjetësuesi ndërkombëtar, cilat do të jenë kërkesat tuaja në interes të shqiptarëve?

Nimanbegu: Po, unë këtë e kam deklaruar vazhdimisht dhe po e theksoj edhe tani se çdo marrëveshtje të cilën do ta bëjmë në të ardhmen, do të kërkojmë ndërmjetësues ndërkombëtarë. Ne kemi pasur marrëveshtje edhe gjatë mandatit të kaluar por fatkeqësisht ajo nuk është respektuar dhe aty ka mundësi të fitojmë ndihmën që do të jetë ajo e cila do të garantojë respektimin e pakicës autoktone shqiptare dhe realizimin e kërkesave tona. 

Subjekti juaj politik edhe në përbërjen e shkuar kishte nënshkruar marrëveshje/përkrahje për shumicën e drejtuar nga DPS-ja. Cilat ishin çështjet kyçe të marrëveshjes, dhe a u realizua ndonjëra nga ato?

Nimanbegu: Në marrëveshtjen e kaluar me PDS-në i kishim të përmbledhura të gjitha çështjet shqiptare, ajo ishte transparente për të gjithë dhe mund t’ia bashkangjitni kësaj interviste, por në fakt nga ajo është realizuar shumë pak. Disa çështje janë hapur por kanë rezultuar negativisht, siç ishte Komuna e Tuzit/Malësisë e cila nuk u votua pikërisht nga DPS-ja, pastaj çështja e Të Mirave Detare është shqyrtuar në kuvend por është tërhequr mu para votimit pasi që unë nuk deshta të bëjë kompromise me çeshtjet programore të Forcës. Poashtu është punuar për të kthyer pronat e ullishtës së Valdanosit pronareve, si dhe çështje të tjera për të cilat grupet punuese kanë filluar punimet e veta por nuk ka pasur rezultate konkrete. Të gjitha këto na bëjnë që ne të jemi shumë më të kujdesshëm ndaj kërkesave tona dhe të kemi ndërmjetësues  i cili do të përcjellë  realizimin e tyre nga të cilat nuk heqim dorë. Ne duam respektimin e simboleve kombëtare dhe përdorimin e lirë të tyre, Komunën e plotë të Malësisë/ Tuzit, kthimin e pronave, avancime në procesin arsimorë, decentralizim të pushtetit, mandate të garantuara, Të Mirat Detare, zhvillimin e Bjeshkëve të Nemuna, hapjen e pikave të reja kufitare, qoftë tokësore, qoftë ujore, etj, etj. Të gjitha këto janë pjesë e kërkesave tona, dhe jo vetem kaq, sepse ne kemi shumë për të bërë dhe kemi vullnet e gatishmëri profesionale, por mungon realizimi konkret i cili mvaret drejtpërdrejtë nga pushteti qëndror dhe jo nga dëshirat e politikës shqiptare, ashtu siç akuzohemi shpesh. 

Në dhjetor të vitit të kaluar në parlamentin e Malit të Zi, me shumicë votash u votuan një serë ligjesh me çka Komuna urbane e Tuzit do të ndryshonte statusin në Komunë të Kryeqytetit. Për këtë ju dhe kolegu juaj, ish-deputeti Nik Gjeloshaj keni votuar kundër. Sot, gati një vit më vonë, komuna urbane vazhdon me statusin e vjetër. Çka u bë me statusin e ri?

Nimanbegu: Vetë fakti që ne nuk e votuam këtë propozim tregon se nuk besuam as në realizimin e tij të plotë, aq më tepër u deshmua mosvullneti i PDS-së kur nuk e votoi Komunën e plotë gjatë seancës së korrikut të këtij viti, kur unë dhe Z.Nik Gjeloshaj ishim propozues të Ligjit në fjalë.

Implementimi i statusit të ri mendoj se tani duhet të jetë në duart e strukturave lokale/administratës komunale.

A do të kushtëzoni themelimin e Komunës së Tuzit/Malësisë me kompetenca të plota, ashtu si çdo komunë tjetër në vend, me përkrahjen tuaj në formimin e shumicës parlamentare?

Nimanbegu: Kjo kërkesë ishte vazhdimisht pjesë e programit dhe kërkesave tona politike dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë nga ajo, pra do ta bartim deri në realizimin e statusit të Komunës së plotë, këtë dhe të gjitha çështjet e shqiptarëve në Mal të Zi, sepse ne po kërkojmë atë çfarë na takon.

E theksoj edhe njëherë se çështjet shqiptare për mua janë një mision i shenjtë të cilat do ti mbroj derisa të jem veprimtarë në skenën politike.

 Sa jeni të kënaqur me numrin e votave që grumbulluan në Malësi dy partnerët tuaj të koalicionit, UDSH-ja dhe ASH-ja?

Nimanbegu: Duke pasur parasysh se në çfarë situate garuese ishin, mendoj se kanë arritur të grumbullojnë numrin e votuesve të cilët kanë besuar në faktorizimin e subjektit tonë dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne.

Ky koalicion i ka thënë mjaft përçarjeve krahinore dhe fetare dhe së bashku do ti themi stop ndasive që na bëhen.

Populli ynë duhet të unifikohet,  sepse vetëm të bashkuar do të mund ti kalojmë të gjitha sfidat kombëtare, duke mos harruar se jemi popull autokton në trojet e të parëve dhe në shekullin XXI ende po kërkojmë të drejtat tona elementare.

/MALESIA.ORG/