Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga autoritetet shtetërore të Malit të Zi që ta bëjnë një kërkesë drejt institucioneve të Bashkimit Evropian, përmes të cilës do të deklarohet se Republika e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi nuk kanë asnjë problem mes vete, dhe rrjedhimisht, qytetarët e Kosovës nuk do të duhej të mbeteshin të izoluar për shkak të Demarkacionit.
“Presim që bartësit më të lartë institucionalë në Republikën e Malit të Zi këtë ta bëjnë edhe publikisht, duke iu drejtuar edhe instancave të Bashkimit Evropian se për çështjen e demarkacionit nuk do të ishte mirë që qytetarët e Kosovës jenë të izoluar”, ka thënë Veseli pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Në këtë drejtim ai ka thënë se ia ka bërë të qartë edhe komisionarit Hahn dhe raportueses Lunaçen, se Kosova nuk ka asnjë problem me Malin e Zi, dhe se Kosova është shumë e interesuar që çështjen e demarkacionit ta zgjidhë sa më shpejt që është e mundur.
Veseli ka ripërsëritur se ratifikimi i demarkacionit si kushte për vizat, është një gjë shumë e padrejtë që u bëhet qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ai është shprehur më se i bindur që këtë vit, Kuvendi nuk do t’ia del të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin, ngase nuk i ka votat e mjaftueshme.